Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Veliaj përgjegjës për vjedhjen e krimin në inceneratorin e Tiranës


Kreu i Rithemelimit të PD-së Berisha deklaroi sot se kryebashkiaku i Tiranës Veliaj është përgjegjës për inceneratorin e Tiranës.

Në një komunikim me gazetarët ai citoi intervistën e Veliajt në Report TV për çështjen në fjalë duke theksuar se ndryshe nga sa tha kryebashkiaku i Tiranës, nuk bëhet fjalë për gabim po për krime e vepra penale për atë që ka ndodhur atje.

Kreu i rithemelimit tha se SPAK ka lëshuar dhjetëra urdhërarreste për inceneratorët ndërsa për këtë aferë janë në burg ish-ministra e ish-deputetë e janë në kërkim të tjerë.

“Kryetari i bashkisë me mandat të vjedhur Erion Veliaj pasi u fsheh disa ditë në malin e shpifjeve që ngriti me gjobëvënësit e tij për Malin e Tiranës në intervistën te Bolinua për vjedhjen e shekullit deklaroi se bashkia ka zbatuar ligjin e respektuar procedurat. Nëse në këtë proces dikush ka bërë gabime, theksoi Veliaj, të mbajë përgjegjësi një për një. Por di të them se bashkia e Tiranës është treguar korrekte. Javën e kaluar ju njoftova se Veliaj dhe SPAK-u i partisë duan të paraqesin Erionin viktimë të pronarëve në letra dhe vetëm në letra Zoto dhe Mërtiri. Sot do ndalem vetëm në deklaratën e tij se nëse dikush ka bërë gabime të mbajë përgjegjësi një për një.

Sipas Veliajt vjedhja e shekullit nuk është vepër penale, nuk është krim i shëmtuar, por vetëm gabim. Me këtë rast i themi Veliajt se përgjegjësit numër një për vjedhjen e shekullit se nuk bëhet fjalë për gabime, por vepra penale dhe krime, ndaj dhe Prokuroria e Posaçme ka lëshuar një numër urdhërarrestesh dhe gjykata ka burgosur zyrtarë e të tjerë. Nuk është gabim, por krim i Veliajt kalimi i mbetjeve në praktikën me djegie, e cila sipas KLSH-së është dy herë më e kushtueshme se e para. Është krim i Veliajt, zëvendësim i procedurës së djegësit të Elbasanit dhe Fierit me tender publik me procedurën e dhënies me koncesion ose PPP i cili e detyron koncesionarin t’i paguajë Veliajt”, deklaroi Berisha.