Vendosni fjalën kyçe....

Raporti i Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar: Ndikimi i luftës në Ukrainë në trafikun e karburantit në Evropën Juglindore


Një raport i ri nga Nisma Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional thekson se kontrabanda e karburanteve, që ka rrënjë të thella e ka vazhduar për më shumë se tre dekada në Ballkan, është një shqetësim për ekonominë dhe sigurinë e rajonit.

Raporti eksploron paralele në kontrabandën e karburanteve midis konflikteve të kaluara në ish-Jugosllavi dhe konfliktit në Ukrainë.

Sipas gjetjeve të raportit, në vitin 2022, më shumë se 3 mijë ton karburant ilegal me vlerë 4.3 milionë euro u kapën nga autoritetet ballkanike, përafërsisht katër herë më shumë se në vitin 2021. Bullgaria në vitin 2019 u përball me humbje të mundshme buxhetore prej 250 milionë eurosh për shkak të tregut të paligjshëm të karburantit, sipas raportit nga Nisma Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional.

Raporti vëren më tej se pushtimi rus i Ukrainës dhe kriza elektorale në Libi në vitin 2022 çuan në vendosjen e kufizimeve ndaluese të importeve të naftës nga këto dy vende. Shkalla e kontrabandës së karburanteve në Ballkan është zvogëluar që nga vitet 1990, por tregtia e paligjshme vazhdon ende, duke ndikuar në vazhdën e lumit Danub dhe Detin Mesdhe përmes portit të Durrësit, vijon raporti.

Konflikti i vazhdueshëm në Ukrainë paraqet një rrezik potencial për kontrabandën ruse të naftës bruto përmes Detit të Zi”, thotë Sasha Gjorgjeviç, autor i raportit.

Ndalimi i ardhshëm i shpallur i importeve të naftës së papërpunuar të Bullgarisë nga Rusia në vitin 2024 mund të ridrejtojë tregtinë e paligjshme të karburanteve drejt Ballkanit.

“Bullgaria, Rumania, Shqipëria dhe Serbia mund të dalin si qendra për aktivitetet e kontrabandës së karburanteve. Portet si Burgasi, Konstanca dhe Durrësi mund të shërbejnë si pika hyrëse për operacionet e kontrabandës në Ballkan, duke u lidhur me rrugët ekzistuese përgjatë lumit Danub, ku pothuajse 40 vendndodhje vetëm në Serbi janë në rrezik të kontrabandës së karburantit përgjatë lumit”, vijon Gjorgjeviç.

Raporti thekson se aktorët mbizotërues të përfshirë në kontrabandën e fundit të karburanteve në Ballkan janë një përzierje e rrjeteve kriminale dhe aktorëve të huaj që veprojnë përtej kufijve.

“Individë të ndërlidhur me kombësi të ndryshme formojnë rrjete kriminale që veprojnë përtej kufijve, duke përdorur rrugë të ndryshme, kryesisht brenda lumit Danub dhe Detit Mesdhe, për aktivitete të paligjshme. Fokusi i tyre qëndron në transportin, shpërndarjen dhe tregtinë ilegale të karburanteve”, sqaron Gjorgjeviç.

Në fund të raportit theksohet se nevojiet bashkëpunim rajonal dhe përpjekje kolektive për të luftuar me efektivitet kontrabandën e karburanteve.