Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski shkarkoi të premten të gjithë krerët e qendrave rajonale të rekrutimit ushtarak, si pjesë e asaj që ai e quajti një goditje ndaj korrupsionit dhe tha se “sistemi duhet të drejtohet nga njerëz që e dinë saktësisht se çfarë është lufta”.
Zelenski tha se rekrutuesit përballen me akuza, duke përfshirë marrjen e ryshfeteve dhe ndihmën për të transportuar ilegalisht personat përgjegjës për shërbimin ushtarak përtej kufirit, megjithëse detajet mbeten të paqarta, sipas WashingtonPost
“Tashmë ka 112 procedime penale kundër zyrtarëve të qendrave territoriale të rekrutimit”, tha ai, duke shtuar se rekrutuesit duhet të zëvendësohen nga njerëz që e dinë “përse cinizmi dhe ryshfeti në kohë lufte përbëjnë tradhti”.
Presidenti ukrainas së fundmi pranoi se një auditim i qendrave të rekrutimit zbuloi praktika “revoltuese” midis disa zyrtarëve.