Në një dalje për mediat, nënkryetari i këshillit bashkiak Tiranë, Dorian Teliti pjesë e Grupit të Rithemelimit ka dalë kundër vendimit për vendosjen e çmimit të referencës së pronës.
Sipas tij, “ky vendim i qeverisë do t’u kushtojë familjeve shqiptare pa dallim partie, krahine apo të ardhurash, 50 milionë euro në vit”.
“Kjo, sepse çmimi i referencës së pronës është rritur me 50-75 për qind. Partia Demokratike e dënon këtë akt që takson pa benefite dhe merr pa dhënë, duke e kthyer qeverinë, nga mbrojtëse e interesave të qytetarit, në taksidar pushtuesi të brendshëm”, tha ai.
Teliti tha se “me VKM Rama ka rritur çmimin e referencës së pronës”.
“Për vitin 2026 Edi Rama ka gati një ligj të ri, një shpatë të re Damokleu, që do ta lëshojë mbi kokat e shqiptarëve. Ai planifikon që të fuqizojë një ligj të ri për taksën e pronës, që do ketë dy pasoja të tjera. Së pari, do të dyfishojë taksën e banesës nga 0.05 për qind në 0.1 për qind. Së dyti, do të rrisë llojet e pronave që taksohen, duke përfshirë ndërtesat për qëllime bujqësore dhe blegtorale. Fshatarit, fermerit dhe blegtorit shqiptar do t’i duhet të paguajë taksë edhe për stallat dhe kasollet e lopëve”, shtoi ai.
“Mijëra familje shqiptare nuk kanë certifikata pronësie, edhe pse kanë prona. Kjo do të hapë një kapitull të ri stresi për këto familje, të cilat do të përballen me taksidarët e qeverisë dy herë: për të marrë certifikatën e një prone dhe për t’u shpjeguar se nuk duhet të paguajnë taksë për të, se nuk e kanë me letra. Po me familjet e shpronësuara nga tërmeti çfarë do të ndodhë?”, u shpreh ai.