Vendosni fjalën kyçe....

Arratisja e ariut nga kafazi brenda avionit shkakton vonesa në aeroportin e Dubait


Një fluturim i linjës ‘Iraqi Airways’ nga Dubai për në Bagdad u vonua gjatë fundjavës kur një ari u arratis nga kafazi i tij në ngarkesën e avionit, konfirmuan zyrtarët e linjës ajrore për Associated Press të dielën. Kryeministri irakian thuhet se është duke hetuar se si krijesa arriti të arratisej.

Pamjet e ariut të çorientuar në barkun e avionit u bënë virale në mediat sociale gjatë fundjavës. Një tjetër video tregonte pilotin duke kërkuar falje për vonesën prej një ore për shkak të pasagjerit të padisiplinuar. Pasagjerë të tjerë thuhet se u detyruan të zbrisnin ndërsa kafsha ishte qetësuar.

‘Iraqi Airways’ konfirmoi se ariu po fluturonte nga Dubai në Bagdad, por nuk pranoi të emëronte pronarin e tij ose të jepte ndonjë informacion se pse po udhëtonte.

“Kompania u kërkon falje pasagjerëve të fluturimit nga Aeroporti Ndërkombëtar i Bagdadit në Aeroportin e Dubait për arsye jashtë kontrollit të kompanisë,” tha linja ajrore në një deklaratë në faqen e saj të shtunën, duke shtuar se ‘ekuipazhi i avionit u bashkërendua me Emiratet e Bashkuara Arabe që dërguan një ekip të specializuar për të qetësuar kafshën dhe për ta hequr atë nga avioni’.

Linja ajrore këmbënguli se kishte ndjekur procedurat dhe standardet e sakta për transportimin e ariut, të përcaktuara nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) dhe konfirmoi se avioni dhe vendi i ngarkesave u kontrolluan për dëmtime përpara se të ktheheshin në Bagdad.

Ndërkohë që mbajtja e grabitqarëve si arinjtë si kafshë shtëpiake është bërë një trend në mesin e irakianëve të pasur, siç është në mesin e elitës së Dubait dhe Riadit, aktivistët e të drejtave të kafshëve kanë kërkuar që praktika e mbajtjes së arinjve të ndalohet në mënyrë specifike.