Kreu i PD-së Basha i ka bërë thirrje SPAK-ut që të hetojë në mënyrë të thelluar lejet e ndërtimit në Tiranë e burimet financiare të kompanive që i ndërtojë.
Në një shënim në Facebook kryedemokrati shkruan se në Shqipëri janë pastruar mbi 2 miliardë euro në sektorin e ndërtimit, bazuar te raportet ndërkombëtare.
Basha thekson gjithashtu se në vitin 2021 arrestimi i dhjetëra anëtarëve të Ndrangheta-s në Itali zbuloi lidhjet e tyre me sektorin e ndërtimit në Shqipëri.
Në fund ai shkruan se PD-ja përmes këshilltarëve bashkiakë në Tiranë ka kërkuar të dhëna të plota mbi lejet e ndërtimit në Tiranë duke i bërë edhe njëherë SPAK-ut thirrje të bëjë hetime të thelluara për të ndaluar pastrimin e parave të pista.
“Mbi 2 miliardë euro janë pastruar në sektorin e ndërtimit në Shqipëri sipas raporteve ndërkombëtare.
Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e tij konstaton se Shqipëria është “destinacion kryesor i pastrimit të parave”.
Në 2020, Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GITOC) konstatoi se ndërtimet në Shqipëri ishin një mënyrë e preferuar për pastrimin e parave.
Në 2021, arrestimi i dhjetëra anëtarëve të Ndranghetës në Itali zbuloi lidhjet e tyre me sektorin e ndërtimit në Shqipëri. Përgjimet si pjesë e hetimit zbuluan se njëri prej të dyshuarve ka deklaruar: “Në rrokaqiejtë e rinj, çmimet shkojnë rreth 3800-4000€ për metër katror. A e dini sa është kostoja e vërtetë? 510€.”
Ndonëse SPAK nisi një hetim paraprak në shkurt të vitit 2021, nuk ka akoma asnjë të dhënë se çfarë po ndodh me këtë hetim.
Miliona metra katrorë leje ndërtimi raportohen se janë dhënë në Tiranë vitet e fundit. Shumica e kompanive nën emrin e të cilave merren lejet e ndërtimit nuk kanë kapacitetet financiare për t’i përfunduar ato. Bilanci i kompanive tregonte se ato kanë të ardhura minimale dhe nuk kanë asete apo kredi që mund të përdoren për financimin e projekteve.
Nga vijnë këto para?
Kush fshihet pas tyre?
Kush dhe si i siguron lejet e ndërtimit në emër të këtyre kompanive modeste?
Paratë e kujt po pastrohen me ndërtimet në Tiranë?
Partia Demokratike përmes këshilltarëve të saj në Tiranë ka kërkuar të dhëna të plota mbi lejet e ndërtimit në kryeqytet. Bashkia e Tiranës e ka detyrim të bëjë transparencë për lejet e dhëna, ndërsa SPAK duhet të ndërmarrë një hetim të thellë e të papenguar në mënyrë që Tirana të mos jetë oaz i krimit dhe politikanëve të korruptuar që pastrojnë paratë në sektorin e ndërtimit.” – shkruan Basha.