Vendosni fjalën kyçe....

Italia shkurton tatimin mbi bankat pas fshirjes së 10 miliardë dollarëve


Qeveria italiane u tërhoq nga një pjesë e taksës së saj të papritur mbi bankat, duke thënë se do vendoste një kufi për të kufizuar ndikimin për shumë huadhënës, ndërsa përpiqet të qetësojë një trazirë të tregut që zhduku 10 miliardë dollarë amerikanë nga vlera e tregut të bankave.

Taksa nuk do kalojë 0.1% të aktiveve të një firme dhe bankat që kanë rritur tashmë normat e interesit të ofruara për depozituesit ‘nuk do kenë një ndikim të rëndësishëm si pasojë e rregullit’, tha Ministria e Financave të martën.

Aksionet ranë pas njoftimit të befasishëm të zëvendëskryeministrit Matteo Salvini të hënën vonë për një taksë prej 40% mbi fitimet shtesë të huadhënësve.

Ministri i Financave Giancarlo Giorgetti dhe ekipi i tij kaluan gjithë të martën duke punuar në hollësitë e masës dhe duke u përpjekur për të zbutur ndikimin e lëvizjes së Salvinit, sipas një personi të njohur me diskutimet.

Salvini kundërshtoi “fitimet ekstra” të bankave nga rritja e normave të interesit nga Banka Qendrore Evropiane teksa i bëri thirrje bazës së tij populiste si udhëheqës i Partisë Lega anti-emigrante, një anëtare kyçe e koalicionit të krahut të djathtë të Giorgia Melonit.

Ai foli në një konferencë për shtyp në të cilën Giorgetti mungonte dukshëm. Kjo është e pazakontë duke qenë se Salvini tha se norma u propozua nga Giorgetti dhe ministria e tij do merrej me hollësitë teknike. As Meloni nuk mori pjesë në konferencën për shtyp dhe as nuk ka komentuar për taksën të cilën partia e saj Fratelli D’Italia e ka mbrojtur me forcë.

Aksionet bankare të Italisë përmbysën disa nga humbjet e së martës të mërkurën në mëngjes, me aksionet e Unicredit SpA me 2.3% dhe Intesa Sanpaolo SpA me 2%. Indeksi i Bankave All-Share FTSE Italia u rrit me 2.2%. Indeksi i sektorit është ende në rënie me gati 5% në javë.

Sqarimet e ministrisë

Menjëherë pas reagimit negativ të tregut të martën, Ministria e Financave u përpoq të lehtësonte këto shqetësime. Së pari, ajo dërgoi një deklaratë duke shpjeguar se tatimi do jetë në diferencën midis të ardhurave neto nga interesi në 2022 dhe 2021 mbi një fitim prej 5%, ose midis 2023 dhe 2021 mbi një fitim 10%. Një draft i mëparshëm i parë nga Bloomberg kishte planifikuar dallimet prej 3% dhe 6%.

Më vonë gjatë ditës, një deklaratë tjetër nga ministria shpjegoi kufirin prej 0.1%. Qeveria nuk e specifikoi masën e përdorur për kufirin, por nëse do bazohej në aktivet globale në banka si Unicredit dhe Intesa, taksa mund të jetë rreth 1 miliard dollarë. Nëse do zbatohet vetëm për asetet italiane, do ishte disa qindra milionë euro.

Ideja pas njoftimit të Salvinit ishte përdorimi i parave shtesë për të financuar familjet e goditura nga kriza e kostos së jetesës, duke përfshirë uljen e taksave dhe mbështetjen për hipotekat për pronarët për herë të parë. Megjithatë, norma do duhet të kalojë në parlament ku mund të ndryshohet më tej. Ajo gjithashtu mund të kundërshtohet në gjykata, si një masë e ngjashme në Spanjë.

Kufiri në totalin e aktiveve të bankave ‘ul shumë ndikimin e taksës’, tha Marco Nicolai, një analist në Jefferies. Goditja në raportin e nivelit 1 të kapitalit të përbashkët të bankave, një masë kyçe e fuqisë financiare, është mesatarisht përgjysmuar, krahasuar me një skenar pa kufi, shtoi ai.

“Duket ende pak konfuzion nëse ky kufi do zbatohej për totalin e aktiveve të bankave, totalin e aktiveve italiane, apo edhe për aktivet e saj të ponderuara me rrezik”, tha Karim Cellier, një menaxher portofoli në LMR Partners LLP.

“Ne kemi nevojë për qartësi, pasi këta janë elementë kyç për të kuptuar ndikimin në banka të tilla si UniCredit, e cila ka një prani të fortë jashtë vendit.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg

Përgatiti për Hashtag.al, K. Manjani