Zjarret në Hawaii kanë marrë jetën e 53 personave deri më tani, ndërsa përpjekjet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë për të pagjeturit.
Gjithsej gjashtë zjarre po digjen në Big Island dhe Maui, ku ka ndodhur pjesa më e madhe e shkatërrimit që nga shpërthimi i flakëve të martën. Gati 1700 shtëpi dhe ndërtesa janë shkatërruar dhe mijëra banorë dhe turistë janë evakuuar nga zonat e rrezikshme.
“Jill dhe unë dërgojmë ngushëllimet tona më të thella për familjet e atyre që humbën të dashurit në zjarret në Maui dhe lutjet tona janë me ata që kanë parë shtëpitë, bizneset dhe komunitetet e tyre të shkatërruara,” tha presidenti Joe Biden në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.
Roja Bregdetare e SHBA-së ka shpëtuar më shumë se një duzinë njerëz që u hodhën në oqean për t’i shpëtuar zjarreve dhe Garda Kombëtare e Hawaii-t u thirr në veprim për të ndihmuar zjarrfikësit dhe personelin tjetër të urgjencës.
“Ne u jemi mirënjohës zjarrfikësve të guximshëm dhe reaguesve të parë që vazhdojnë të vrapojnë drejt rrezikut, duke e vënë veten në rrezik për të shpëtuar jetë”, tha Biden.
“Kam urdhëruar të gjitha asetet federale në dispozicion në ishuj për të ndihmuar me përgjigjen.”
Erërat e fuqishme 60 milje në orë (96 kilometra në orë) nga ‘Uragani Dora’ në Oqeanin Paqësor kanë ndezur edhe më shumë flakët shkatërruese.
Guvernatori i Hawaii-t, Josh Green, tha më herët të enjten se ai priste që numri i të vdekurve të rritet ‘dukshëm’ nga numërimi i mëparshëm prej 36 viktimash, ndërsa reaguesit e parë kërkojnë nëpër shtëpitë dhe ndërtesat që u dogjën deri në themel.
“Ne nuk kemi pasur një bilanc kaq të rëndë të vdekjeve si ky për shumë vite,” tha Green në një intervistë për CNN.