Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi i ftuar në rubrikën “Opinion” në Neës24, foli për sekuestrimin e inceneratorin e Tiranës nga SPAK dhe ndërtimin e kullës pas TOKB-së.
Blushi shprehet se kulla ‘Mali i Tiranës’ e dyshuar se e Berishajve, po dëmton kauzën e inceneratorëve duke shtuar se PL-ja ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zbardhjen e kësaj afere.
Blushi thotë se edhe pse është bërë sekuestrimi, afera vazhdon dhe se Veliaj ka dhënë miratimin e tij për inceneratorin pa miratimin e Këshillit Bashkiak, ku i gjithë dëmi është 1 miliard euro, 4-5 herë më shumë seç është publikuar.
“PL-ja ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zbardhjen e kësaj afere. Është një aferë e përmasave të mëdha. Prej më shumë se dy vitesh janë depozituar në SPAK të gjitha dokumentet në lidhje me inceneratorin. Pronar real nuk është Zoto apo Mërtiri, por Rama, Veliaj dhe Engjëll Agaçi. Këta të fundit janë përgjegjësit dhe ideatorët e kësaj afere. Në vlerësimin tonë, këta janë pronarët e vërtetë të inceneratorëve, pasi janë ata që kanë përfituar.
Në lidhje me sekuestrimin, është lajm i mirë edhe pse i vonuar, por nuk duhet theksuar se afera vazhdon. Më e rëndësishme për momentin janë taksat e qytetarëve që po shpërdorohen, të cilët janë duke paguar ende për një shërbim që nuk kryhet. Veliaj ka dhënë miratimin e tij për inceneratorin pa miratimin e Këshillit Bashkiak. I gjithë dëmi është 1 miliard euro, pra 4-5 herë më shumë seç është publikuar. Veliaj duhet të merret si i pandehur. Nuk ka shqiptar që beson se kjo aferë kriminale është vënë në funksion nga Arben Ahmetaj. Kjo aferë nuk mund të vihej në lëvizje pa vendimmarrjen e Ramës dhe këtë e ka konfirmuar dhe Ahmetaj. Kjo provohet edhe nga dokumentet”, tha Blushi.
Sakaq ai u ndal te marrëdhëniet politike me Partinë Demokratike, ku u shpreh se vijojnë të jenë të bashkuar për shkak të kauzave të përbashkëta në interes të shqiptarëve.
“Në lidhje me raportin me PD-në, dua të them se nuk ka asnjë lloj ftohje të marrëdhënieve mes PL-së dhe opozitës. Ne me PD-në na bashkojnë kauzat dhe për aq kohë aq sa jemi besnik ndaj tyre. Bashkëpunimi është i shkëlqyer. Ne jemi në krye të kësaj beteje dhe kemi dhënë gjithë kontributin për aferën e inceneratorëve. PD është po në të njëjtën linjë për të denoncuar këtë aferë. Nuk dua asnjë lloj opozitë të emëruar nga Edi Rama apo të vetëshpallur, pasi qytetarët janë të qartë që PL është një parti që lidershipi i së cilës nuk është as i kapur dhe as i blerë. Ne kemi disa kritere në bashkëpunim, e para është mos jesh vegël e Ramës. Në lidhje me pengmarrjen e vulës së PD-së, nuk ka shqiptar që nuk e di, pasi të gjithë demokratët janë të qartë. Në shtator do të vijojë PL-ja dhe Rithemelimi me bashkëpunimin e saj”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PL-së.