Kancelari gjerman Olaf Scholz bëri thirrje të dielën për më shumë përpjekje diplomatike për të sjellë paqen në Ukrainë, pas një samiti për këtë çështje fundjavën e kaluar në Arabinë Saudite.
“Ka kuptim që ne të vazhdojmë këto bisedime sepse ato rrisin presionin ndaj Rusisë për të kuptuar se ka marrë rrugën e gabuar dhe se duhet të tërheqë trupat e saj dhe të bëjë të mundur paqen”, tha Scholz në intervistën e tij vjetore verore me transmetuesin publik gjerman, sipas DW.
Scholz tha se bisedimet e sigurisë në Jeddah ishin “shumë të rëndësishme”, por “vetëm fillimi, për fat të keq”.
Përfaqësues nga rreth 40 vende, përfshirë Kinën, Gjermaninë, Indinë dhe Shtetet e Bashkuara morën pjesë në mbledhjen e fundjavës së kaluar, megjithëse Rusia nuk ishte e ftuar.
Pas bisedimeve, Kievi tha se ishte “i kënaqur” me përgjigjen ndaj planit të tij të paqes prej 10 pikash, i cili përfshin tërheqjen e plotë të trupave ruse nga territori ukrainas.
Moska, ndërkohë, tha se një zgjidhje paqeje ishte e mundur vetëm nëse ushtria e Ukrainës dorëzon armët.
Në intervistën e tij në ZDF, Scholz e vlerësoi pjesëmarrjen e Kinës në bisedime si veçanërisht të rëndësishme, pasi Pekini është ndoshta partneri më i rëndësishëm ndërkombëtar i Rusisë dhe kishte anashkaluar një samit të mëparshëm ndërkombëtar në Kopenhagë në qershor.
Kancelari u pyet gjithashtu nëse Berlini do të pranonte të furnizonte Kievin me raketa lundrimi Taurus për mbrojtje kundër Rusisë, por ai mbeti i paangazhuar, duke nënkuptuar se Berlini do t’i përmbahej politikës së tij të matur ndaj mbështetjes ushtarake për Ukrainën.
“Si në të kaluarën, ne gjithmonë do të shqyrtojmë çdo vendim të vetëm me shumë kujdes, çfarë është e mundur, çfarë ka kuptim, cili mund të jetë kontributi ynë”, tha ai.
Kancelari përsëriti se Gjermania ishte tani furnizuesi i dytë më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën pas Shteteve të Bashkuara.