Vendosni fjalën kyçe....

Basha i përgjigjet Ramës: Sa më shumë bashkëpunëtorë në burg aq më të gjata i ke hartimet, prano vettingun në politikë


Kreu i PD-së Basha i është përgjigjur kryeministrit Rama i cili e ironizoi pak më herët lidhur me projektin e kullës në qendër të Tiranës.

Ai shkruan se hartimet e Ramës bëhen përherë e më të gjata sa më shumë zgjatet lista e bashkëpunëtorëve të ngushë të Ramës në burg.

Ai i bën thirrje Ramës që të bëjë vetting në politikë, duke qenë se ai po përdoret për gjyqtarët, prokurorët e policët.

Basha shton se propozimi i PD-së për vetting në politikë është në parlament e pret PS-së për t’u miratuar.

“Sa më shumë zgjatet lista e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë që janë në burg, arrati apo nën hetim për shkak të makutërisë me të cilën është mbrujtur qeverisja e tij, aq dhe më të gjata bëhen hartimet e Ramës. Por atë që nuk e thotë dot me pak fjalë, nuk ka shans ta mbulojnë fjalët shumë e për lumë.

Meqë mali i korrupsionit në qendër të Tiranës i duket si një “mullar balte”, ka një zgjidhje shumë të thjeshtë për të ndarë të vërtetën nga balta: Veting në politikë.

Kur është i mirë për gjyqtarët, prokurorët, policët, pse të mos jetë i tillë edhe për politikanët?!

Propozimi i Partisë Demokratike është në Parlament, mjafton vullneti politik për ta miratuar. Me këtë rast u kursejmë qytetarëve andrallat e njëpasnjëshme të cirkut 33-vjeçar, pas të cilave fshihet frika nga e shkuara e atyre që ndonëse e kërkojnë votën për t’i shërbyer njerëzve, i kanë shërbyer vetëm interesave personale dhe klientelës oligarkike.” – shkruan Basha.