Vendosni fjalën kyçe....

Ministra i dhanë ofiqe Shtufit, përfshirë kullën, që Berisha të mos i sulmojë


Nga Mero Baze

Debati për kullën në qendër të Tiranës, nuk do ishte kaq i fortë, sikur palët të mos kishin reaguar kështu si reaguan. Të gjitha argumentet e tyre dhe gjithë mënyra se si debatoi qeveria dhe Berisha, ishin ato që krijuan bindjen se brenda kësaj historie ka një gjë që i bashkon.

Argumenti i parë se kur kulla u miratua nuk pati zhurmë është më i dobëti i gjithë argumenteve. Qysh kur u miratua pati zëra që e thanë këtë, por nuk pati zhurmë se as qeveria as Berisha nuk reaguan i injoruan madje e kontrolluan heshtjen mbi këtë debat. Dhe patën sukses.

Tani debati nuk ngjiti se folën disa gazetarë apo politikanë. Debati tani ngjiti pikërisht se pati zhurmë nga autorët. Pati reagim nga qeveria që shfajësonte berishët si pronarë dhe pati reagim nga berishët që shfajësonin qeverinë për lejen.

Pra argumenti pse nuk pati zhurmë në mars por në gusht, lidhet me autorët e paktit. Atëherë patën pakt të heshtnin, tani me sa duket i lëshuan nervat dhe filluan të mbrojnë nëjri tjetrin. Pa e bërë këtë, askush nuk do të bindej se kanë diçka mes tyre.

Ndaj argumenti që nuk pati zhurmë në mars, nuk është pro tyre. Përkundrazi është më i keqi kundër tyre, pasi tregon se ka pasur pakt për heshtjen dhe sapo debati u hap, instiktivisht filluan për të mbrojt njëri-tjetrin.

Argumenti se debatin e kanë nxitur njerëz ziliqarë, hakmarrës gjobaxhinj, gozhda të vjetra urrejtjeje, e ku di unë ça tjetër, nuk është ndonjë alibi.

E zëmë se të gjithë ata që kanë folur për kullën janë ziliqarë, hakmarrës, gjobaxhinj e çfarë të duan dy palët.

Puna është a ka pakt a nuk ka pakt.

Dhe pakti është që grupi i investitorëve që janë rrethi i Berishës, ka dhënë garanci se nuk do debat për kullën. Tani nëse nuk është e vërtet që ka pakt, nëse gjithçka është shpifje, trillim, hakmarrje, gjobë e çfarëdo gjë tjetër, nuk e kuptoj gjithë këtë shqetësim si nga qeveria si nga berishët. Pse duhet të shqetësohen për një gjë që nuk është e vërtetë.

Po të mos ishin shqetësuar ata, nuk do ishte bërë kaq e madhe. Dhe mbi të gjitha, këto janë palë me shumë pushtet në Shqipëri dhe nuk kanë si bëhen kaq nervozë nga një gënjeshtër e thënë nga sharlatanë gjobaxhinjë, hakmarrës, siç thonë se janë këta njerëzit që kanë ngritur shqetësimin.

Në opinion nuk ka zënë shumë vend çfarë kanë akuzuar këta që fyejnë autorët e paktit, por shqetësimi i tyre. Dhe ata nuk para shqetësohen kollaj nga akuza të gënjeshtërta. Përkundrazi argëtohen me to.

Së fundmi argumenti që këtë kullën po e ndërton një njeri që quhet Ilir Shtufi, dhe jo Shkëlzeni me emër të vet, e bën akoma më qesharak debatin.

Po të shikosh historinë e biznesit të Ilir Shtufit këto vite pushteti socialistësh shikon se ai është 20 fishuar, pikërisht përmes paktit që u ka ofruar disa ministrave socialistë, të tipit më jep leje për parqe fotovoltaike se nuk do të sulmoj Berisha në Kuvend, më jep tenderë rindërtimi se nuk do të sulmoj Berisha në parlament, më jep jep leje ndërtimi se nuk do të sulmojë shtypi i Berishës e kështu me radhë. Dhe Kulla këtë pazar ka. Ai thjesht u ka gjetur socialistëve dhuratën që ata kanë nevojë të mos i shqetësoj njeri në punët e tyre.

Pikërisht ky mekanizëm paqeje me berishët është problemi. Pastaj si i ndanë katet e kullës Shtufi, kë fut nënkontraktorë e si përfundon është tjetër plan biznesi. Atë mund ta verifikojmë gjatë rrugës.

Atë që mund të verifikojmë tani, është se shumë ministra dhe ofiqarë të lartë socialistë, kanë preferuar të kenë partnere në biznese që ka nevojë për licenca një njeri të Berishës pasi e kanë më kollaj me të si për të qenë të pa përfolur ashtu dhe për të marrë ndonjë pjesë të tyre.

Një biznesmen i afërt me PS, apo krejt i pavarur, nuk është aq i pëlqyer nga ministrat socialistë se as i marrin dot gjë, as kanë garanci se nuk përfliten. Ndaj “emërohen’ biznesmenë” tipa si Shtufi, që shërbejnë dhe për të blerë qetësinë. Ky është i vetmi talent i Shtufit. Të tjerat janë plan biznesi i qeveritarëve të PS me berishët. Pa qenë nevoja të ulen e të bëjnë pazar.

Madje në fund debati degradoi aq shumë nga dashuria e palëve për njëra-tjetrën sa të dy palët po përpiqeshin t’i gjenin armiq të brendshëm te pala tjetër. Këta të Saliut u përpoqën të gjejnë si armik Erion Veliaj, kurse këta të PS t’i kujtonin Saliut, Lulin si bukëshkalë.

Në fakt asnjë as tjetri, nuk kanë asnjë përgjegjësi në këtë histori. Veliaj si gjithë ministrat e tjerë socialist kanë “respektuar” Shtufin si biznesmenë të emëruar konsesual, ndërsa Luli, i cili po ashtu deri më 2021 e ka pas Shtufin në oborr të vet, herë si shok të Gridës e Salianjit, herë si mik të Zenit e herë si të partisë, thjesht e di kush është Shtufi dhe nuk mund të bëjë si budalla të besojë që s’ka lidhje me Berishën.

Ndaj në këtë debat nuk kanë asnjë rol apo meritë denoncuesit. As unë, as kolegët e mij, as Qorri as Luli askush tjetër.

Të vetmit që kanë merita për këtë debat janë autorët e paktit. Mënyra si u shqetësuan mënyra si u mbrojtën dhe mbi të gjitha mënyra se si përpiqen ti gjejnë armiqtë në këtë histori, tregon që një gjë e kanë të përbashkët. Dhe ai është Shtufi.

Por kujdes se Shtufi është një lloj shkëmbi i butë me rërë të ngjeshur, i cili nuk mban dot kullë sipër vetes. Ndihmojeni ta mbaj!

*Titulli original i shkrimit: Të vetmit, që nuk kanë merita në debatin për kullën, janë denoncuesit

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Gazetatema