Një 51-vjeçar shqiptar ka rënë pre e një atentati në ishullin Paxos të Greqisë. Andrea Kalemi është qëlluar me 10 plumba.
Ai është dërguar në spitalin e Janinës ku është në gjendje të rëndë. Shënjestra e atentatit dyshohet se ka qenë i përfshirë në atentatin ndaj Edmond Papës më 16 dhjetor 2022 në lagjen Selitë të Tiranës.
Papa u ekzekutua me 9 plumba në shenjë hakmarrjeje ndaj vrasjes së Aleksandër Sadikajt.
Kalemi është djali i dajës së Aleksandës Sadikajt e atentati i sotëm ndaj tij dyshohet se ka të bëjë me ekzekutimin e Edmond Papës.
51-vjecari Andrea Kalemi, i njohur edhe me emrin Adriatik Kalemi është arrestuar në vitin 2001 nga RENEA.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia belge, pasi akuzohej se në bashkëpunim me vëllain e tij Fatmir Kalemi kishte vrarë vëllezërit shqiptarë Mevlan e Adriatik Çaça, ngjarje e ndodhur në Anderleht të Belgjikës, më 13 prill 2001.
Në vitin 2017 ai është arrestuar në Tiranë bashkë me 2 persona të tjerë pasi duke qenë edhe nën efektin e alkoolit, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kundërshtuar punonjësin e policisë në detyrë, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, ndërsa një person i katërt që ishte me ata goditi me shufër hekuri në kokë, punonjësin e policisë E. V., i cili u dërgua në spital.
Në vitin 2022 Kalemit i është vrarë me shpërthim eksplozivi kushëriri, Aleksandër Sadikaj. Disa muaj më vonë, në Tiranë u ekzekutua biznesmeni Edmond Papa si shenjë hakmarrje për vrasjen e Sadikajt. Për vrasjen e Papës u arrestua shoku i Andrea Kalemit, Albano Velo dhe është në kërkim shoku tjetër Andrea Bode. Në dosjen hetimore përmendet edhe emri i Kalemit.