Vendosni fjalën kyçe....

Një rrëfim për mikun tim Gentin që vuan pasojat e baltosjes dhe përndjekjes time politike


Nga Veton Surroi

1

Ndoshta shpjegimi më i mirë shkon kështu.

Genti kërkon që të kemi një evidencë të të gjithë drunjve në pronën e sapoblerë nga ai, afër pronës sime. Në atë moment i lind sfida e një projekti në kokë, që është në formësim e sipër, si të bëhet një kompleks vilash alpine në Brezovicë, duke e ruajtur strukturën e natyrës, përfshirë maksimalisht numrin e mështeknave e lisave.

Kompleksi së shpejti shndërrohet në projekt në letër, e merr emrin “Mështekna”, dhe nisur prej miqësisë mes nesh, ka forcën e përvojës së një afaristi shembullor, atë të Gentit. Kompleksit i shtohet edhe projekti i një hoteli pesëyjesh, i pari në këtë që duhej të ishte qendra kryesore turistike e Kosovës.

Projekti shndërrohet juridikisht në një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e quajtur “Stella consulting”. Genti bëhet investitor kryesor dhe “Mështekna” bëhet një investim i madh i huaj, me mundësi të arrijë në 22 milionë euro.

Me përvojën afariste, analize të hollësishme juridike e risku, Genti vendos që mënyra më e mirë për të realizuar këtë projekt është nëse bëhet kontratë me çelësa në dorë, pra angazhimi i një ndërmarrjeje, e cila do t’i marrë përsipër të gjitha obligimet, që nga sigurimi i të gjitha lejeve deri te ndërtimi i plotë i tërë kompleksit.

Kontraktohet ndërmarrja “Quka”, nënshkruhen kontratat, bëhen pagesat dhe Genti insiston që çdo cent i paguar të përmbushë obligimet ligjore ndaj shtetit të Kosovës, që çdo veprim i “Stella consulting” domosdoshmërisht të përmbushë çdo kërkesë të ligjeve në fuqi.

Në dhjetor të vitit 2021, shtatë vjet prej fillimit të projektit, lexoj emrin tim në portale, si i dyshuar për krime në rastin “Brezovica”. Si një magnet klikimi, emri im lakohet në tituj të portaleve, madje edhe të atyre që nuk kanë nam abuzimi shantazhues apo shërbimi ndaj pushtetit.

Pas disa ditësh abuzimesh me klikime, emri im zbret prej të akuzuarit për krime dhe shndërrohet në atë të mikut të Gentian Sulës. Gentian Sula tash është i akuzuar për krime dhe “oligark i Shqipërisë”, që duhet të jetë kod i vetëkuptueshëm i fajësisë. Edhe “oligark”, edhe i “Shqipërisë”, duhet të jetë fajësia vetë.

2

Prej vitit 2004 nuk jam në afarizëm. Dhashë dorëheqje nga pronësia dhe drejtimi i kompanisë KOHA, ngase u bëra deputet i Kuvendit të Kosovës dhe me bindjet e mia për gazetarinë e politikën, qëndrimi në kompaninë KOHA do të ishte konflikt interesi me të qenit deputet. Prej vitit 2008 nuk kam qenë aktiv në funksione publike apo politikë. Jam marrë ndërkohë kryesisht me shkrime, qoftë kolumne gazete apo librash.

Por, ndërkohë që shkruaja, ritualisht do të dilnin shkrime në portale që do të më akuzonin për këtë apo atë deklaratë timen, të vërtetë apo të rreme, a për këtë apo atë shkrim timin, të vërtetë apo të rremë. E, megjithatë, nuk kishte dalë deri atëherë ndonjë akuzë për korrupsion, a ndonjë vepër tjetër krimi që do të më bënte pjesë të “tyre”, të atij ambienti, sfere publike, në të cilin që të gjithë janë të njëjtë, që të gjithë të korruptuar, që të gjithë abuzues.

Mund të imagjinoj çfarë gëzimi do të kenë pasur ata nëpër portale dhe ata në jetë publike (politikë, shoqëri civile) që kanë qenë të lidhur me pushtetet korruptuese kur formësuan titullin, me të cilin do të më lidhnin edhe mua me krim. Dhe, këta tituj, të stërpërsëritur në media sociale, tashmë kishin bërë edhe akuzën, edhe dënimin; mjafton një kërkim sipërfaqësor të rastit “Brezovica” nëpër Facebook për të parë se qenkam fajtor.

Pasi u dënova nga Facebooku, radha i erdhi Gentit. Ai duhej të ndiqej, tashmë jo vetëm prej portaleve e mediave sociale, por prej institucioneve të drejtësisë. Ndonëse që të gjitha punët e investimit qenë të subkontraktuara, prej lejeve të ndërtimit deri te pllaka e fundit e banjës (pra Genti nuk ka kurrfarë përgjegjësie ligjore personale për çfarëdo pune të kryer për nevoja të “Stella consulting” nga subkontraktori) i është ngritur akuzë për dëme ambientale dhe është në listën e prokurorisë për ryshfet.

Njëherë emri im qe i nevojshëm për baltosje, tash baltosja e emrit të tij është e nevojshme për të mbajtur baltën (edhe) mbi emrin tim.

3

Përderisa unë shkruaja libra dhe “Mështekna” stagnonte për shkak të ndërhyrjeve jo të vogla të pushteteve të ndryshme, Genti vazhdoi me projekte të tjera në Shqipëri dhe jashtë saj. Njëri prej afaristëve më të njohur e të suksesshëm të Shqipërisë ka filluar dhe zhvilluar projekte sfiduese në kuptimin arkitektonik e zhvillimor në Tiranë dhe përgjatë rivierës së Adriatikut e Jonit.

Për të, Shqipëria dhe Kosova janë dy botë paralele të të zhvilluarit biznes; në atë të Kosovës pushteti ndal punët një ditë, lejon ditën tjetër, sekuestron pronën një ditë e liron ditën tjetër, të akuzon një ditë, të shantazhon me favore të kërkuara ditën tjetër.

Si investitor i huaj nuk e ke as më të voglën mbrojtje ndaj arbitraritetit të pushtetit e si investitor i Shqipërisë të fusin në kategorinë e paragjykimeve më të këqija për qytetarët e atij vendi. Së bashku me paragjykimet përfshihesh në frymën populiste, me të cilën biznesi është automatikisht i dyshimtë.

Në këtë logjikë, çfarëdo afarizmi duhet të jetë automatikisht i dyshimtë, sepse ambienti për të bërë biznes është i dyshimtë – ky është cikli i mbyllur vetushqyes, sipas të cilit, meqë pushtetet (ekzekutive e gjyqësori) janë korruptuese, rrjedhimisht biznesi nuk mund të mos jetë korruptues. Kështu, do ndëshkuar biznesin derisa të vihen në rend ekzekutivi dhe gjyqësori.

Dhe, në këtë rast prezumohet se të gjithë janë fajtorë derisa ta dëshmojnë pafajësinë.

4

Ekziston një pyetje ndër miq e në publik, se si është e mundur që gjatë tërë kësaj kohe nuk u mobilizua KOHA (“KOHA Ditore” e KTV), për të më mbrojtur e për t’i akuzuar prokurorinë e gjykatat, portalet shantazhuese dhe ato joshantazhuese për arbitraritet të këtillë? Ashtu ekziston edhe pyetja se përse në “KOHA Ditore” apo KTV del ky apo ai lajm, si është e mundur që unë të lejoja një gjë të tillë? Madje është një listë e njerëzve, jo e shkurtër, që nuk më flasin rrugës për këtë apo atë shkrim, për këtë apo atë kronikë televizive.

Këto pyetje i përkasin atij realiteti, pjesë e të cilit nuk kam qenë ndonjëherë as si gazetar, as si drejtues mediash, as si pronar i tyre – të shërbimit të gazetarëve interesave të mia. I përkasin atij realiteti, që nuk mund të kuptoj se po bëhen gati njëzet vjet prejse jam larguar nga pronësia e drejtimi i kompanisë KOHA dhe se lidhshmëria ime e tanishme është kjo kolumne dhe librat e botuar.

Dhe i përkasin realitetit që nuk mund të kuptojnë se KOHA i ka të ndërtuara tashmë standardet, për të mirë a keq, që nuk janë pjesë e ambientit të angazhimit për “tonët” kundër “tyre”, kushdo që të jenë “tonët” dhe kushdo që të jenë “ata”.

E kuptoj në lëkurën time dhe atë të miqve si Genti se një qasje e këtillë kushton. Por nuk kam alternativë tjetër pos këtij shkrimi, kjo qe përzgjedhja ime e besimit në fjalë të lirë dhe kjo është mbrojtja e vetme që kam, i vetëdijshëm që në këtë vend nuk mjafton.