Vendosni fjalën kyçe....

Rusia pretendon se ka rrëzuar dy dronë ukrainas pranë Moskës (Video)


Dy drone u rrëzuan ndërsa po shkonin drejt Moskës, thanë të mërkurën kryebashkiaku Sergey Sobyanin dhe Ministria ruse e Mbrojtjes. Sipas zyrtarëve, përpjekja për sulm terrorist nuk ka çuar në viktima apo shkatërrime.

“Natën, një përpjekje e regjimit të Kievit për të kryer një sulm terrorist me dronë u pengua mbi rajonin e Moskës,” tha ministria në një deklaratë.

Të dy dronët u shkatërruan nga mbrojtja ajrore. Sipas Sobyanin, një prej tyre u qëllua në jug të kryeqytetit, ndërsa një tjetër u shkatërrua mbi autostradën M1, e cila shkon nga Moska në kufirin me Bjellorusinë.

Zyrtarët nuk dhanë hollësi të mëtejshme mbi incidentin dhe lloji i dronit të përdorur mbetet i paqartë.

Një video e shpërndarë në mediat sociale besohet se tregon momentin kur një nga dronët u godit nga mbrojtja ajrore. Në një klip të shkurtër të filmuar mesa duket nga një kamera CCTV, shihet një blic, i shoqëruar me tingujt e një shpërthimi.

Të dielën, një tjetër dron u rrëzua teksa po përpiqej të godiste Moskën. Përpjekja për sulm nuk shkaktoi viktima apo dëme në terren.

Dronët e Ukrainës arritën në kryeqytetin rus më 30 korrik dhe përsëri më 1 gusht, të dyja herët duke goditur periferinë e qytetit.