Vendosni fjalën kyçe....

Kina hakeroi rrjetet delikate të mbrojtjes së Japonisë, SHBA interceptoi operacionin – Washington Post


Kryeministri japonez Fumio Kishida

Në vjeshtën e vitit 2020, Agjencia Kombëtare e Sigurisë bëri një zbulim alarmues: hakerët ushtarakë kinezë kishin komprometuar rrjetet e klasifikuara të mbrojtjes të aleatit më të rëndësishëm strategjik të Shteteve të Bashkuara në Azinë Lindore.

Spiunët kibernetikë nga Ushtria Çlirimtare Popullore kishin hyrë në sistemet kompjuterike më të ndjeshme të Japonisë.

Hakerët kishin qasje të thellë dhe të vazhdueshme dhe dukej se kërkonin gjithçka që mund t’u binte në dorë – planet, aftësitë, vlerësimet e mangësive ushtarake, sipas tre ish-zyrtarëve të lartë të SHBA-së, të cilët ishin në mesin e një duzine zyrtarësh aktualë dhe ish-zyrtarësh amerikanë e japonezë të intervistuar, të cilët folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

“Ishte tmerrësisht e rëndë,” kujtoi një ish-zyrtar ushtarak amerikan, i cili u informua për ngjarjen, e cila nuk është raportuar më parë.

Tokio ka ndërmarrë hapa për të forcuar rrjetet e saj. Por ata ende konsiderohen jo mjaftueshëm të sigurt nga sytë kureshtarë të Pekinit, të cilat, thonë zyrtarët, mund të pengojnë ndarjen më të madhe të inteligjencës midis Pentagonit dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Japonisë.

Depërtimi i vitit 2020 ishte aq shqetësues sa gjenerali Paul Nakasone, kreu i NSA-së dhe Komandës Kibernetike të SHBA-së, dhe Matthew Pottinger, i cili ishte zëvendës këshilltar për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë në atë kohë, vrapuan për në Tokio. Ata informuan ministrin e Mbrojtjes, i cili ishte aq i shqetësuar sa ai mori masa që ata të lajmëronin vetë kryeministrin.

Pekini, i thanë ata zyrtarëve japonezë, kishte shkelur rrjetet e mbrojtjes së Tokios, duke e bërë atë një nga sulmet më të dëmshme në historinë moderne të atij vendi.

Japonezët u befasuan, por treguan se do e shqyrtonin pretendimin. Nakasone dhe Pottinger u kthyen ‘duke menduar se kishin bërë vërtet një lëvizje të rëndëshme’, tha një ish-zyrtar i lartë i mbrojtjes i informuar për këtë çështje.

Në Uashington, presidenti i atëhershëm Donald Trump ishte i zënë me kontestimin e fitores zgjedhore të Joe Biden dhe zyrtarët e administratës po përgatiteshin për një tranzicion të pushtetit.

Zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare informuan këshilltarin e ardhshëm të sigurisë kombëtare, Jake Sullivan gjatë dorëzimit, por administrata e ardhshme e Biden u përball me një sërë çështjesh – duke përfshirë mënyrën si të trajtonte një shkelje të madhe ruse të rrjeteve të agjencisë amerikane të zbuluar gjatë administratës Trump – dhe disa zyrtarë amerikanë kuptuan se japonezët thjesht shpresonin se çështja do zhdukej.

Në fillim të vitit 2021, administrata Biden ishte vendosur dhe zyrtarët e sigurisë kibernetike dhe të mbrojtjes e kuptuan se problemi ishte acaruar edhe më shumë. Kinezët ishin ende në rrjetet e Tokios.

Që atëherë, nën vëzhgimin amerikan, japonezët kanë njoftuar se po rrisin sigurinë e rrjetit, duke rritur dhjetëfish buxhetin e sigurisë kibernetike gjatë pesë viteve të ardhshme dhe duke rritur forcën e tyre ushtarake të sigurisë kibernetike katërfish në 4,000 njerëz.

Megjithatë ajo që është në lojë ka peshë të madhe.

Pekini, i vendosur në projektimin e fuqisë në të gjithë Paqësorin perëndimor – një zonë që pretendon në mënyrë kontroverse si pjesë e një dominimi historik detar, ka rritur përplasjet në rajon.

Ai gjuajti raketa balistike në zonën ekskluzive ekonomike të Japonisë gushtin e kaluar pasi Kryetarja e atëhershme e Kongresit Nancy Pelosi vizitoi Tajvanin, një demokraci e vetëqeverisur që Kina e pretendon të sajën. Ajo ka nisur një grumbullim të madh të armëve bërthamore. Dhe është përfshirë në manovra të rrezikshme ajrore dhe detare me anije dhe avionë amerikanë, kanadezë dhe australianë në Paqësor.

Kina, e cila tashmë krenohet me legjionin më të madh në botë të hakerëve të sponsorizuar nga shteti, po zgjeron aftësitë e saj kibernetike. Që nga mesi i vitit 2021, qeveria amerikane dhe firmat perëndimore të sigurisë kibernetike kanë dokumentuar një rritje të depërtimit kinez në infrastrukturën ke rëndësishme në Shtetet e Bashkuara, Guam dhe gjetkë në Azi-Paqësor. Objektivat përfshijnë sistemet e komunikimit, transportit dhe shërbimeve, tha Microsoft në maj.

Hakerët e Kinës së fundmi komprometuan emailet e Sekretarit të Tregtisë së SHBA-së, ambasadorit të SHBA-së në Kinë dhe diplomatëve të tjerë të lartë – edhe në mes të një përpjekjeje të administratës Biden për të shkrirë marrëdhëniet e ftohta me Pekinin.

“Gjatë viteve ne kemi qenë të shqetësuar për programin e saj të spiunazhit,” tha një zyrtar i lartë amerikan.

“Por Kina po zhvillon gjithashtu aftësi sulmesh kibernetike që mund të përdoren për të ndërprerë shërbimet kritike në SHBA dhe aleatët kryesorë aziatikë dhe për të formësuar vendimmarrjen në një krizë apo konflikt.”

Përballë këtij agresioni, Japonia është rritur, duke shkuar përtej marrëveshjes tradicionale të mbrojtjes në të cilën Tokio përqendrohet në vetëmbrojtjen e vendit, ndërsa Uashingtoni ofron aftësi që mbështesin sigurinë rajonale, duke përfshirë ombrellën bërthamore që mbron Japoninë dhe Korenë e Jugut.

Japonia po zhvillon një aftësi kundërsulmuese që mund të arrijë objektivat në Kinën kontinentale. Ajo po blen raketa Tomahaëk të SHBA-së. Dhe po i lejon Trupave Detare të SHBA-së të vendosin një regjiment të ri të përparuar në ishujt e largët në jugperëndim të Okinaëas, një vend që, së bashku me ishujt më veriorë të Filipineve, lejon afërsinë ushtarake të SHBA me Tajvanin nëse shpërthen një konflikt me Kinën.

“Japonia dhe Shtetet e Bashkuara aktualisht po përballen me mjedisin më sfidues dhe të ndërlikuar të sigurisë së fundmi,” tha kryeministri Fumio Kishida në një konferencë shtypi me presidentin Biden në Uashington në janar. Ai vuri në dukje strategjinë e re të sigurisë kombëtare të Japonisë që rrit buxhetin dhe aftësitë e saj të mbrojtjes.

“Kjo politikë e re,” tha ai, “do jetë e dobishme për aftësitë parandaluese dhe aftësitë e reagimit të aleancës gjithashtu.”

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin i ka treguar Tokios se shkëmbimi i zgjeruar i të dhënave për të mundësuar operacione të përparuara ushtarake mund të ngadalësohet nëse rrjetet e Japonisë nuk janë më të sigurta.

“Ne shohim investime dhe përpjekje të jashtëzakonshme nga japonezët në këtë fushë”, tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane. Por mbetet punë për të bërë.

“Departamenti ndjen fuqishëm rëndësinë e sigurisë kibernetike mbi aftësinë tonë për të kryer operacione të kombinuara ushtarake, të cilat janë në thelb të aleancës SHBA-Japoni”.

Pranimi i problemit

Ndërsa administrata Biden mori detyrën, ajo u përball me një vorbull krizash të sigurisë kibernetike.

Shtetet e Bashkuara po debatonin se si t’i përgjigjeshin hakerimit masiv rus “SolarËinds”, i cili u zbulua gjatë administratës Trump dhe kishte mbjellë kode me qëllim të keq dhe u kishte mundësuar spiunëve kibernetikë të vidhnin informacione nga disa agjenci të mëdha qeveritare të SHBA-së.

Menjëherë pas kësaj, një kompromis kinez i serverëve të Microsoft Exchange në të gjithë botën – duke përfshirë të paktën 30,000 entitete vetëm në Shtetet e Bashkuara – kërcënoi të gjymtonte bizneset e vogla dhe të mesme dhe agjencitë shtetërore dhe lokale të qeverisjes. Më pas, në pranverën e vitit 2021, një sulm ransomëare në gazsjellësin Colonial Pipeline nga një grup kriminal rus mbylli një nga tubacionet më të mëdha të karburantit në vend për gjashtë ditë.

Në këtë mes, Komanda Kibernetike i ofroi Tokios një ekip inteligjece kibernetikë për të ndihmuar në vlerësimin e shtrirjes së hakerimit dhe për të filluar pastrimin e rrjeteve të saj nga malëare kinezë. Ekipet e komandës për disa vite kanë ndihmuar partnerët në vende, përfshirë Ukrainën, Maqedoninë e Veriut dhe Lituani, të gërmojnë për ndërhyrje të huaja.

Por japonezët ishin të kujdesshëm.

“Ata nuk ishin aspak komodë që kishin ushtrinë e një vendi tjetër në rrjetet e tyre”, tha ish-zyrtari ushtarak.

Të dy palët dolën me një qasje kompromisi: japonezët do përdornin firmat tregtare vendase për të vlerësuar dobësitë dhe një ekip i përbashkët NSA/Komanda Kibernetike do rishikonte rezultatet dhe do jepte udhëzime si të mbylleshin boshllëqet.

Ndërkohë, stafi i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Tokios krijuan shkëmbime të rregullta teknike dhe telefonata video-konferencash për të mbajtur në krye të çështjes. Të njëjtën gjë bënë edhe zyrtarët e mbrojtjes në të dy kryeqytetet.

Me marrjen e detyrës, administrata Biden krijoi një pozicion të ri të sigurisë kibernetike dhe vendosi një zyrtar të lartë të NSA-së në këtë detyrë. Anne Neuberger ishte emëruar si zëvendës këshilltare e sigurisë kombëtare për kibernetikën dhe dinte për shkeljen kineze që po vinte.

Por për pjesën më të madhe të vitit të parë ajo ishte e zënë me SolarËinds, reeziqet kineze dhe ransomëare ruse, dhe një urdhër presidencial për të siguruar zinxhirin federal të furnizimit të softuerit.

Më pas, në vjeshtën e vitit 2021, Uashingtoni zbuloi informacione të freskëta që përforconin ashpërsinë e shkeljes së sistemeve mbrojtëse të Tokios nga ana e Kinës dhe se Japonia nuk po bënte shumë përparim në mbylljen e tij.

Një paralajmërim nga Uashingtoni

Atë nëntor, pavarësisht se Japonia ishte në bllokim pandemik, Neuberger dhe një pjesë e vogël e zyrtarëve të tjerë amerikanë fluturuan për në Tokio dhe u takuan me zyrtarë të lartë ushtarakë, inteligjente dhe diplomatike, sipas disa njerëzve me njohuri për udhëtimin.

Për të mbrojtur burimet dhe metodat sekrete, Neuberger nuk mund t’u tregonte në mënyrë të qartë japonezëve se si agjencitë e spiunazhit amerikan e dinin për rrezikun kinez. Ajo u përpoq në mënyrë të zhdrejtë për të siguruar Tokion se amerikanët nuk ishin në rrjetet e tyre, por dyshimet mbetën. Në fund të fundit, japonezët, si aleatët e tjerë, e dinin se Shtetet e Bashkuara spiunojnë partnerët.

Në vitin 2015, faqja e internetit ËikiLeaks zbuloi se NSA kishte spiunuar 35 objektiva në Japoni, duke përfshirë anëtarët e kabinetit dhe korporatën Mitsubishi. Biden, në atë kohë zv.president, thirri kryeministrin e atëhershëm Shinzo Abe për të kërkuar falje për telashet e shkaktuara.

Në çdo rast, Uashingtoni dhe Tokio nuk kishin histori të punës së bashku për të adresuar një kërcënim të ndjeshëm të inteligjencës.

“Ne po kërkonim një nivel të paprecedentë aksesi në sistemet e tyre,” tha një person i njohur me këtë çështje.

“Ne po u kërkonim atyre që ta çonin besimin e tyre tek ne në një nivel më të thellë se sa kishim më parë. Dhe natyrisht çdo vend sovran do të ishte i kujdesshëm për këtë.”

Në mënyrë të qëllimshme, të matur, Neuberger parashtroi atë që dinin Shtetet e Bashkuara. Ajo e bëri të qartë se Shtëpia e Bardhë mendonte se problemi duhej rregulluar.

“Ne nuk jemi këtu për të tundur zinxhirin,” tha një zyrtar i lartë i administratës, duke përshkruar qasjen. “Ne jemi këtu për të ndarë mësimet e fituara me vështirësi.”

Neuberger gjeti një partner në këshilltarin e sapoemëruar të Sigurisë Kombëtare të Japonisë, Takeo Akiba, i cili u fut në një burokraci të rrënjosur. Ata u ndihmuan nga fakti se Kishida ishte i prirur për të avancuar një fushatë të nisur nga Abe për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Japonisë. Tokio filloi të punojë në një strategji të re kibernetike, e cila synonte të rriste shpenzimet dhe personelin dhe të përafronte standardet e sigurisë kibernetike me standardet e SHBA dhe ndërkombëtare.

“Hapi i parë është të pranosh se ke një problem, dhe më pas, së dyti, të pranosh seriozitetin e problemit”, tha zyrtari i lartë i mbrojtjes amerikane.

Japonia themeloi një Komandë Kibernetike, e cila monitoron rrjetet “24/7”, tha një zyrtar japonez i mbrojtjes. Ajo ka prezantuar një program për të analizuar vazhdimisht rreziqet në të gjithë sistemet kompjuterike të ushtrisë. Tokio po rrit stërvitjen për sigurinë kibernetike dhe po planifikon të shpenzojë 7 miliardë dollarë gjatë pesë viteve për sigurinë kibernetike.

“Qeveria e Japonisë synon të forcojë aftësitë e saj të reagimit të sigurisë kibernetike për të qenë të barabartë ose të tejkalojë nivelin e vendeve kryesore perëndimore,” tha në një intervistë Noriyuki Shikata, sekretari i shtypit i kabinetit të Kishida.

Ky synim – së bashku me ‘mbrojtjen aktive kibernetike’, përfshihet në strategjinë e re të sigurisë kombëtare të Japonisë.

Të martën, pasi u publikua kjo histori, ministri japonez i Mbrojtjes Yasukazu Hamada tha se qeveria po i përgjigjet sulmeve kibernetike ‘nëpërmjet një sërë nismash’, megjithëse ai nuk pranoi të përshkruante ndonjë incident në hollësi.

“Ne nuk kemi konfirmuar që ndonjë informacion konfidencial i mbajtur nga Ministria e Mbrojtjes ka rrjedhur”, tha Hamada në një konferencë për shtyp.

“Nuk ka pasur asnjë incident të sulmeve kibernetike që kanë ndikuar në ekzekutimin e misioneve të SDF-së”.

’Parajsa e spiunëve’

Për vite përpara se Kina të hakeronte me guxim rrjetet e saj, Japonia shihej si një anije që fuste ujë. Gjatë Luftës së Ftohtë, operativët sovjetikë përdorën taktika të modës së vjetër, duke përfituar nga dobësitë e njerëzve për ushqim, pije, para dhe lojëra fati për të kultivuar gazetarë, politikanë dhe oficerë të inteligjencës japoneze.

“Ata mburreshin me vete se Japonia ishte “parajsa e spiunëve”, tha Richard Samuels, një shkencëtar politik në MIT, historia e të cilit për komunitetin e inteligjencës japoneze u botua vitin e kaluar.

Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, zyrtarët japonezë më në fund filluan të kuptojnë rëndësinë e shtrëngimit të qasjes në inteligjencë. Për një gjë, amerikanët po e merrnin parasysh. Një vit para 11 shtatorit, një raport i prodhuar nga një institut i financuar nga Pentagoni vuri në dukje se pavarësisht nga rëndësia e aleancës SHBA-Japoni, shkëmbimi i inteligjencës me Tokion ishte shumë më pak se ai me partnerët e NATO-s.

“Si brenda ashtu edhe përtej Azisë, Japonia përballet me kërcënime më të ndryshme dhe me përgjegjësi ndërkombëtare më të ndërlikuara, të cilat kërkojnë inteligjencë që ofron një kuptim më të mirë të nevojave të saj të sigurisë kombëtare”, thuhej në raport, i shkruar nga një grup studimi dypartiak që përfshin ekspertë të politikës së jashtme Richard Armitage dhe Joseph Nye.

Ai u kërkoi udhëheqësve japonezë të ndërtojnë mbështetje publike dhe politike për një ligj të ri për të mbrojtur informacionin e klasifikuar.

“Amerikanët nuk ishin të kënaqur me porozitetin ishte komuniteti i inteligjencës japoneze,” tha Samuels. “Ata bënë atë që do prisnit, që ishte të ndanin më pak inteligjencë. Në një kohë kur Japonia kishte nevojë për më shumë dhe inteligjencë më të mirë nga aleati i saj i fuqishëm, ajo nuk po merrte gjithçka që i nevojitej dhe iu tha se kjo ndodh për shkak se komuniteti juaj i inteligjencës fut ujë. Nëse e forconi atë, ne mund të kemi një shkëmbim më të plotë dhe më të fuqishëm.”

Një nga më persona më të hapur ndaj mesazhit ishte Abe, pasardhës i një familjeje të njohur politike dhe dy herë kryeministër. Abe, më shumë se çdo lider politik modern i Japonisë, hapi rrugën për reformën e sigurisë në Tokio.

Gjatë mandatit të tij të dytë si kryeministër në fillim të mesit të viteve 2010, ai shkaktoi ndryshime. Parlamenti miratoi një ligj për sekretet shtetërore që përcakton gjoba të ashpra për keqpërdorimin e dokumenteve dhe për rrjedhjen e informacionit. Abe krijoi një Këshill të Sigurisë Kombëtare, i modeluar pjesërisht sipas versionit të SHBA, për të këshilluar kryeministrin.

Aktivistët kundër luftës dhe të lirive civile protestuan kundër reformave, duke pretenduar se ato po cenonin të drejtat e privatësisë dhe shprehnin shqetësime për një shtet në zgjerim të sigurisë kombëtare. Por në vitin 2013, kur u miratua ligji, peizazhi gjeopolitik kishte ndryshuar. Publiku kishte parë se dekada të një përkushtimi nominal për vetëmbrojtje vetëm sa e kishin trimëruar Pekinin.

Kina iu përgjigj në mënyrë agresive nacionalizimit të ishujve Senkaku nga Japonia, duke përmbytur ujërat e ishujve me anije të Rojës Bregdetare dhe milici detare. Në Detin e Kinës Jugore, ajo po i kthente atolet e largëta në baza ushtarake, me sa duket brenda natës. Presidenti Xi Jinping kishte ardhur në pushtet, duke përshpejtuar një modernizim të gjerë ushtarak. Ndërkohë, Koreja e Veriut vazhdoi testet provokuese bërthamore.

Abe u vra në korrik 2022, por trashëgimia e tij vazhdon. Gjatë dekadës së fundit, qëndrimet ndaj Kinës janë ngurtësuar: sot, shumica e japonezëve e shohin qeverinë kineze në mënyrë të pafavorshme, ndërsa mbështetja për aleancën e SHBA-së është në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave.

“Rritja e bashkëpunimit dypalësh midis Japonisë dhe SHBA-së forcon mbrojtjen kibernetike të të dy kombeve,” tha Nakasone në një deklaratë për The Post. Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara për të ndihmuar Japoninë të përmirësojë aftësitë e saj kibernetike, tha ai, duke vënë në dukje se qëllimi është që të dy vendet të jenë në gjendje të sigurojnë “një rajon të sigurt dhe të sigurt në Indo-Paqësor”.

Lufta e ardhshme

Në dhjetor 2022, Chris Inglis, atëherë drejtori kombëtar kibernetik i Shtëpisë së Bardhë, fluturoi në Japoni për të folur me homologët. Një pjesë e misionit të tij ishte të ndante atë që qeveria e SHBA-së po bënte për të siguruar më mirë sistemet e veta, ndërsa ai ishte në mes të hartimit të një strategjie kombëtare të sigurisë kibernetike. Një shtyllë e asaj strategjie, e cila u publikua në mars, ishte forcimi i kapaciteteve partnere.

“Diskutimet e mia synonin të ishin mjaft pozitive për atë që mund të bënim së bashku, si mund të krijonim strategji kibernetike dhe strategji kombëtare që do të ishin plotësuese,” tha Inglis në një intervistë.

“Por ne duhet të sigurohemi që secili prej nesh të bëjë investimet e duhura në fondacionet e sigurisë kibernetike.”

Zyrtarët e administratës pranojnë se rrjetet amerikane nuk janë 100 për qind të sigurta. Gjatë dy dekadave të fundit, ka shumë raste të hakerave ruse, kineze, iraniane dhe koreano-veriore. Materialet e ndjeshme komerciale dhe të klasifikuara janë vjedhur, mjetet e hakerimit top-sekret të NSA-së janë lëshuar në rrjet, studiot e Hollivudit janë detyruar dhe vënë në siklet, dhe demokracia e Shteteve të Bashkuara është sulmuar.

“Sipërfaqja e sulmit”, siç e quajnë ekspertët e sigurisë kibernetike, është e gjerë.

Gjatë 20 viteve të fundit, çdo administratë e njëpasnjëshme e SHBA-së është përpjekur të bëjë më shumë për të përmirësuar sigurinë kibernetike amerikane. Organizata të reja janë krijuar në Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Departamentin e Mbrojtjes për t’u marrë me këtë çështje. Janë ndarë më shumë para. Autoritetet janë zgjeruar. Përpjekjet me sektorin privat, i cili zotëron dhe drejton shumicën e infrastrukturës kritike, janë rritur.

“Ne nuk mund t’i mbajmë japonezët në një standard që ne vetë nuk mund ta përmbushim,” tha zyrtari i mbrojtjes.

“Në fund të ditës, ne do e ndajmë informacion me ta,” shtoi personi.

“Ne thjesht duam të bëjmë më të mirën për t’i mbajtur kundërshtarët tanë jashtë.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani