Vendosni fjalën kyçe....

50 kg kokainë në kontenierin e karkalecave në portin e Livornos, arrestohet transportuesi 23-vjeçar shqiptar


Rreth 50 kilogramë kokainë, në vlerën e 35 milionë eurove janë gjetur në një konteiner me karkaleca të ngrirë që vinte nga Ekuadori.Në pranga ka rënë një 23-vjeçar shqiptar, i cili dyshohet të kishte rolin e transportuesit.

Trafikantët e drogës duket se kanë nisur të ndryshojnë mënyrat për të sjellë drogën nga vendet e origjinës në portet europiane.

Rasti më i fundit është zbuluar në Portin e Livornos, ku në një konteiner me karkaleca të ngrirë ishte fshehur kokainë e pastër me vlerë 35 milionë euro, e cila do të përfundonte në Toskana.

Sipas mediave italiane, në pranga ka rënë 23-vjeçari shqiptar, Islam Kurti.I riu kishte hyrë në zonën doganore natën, mes të premtes së kaluar dhe të shtunës për të marrë kokainën dhe për t’ua dorëzuar atyre që e kishin porositur nga Amerika e Jugut.

Mendohet se ai kishte rënë dakord që të merrte drogën, për t’u paguar më pas një mijë euro për kilogram, por misioni i tij i pamundur përfundoi në burg.

Kokaina ishte e paketuar në 45 pako: në pako celofani me simbol “Audi” dhe “RS 6”. Shpesh kjo gjuhë e koduar përdoret për të treguar se kush do t’i marrë pakot.

Megjithatë, muajt e fundit, organizata kriminale kishte zgjedhur dërgesa me banane në të cilat fshihte substancën, e kësaj here duket se tentoi të ndryshonte taktikë, por nuk ia doli.