Vendosni fjalën kyçe....

Pezullimi i fondeve të IPARD II, Basha: U favorizuan klientët e zakonshëm, do kërkojmë ngritjen e një Komisioni Hetimor


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shprehur se PD do të kërkojë ngritjen e një Komisioni Hetimor për korrupsionin në lidhje me pezullimin e fondeve IPARD II për sektorin e Bujqësisë

Në një postim në rrjetin social Facebook, Basha shkruan se vendimi i Brukselit për pezullimin e granteve të programit IPARD tregon makutërinë e kësaj qeverie, që abuzon edhe me fondet e BE-së, duke shtuar se paratë nuk shkuan për fermerët, por për vila luksoze për klientët e qeverisë.

 

Postimi i plotë:

 

Nuk është hera e parë që propagandës dhe retorikës shtinjake i del boja. Kur arritjet imagjinare ndeshen me faktet, duket qartë se e vetmja gjë që ka ndërtuar Edi Rama është një shtet i të korruptuarve.

Kështu ka ndodhur me mega-aferën e Inceneratorëve, kështu po ndodh me fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë.

Vendimi i Brukselit për pezullimin e granteve të programit IPARD tregon makutërinë e kësaj qeverie, që abuzon edhe me fondet e BE-së, duke lënë në mëshirë të fatit fermerët e ndershëm të këtij vendi, për të favorizuar klientët e zakonshëm që me këto fonde ndërtojnë vila në komplekset luksoze të bregdetit.

Për këtë skandal që nxiu faqen e Shqipërisë përpara partnerëve europianë dhe që pengon rrugëtimin tonë drejt BE-së, Partia Demokratike do të kërkojë ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të zbardhur shpërdorimin e fondeve për bujqësinë dhe për të garantuar transparencën që qytetarët meritojnë.

Lufta e pakompromis ndaj korrupsionit dhe fundi i pandëshkueshmërisë në nivelet e larta të politikës janë prioritete të Partisë Demokratike, arritja e të cilave garanton ndryshimin që shqiptarët presin.