Vendosni fjalën kyçe....

Elbasan, kanosën 34-vjeçarin, për t’iu dhënë 200 000 euro, arrestohet një person, në kërkim i vëllai


Dy vëllezër nga Belshi akuzohen se kanë kanosur një 34 vjeçar për ti dhënë një shumë 200 mijë euro, që dyshohet se rridhte nga veprimtari të përbashkëta kriminale, në fushën e narkotikëve, të kryera jashtë vendit, informoi sot policia e Elbasanit.

Në flagrancë është arrestuar shtetasi  Altin Dervishi  35 vjeç, dhe u shpall në kërkim vëllai i tij, shtetasi Ervis Dervishi 31 vjeç, të dy banues në Belsh.

Të tre kanë qenë bashkëpunëtorë në trafikun e drogës por që më pas duket që pazaret janë prishur.

 

Njoftimi i policisë

 

Si rezultat i reagimit menjëherë pas marrjes së denoncimit se një 34-vjeçar shtrëngohej nëpërmjet kanosjes, për të dhënë një shumë të konsiderueshme parash, specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Pasurisë të DVP Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Pressure”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi A. D., 35 vjeç, dhe u shpall në kërkim vëllai i tij, shtetasi E. D., 31 vjeç, të dy banues në Belsh.

Nga veprimet hetimore rezultoi se këta 2 shtetas kanë kanosur një shtetas 34 vjeç, që ai t’iu jepte shumën 200 000 euro, e cila dyshohet se rrjedh nga veprimtari të përbashkëta kriminale, në fushën e narkotikëve, të kryera jashtë vendit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automjet, 1 motomjet dhe 2 celularë, në pronësi të 2 vëllezërve.

Vijon puna për kapjen e 31-vjeçarit, si dhe vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të këtij rasti.