Vendosni fjalën kyçe....

“Hajde pimë kafe…s’kemi ç’flasim…” – Zbardhet dëshmia, si nisi debati që përfundoi me vrasjen e 55-vjeçarit në Vlorë


Është zbardhur dëshmia e Rei Metës në polici, i akuzuar për vrasjen e 55-vjeçarit Armando Meshau në Vlorë pak ditë më parë.

Nga dosja hetimore e siguruar për BW nga gazetari Enrik Mehmeti, Meta ka dhënë në polici se e ka qëlluar instinktivisht viktimën pasi ky i fundit e kishte qëlluar i pari.

Ndërkohë në dosje thuhet se dëshmitari që ka qenë në qendrën e internetit në Vlorë, ku ndodhi ngjarja, ka parë Rei Metën i cili ka goditur të ndjerin disa herë me grushte në fytyrë duke e rrëzuar në karrige.

Pasi ka parë atë që ka ndodhur dëshmitari është afruar për t’i ndarë dhe për të ndihmuar të ndjerin, ndërsa personi tjetër është larguar me hapa të shpejtë.

Gjithashtu dëshmitari ka deklaruar se nga biseda që ka mundur të dëgjojë, ka kuptuar se debati kishte ndodhur për shkak të një konflikti prone.

Rei Meta ka shpjeguar se ditën e ngjarjes kishte ardhur në qytetin e Vlorës për të takuar një shokun e tij, ndërsa rreth 12.30, ai ka qëndruar tek një kafe pranë qendrës së internetit ku ndodhi ngjarja.

Ai ka sqaruar se pas disa minutash që ishte ulur në lokal, ka parë që në rrugë, afër tij rreth 1 m larg, i ka kaluar Armando Meshahu.

Meta i ka folur duke i thënë: Hajde ulu, pimë një kafe.

Ndërkohë sipas dosjes hetimore, ai i është përgjigjur me fjalët: Ika se kam pune.

Më pas ka vazhduar rrugën duke u futur tek qendra e internetit ngjitur me lokalin ku ishte ulur Rei Meta. Pas disa sekondash edhe Rei Meta ka shkuar tek interneti.

Brenda tek qendra e internetit ai ka parë Armandon, i cili ishte ulur tek njeri nga kompjuterët anësorë të internetit, konkretisht nga ana e fasadës dhe derës hyrëse.

Është afruar dhe i ka thënë “hajde pimë një fare dhe flasim për kontratën që kemi”, dhe ai i është përgjigjur me fjalët “Nuk kemi fare çfarë flasim bashkë”.

Ndërkohë që Rei Meta i është drejtuar përsëri me fjalët se “kemi kontratën që kam për të marrë një pronë”, por Armando i është përgjigjur më fjalët “ik shiko hallin, se nuk më bën dot asgjë”.

Rei Meta i ka folur sërish me fjalët “hajde të ulemi dhe të flasim që të mos merremi me gjyqe, hajde flasim”, ndërkohë që pas këtij debati me njëri-tjetrin, shtetasi Rei Meta ka deklaruar se në një moment Armando është çuar dhe e ka qëlluar me grusht.

Në këto kushte ai sqaron se i është kundërpërgjigjur instinktivisht dhe e ka qëlluar edhe ai me grushte dhe më pas është larguar nga vendi ngjarjes. Pasi është larguar ka mësuar se Armando kishte ndërruar jetë dhe në këto kushte është paraqitur vetë në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë.

Gjithashtu Meta shpjegon se me Armandon ai ka nënshkruar një kontratë sipërmarrje si komision për gjetjen e një trualli në fshatin Radhimë, ku do të ndërtonte Armando, ndërkohë që  Rel Meta do të shpërblehej me 60 m2 apartament, dhe në shkëmbim do i jepte Armandos 7.000 euro.

Kontrata sipas tij është bërë që në vitin 2020. Pasi është bërë ndërtimi ai sqaron se i ka kërkuar të merrte pjesën e tij, por nuk ka mundur, pasi prej 7-8 muajsh Armando Meshau, i kishte ndërprerë komunikimin dhe nuk i hapte me telefonin.