Ekspertët rekomandojnë zbatimin e modelit të Maqedonisë së Veriut, gruri të grumbullohet nga shteti me qëllim stabilizimin e çmimit
Me zhgënjimin dhe dëmin që pësuan fermerët kultivues të grurit këtë vit, natyrisht që mbjelljet vitin tjetër do të jenë të përgjysmuara, sipas ish-kryetarit të Sindikatës së Fermerëve, njëkohësisht dhe kontabilisti i shumë fermerëve në zonën e Lushnjës, Eduart Sharka.
Për të shmangur humbjet e mëtejshme, z. Sharka këshillon se zgjidhje e problematikës së tregjeve të produkteve bujqësore do të ishte projektligji që hartoi Sindikata e Fermerëve me ndihmën e IDN-së, Komitetit të Helsinkit dhe deputetin e Partisë Agrare, Agron Duka, i cili nuk u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë.
“Ne morëm zgjidhjen për situatën e bujqësisë në vend nga ligji ‘Për bujqësinë dhe zhvillimin Rural’ në Maqedoninë e Veriut, por i votoi vetëm opozita dhe deputeti Erjon Braçe nga pozita.
Në këtë situatë, kur të përsëritet kriza e 2021, do të shkojmë me ministren e radhës t’i lutemi Vuçiçit të lejojë eksportin e grurit serb”, pohoi z. Sharka.
Ligji “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural” në Maqedoninë e Veriut parashikon masa intervenuese të posaçme për stabilizimin e tregjeve të produkteve bujqësore, të cilat mund të zbatohen kur ndodh çrregullimi midis ofertës dhe kërkesës së tregut.
Këto masa përfshijnë edhe grumbullimin e grurit nga shteti, duke përcaktuar çmimet intervenuese të tij.
Zbatimin e grumbullit intervenues të grurit e bën ministria, nëpërmjet Agjencisë për Përkrahje Financiare të Zhvillimit Bujqësor dhe Rural dhe Agjencisë për Rezerva të Mallrave.
Ligji parashikon se çmimet e grumbullimit intervenues (masë për stabilizimin e tregut) miratohen nga qeveria me propozim të Ministrisë, bazuar te shpenzimet mesatare për 1 kg grurë. Ndërsa çmimi i tregut është çmim mesatar mujor i grurit në tregjet e Maqedonisë së Veriut, i cili rregullohet në përputhje me sistemin informativ të tregut bujqësor.
Më tej, në ligj thuhet se nëse çmimi i tregut të grurit është më i lartë se shpenzimet mesatare prodhuese nuk bëhet grumbullimi intervenues i tij. Shpenzimet mesatare prodhuese përcaktohen nga baza e të dhënave nga rrjeti i kontabilitetit të ekonomive bujqësore.
Ligji përfshin edhe programe për dallimin e çmimit intervenues nga çmimi i tregut për grurin e grumbulluar.
Modeli i Maqedonisë së Veriut parashikohej të gjente zbatim në Shqipëri nëpërmjet projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9817, datë 22.10.2007 ‘Për bujqësinë dhe Zhvillimin rural’” nismë ligjore e deputetit Agron Duka e iniciuar nga Sindikata e Fermerëve.
Drafti propozonte që në varësi të ministrit përgjegjës për Bujqësinë të krijohet një Agjenci e cila do të ketë objekt kryesor aktivitetin, studimin e tregut bujqësor, orientimin e fermerëve dhe publikimin e materialeve informuese për ta.
Në projektligjin e propozuar theksohej se do të ishte kompetencë e Agjencisë së re, edhe blerja e produkteve bujqësore që kanë krijuar stoqe, ose si veprimtari për stabilizim të tregut.
Agjencia, ndër të tjera, do të kishte detyrë të analizonte në mënyrë sistematike dhe historike, volumin e prodhimit, importet, eksportet dhe çmimet.
“Veprimtaria e agjencisë synon orientimin e fermerëve për mbjelljet e kulturave bujqësore. Agjencia publikon në kohë reale volumin e eksporteve, vendet ku eksportohet dhe çmimet orientuese të tregut vendas dhe të rajonit me volumin më të madh tregtar ku eksportohen produktet bujqësore dhe vendeve me potencial eksportues”, citohet në relacion.
VINI RE: Ky material është pronësi intelktuale e Monitor