Tre persona janë vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur nga të shtënat të premten në një qytet në afërsi të kantonit të Tuzlës në Bosnjë dhe Hercegovinë, njoftoi Ministria e Brendshme e këtij kantoni.
I dyshuari Nermin Sulejmanoviq, 35 vjeç, është gjetur i vdekur nga forcat e policisë në zonën e qytetit verilindor të Bosnjës, Gradaçacit. Ai kreu vetëvrasje.
“Sulejmanoviç e vrau ish-bashkëshorten dhe dy burra të tjerë, babë e bir, me pistoletë. Ai, po ashtu, e plagosi një polic, si dhe një burrë tjetër dhe një grua në lokacione të ndryshme në Gradaçac”, njoftoi Zyra e Prokurorit në Tuzla.
“Forcat e Policisë janë në terren. Hetimi do të kryhet nga prokurori në detyrë në bashkëpunim me hetuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme”.
“Policia e gjeti atë të vdekur në veturën e tij, dhe se operacioni i policisë po vazhdon”, tha ministri i Brendshëm i kantonit të Tuzlës, Hajrudin Mehanoviq për Radion Evropa e Lirë.
Ndjekja e të dyshuarit zgjati disa orë. Ai kishte publikuar hollësi nga akti i vrasjeve në dy postime të ndara në rrjetin social Instagram, por ato përmbajtje janë fshirë më vonë nga vetë rrjeti social.
Ministria e Brendshme konfirmoi se videot e shpërndara në rrjetet sociale nga i dyshuari janë fshirë.