Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Rama se po e përgatit Mirel Mërtirin për ta çuar në Zimbabve pasi i është refuzuar azili politik në Austri.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët ai tha se sipas informacioneve të sigurta që i kanë ardhur, Rama po e dërgon atë në vendin afrikan, ku janë një pjesë e parave të aferës së inceneratorëve.
“Sekreti që mban qeveria Mirel Mërtiri që ndodhet në Vjenë dhe ka kërkuar azil politik ka kaluar gjykimin në gjykatën e shkallës së parë në Vjenë. Gjykata ka refuzuar azilin politik. Qeveria po i përgatit pasaportën atij në mënyrë që ai t’ia mbathë atje ku janë një pjesë e mirë e parave në Zimbabve. Janë informacione të sigurta”, tha Berisha.
Më herët ai tha se Klodian Zoto, i shpallur në kërkim bashkë me Mërtirin për çështjen e inceneratorëve ndodhet në Shqipëri.