Një tren doli nga shinat në Pakistanin jugor të dielën, duke vrarë të paktën 30 persona dhe duke plagosur 100, ka konfirmuar policia.
Fatkeqësia ndodhi në afërsi të qytetit Nawabshah, në provincën Sindh, kur disa vagona të linjës ‘Hazara Express’, me rreth 1000 pasagjerë, dolën nga shinat, duke bërë që shumë prej tyre të përmbyseshin.
Ushtria pakistaneze dhe ekipe e kërkim-shpëtimit janë mobilizuar për të ndihmuar në operacionin e shpëtimit, i cili përfundoi në mbrëmje.
Dhjetra të mbijetuar, përfshirë gra dhe fëmijë, u nxorrën nga rrënojat në siguri, pohoi zyrtari i lartë Abid Baloch, duke folur në vendngjarje.
“Ky është një aksident tejet i madh,” u tha gazetarëve ministri i Hekurudhave Khawaja Rafique.
“Mund të ketë dy arsye: së pari që ishte një defekt mekanik, ose gabimi ishte krijuar – mund të ishte një sabotim. Ne do ta hetojmë atë.”
Aksidentet e trenave dhe daljet nga shinat janë një dukuri e shpeshtë në sistemin e vjetër hekurudhor të vendit, i cili është rreth 7,500 kilometra i gjatë dhe transporton mbi 80 milionë pasagjerë në vit.
Në qershor 2021, të paktën 65 njerëz u vranë kur dy trena u përplasën pranë qytetit të Daharki, dhe të paktën 75 pasagjerë vdiqën kur një zjarr shpërtheu në Tezgam Express në tetor 2019.