“Të gjitha do falen,” tha një diplomat amerikan, nëse votimi i mosbesimit ndaj kryeministrit pakistanez Imran Khan ka sukses.
Departamenti i Shtetit të SHBA-së nxiti qeverinë pakistaneze në një takim më 7 mars 2022, për të hequr Imran Khan si kryeministër për asnjanësinë e tij ndaj pushtimin rus të Ukrainës, sipas një dokumenti të klasifikuar të qeverisë pakistaneze të marrë nga The Intercept.
Takimi, ndërmjet ambasadorit pakistanez në Shtetet e Bashkuara dhe dy zyrtarëve të Departamentit të Shtetit, ka qenë subjekt i një shqyrtimi intensiv, polemikash dhe spekulimesh në Pakistan gjatë një viti e gjysmë së fundmis, ndërsa mbështetësit e Khan dhe kundërshtarët e tij ushtarakë dhe civilë përplaseshin për pushtet.
Lufta politike u përshkallëzua më 5 gusht kur Khan u dënua me tre vjet burg me akuza për korrupsion dhe u arrestua për herë të dytë që nga rrëzimi i tij. Mbrojtësit e Khan i hedhin poshtë akuzat si të pabaza. Dënimi gjithashtu bllokon Khan, politikanin më të njohur të Pakistanit, nga konkurrimi në zgjedhjet që priten në Pakistan më vonë këtë vit.
Një muaj pas takimit me zyrtarët amerikanë të dokumentuar në dokumentin e zbuluar të qeverisë pakistaneze, në Parlament u mbajt një votim mosbesimi, që çoi në largimin e Khan nga pushteti. Votimi besohet të jetë organizuar me mbështetjen e ushtrisë së fuqishme të Pakistanit. Që nga ajo kohë, Khan dhe mbështetësit e tij kanë qenë të angazhuar në një luftë me ushtrinë dhe aleatët e saj civilë, për të cilët Khan pretendon se projektuan largimin e tij nga pushteti me kërkesë të SHBA-së.
Teksti i kabllogramit pakistanez, i prodhuar nga takimi nga ambasadori dhe i transmetuar në Pakistan, nuk është publikuar më parë. Kabllogrami, e njohur nga brenda si ‘shifer’, zbulon si premtimet ashtu edhe karcënimet që Departamenti i Shtetit vendosi në shtytjen e tij kundër Khan, duke premtuar marrëdhënie më të ngrohta nëse Khan hiqej dhe izolim nëse nuk do hiqej.
Dokumenti, i emërtuar “Sekret”, përfshin një rrëfim të takimit midis zyrtarëve të Departamentit të Shtetit, duke përfshirë Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Byronë e Çështjeve të Azisë Jugore dhe Qendrore, Donald Lu, dhe Asad Majeed Khan, i cili në atë kohë ishte ambasador i Pakistanit në SHBA
Dokumenti iu dha The Intercept nga një burim anonim në ushtrinë pakistaneze, i cili tha se ata nuk kishin lidhje me Imran Khan ose partinë e Khan. Intercept ka publikuar thelbin e kabllogramit, duke korrigjuar gabime të vogla shkrimi në tekst, sepse hollësitë mund të përdoren për të shënuar dokumente dhe për të gjurmuar shpërndarjen e tyre.
Përmbajtja e dokumentit të marrë nga The Intercept është në përputhje me raportimin në gazetën pakistaneze Daën dhe gjetkë që përshkruan rrethanat e takimit dhe hollësitë e vetë kabllogramit, duke përfshirë shenjat e klasifikimit të hequra nga prezantimi i The Intercept. Dinamika e marrëdhënieve midis Pakistanit dhe SHBA-së, e përshkruar në kabllogram, u vërtetua më pas nga ngjarjet. Në kabllogram, SHBA-të kundërshtojnë politikën e jashtme të Khanit për luftën në Ukrainë. Këto qëndrime u përmbysën shpejt pas largimit të tij, gjë që u pasua, siç u premtua në takim, nga një ngrohje midis SHBA-së dhe Pakistanit.
Takimi diplomatik erdhi dy javë pas pushtimit rus të Ukrainës, i cili filloi teksa Khan po udhëtonte për në Moskë, një vizitë që tërboi Uashingtonin.
Më 2 mars, vetëm disa ditë para takimit, Lu ishte marrë në pyetje në një seancë dëgjimore të Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit mbi asnjanësinë e Indisë, Sri Lankës dhe Pakistanit në konfliktin në Ukrainë. Në përgjigje të një pyetjeje nga senatori Chris Van Hollen, D-Md., në lidhje me një vendim të fundit të Pakistanit për të abstenuar nga një rezolutë e Kombeve të Bashkuara që dënon rolin e Rusisë në konflikt, Lu tha: “Kryeministri Khan ka vizituar së fundmi Moskën dhe kështu që unë mendoj se ne po përpiqemi të kuptojmë se si të angazhohemi konkretisht me Kryeministrin pas këtij vendimi.”
Van Hollen dukej i indinjuar që zyrtarët e Departamentit të Shtetit nuk ishin në komunikim me Khan për këtë çështje.
Një ditë para takimit, Khan iu drejtua një tubimi dhe iu përgjigj drejtpërdrejt thirrjeve evropiane që Pakistani të rreështohet me Ukrainën.
“A jemi ne robërit tuaj?”, thërriti Khan para turmës.
“Çfarë mendoni për ne? Se ne jemi robërit tuaj dhe se do bëjmë çfarëdo që të kërkoni prej nesh?” pyeti ai.
“Ne jemi miq të Rusisë dhe jemi gjithashtu miq të Shteteve të Bashkuara. Ne jemi miq të Kinës dhe Evropës. Ne nuk jemi pjesë e asnjë aleance”.
Në takim, sipas dokumentit, Lu foli drejtpërdrejt për pakënaqësinë e Uashingtonit me qëndrimin e Pakistanit në konflikt. Dokumenti citon Lu duke thënë se “njerëzit këtu dhe në Evropë janë mjaft të shqetësuar se pse Pakistani po merr një pozicion kaq asnjanës (për Ukrainën) në mënyrë agresive, nëse një pozicion i tillë është edhe i mundur. Nuk na duket një qëndrim kaq asnjanës’.
Lu shtoi se kishte zhvilluar diskutime të brendshme me Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së dhe se “duket mjaft e qartë se kjo është politika e kryeministrit”.
Lu më pas ngre troç çështjen e mosbesimit: “Mendoj se nëse vota e mosbesimit ndaj kryeministrit do të ketë sukses, të gjitha do të falen në Uashington sepse vizita në Rusi po shihet si një vendim i kryeministrit.”, tha Lu, sipas dokumentit.
“Përndryshe,” vazhdoi ai, “Unë mendoj se do të jetë e vështirë të ecësh përpara.”
Lu paralajmëroi se nëse situata nuk zgjidhej, Pakistani do margjinalizohej nga aleatët e tij perëndimorë. “Nuk mund të them se si do shihet kjo nga Evropa, por dyshoj se reagimi i tyre do të jetë i ngjashëm,” tha Lu, duke shtuar se Khan mund të përballet me “izolim” nga Evropa dhe SHBA nëse ai qëndron në detyrë.
I pyetur në lidhje me citimet nga Lu në kabllogramin pakistanez, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mattheë Miller tha, “Asgjë në këto komente të supozuara nuk tregon se Shtetet e Bashkuara marrin një pozicion se kush duhet të jetë lideri i Pakistanit.”
Miller tha se nuk do komentonte mbi diskutimet private diplomatike.
Ambasadori pakistanez u përgjigj duke shprehur zhgënjimin për mungesën e angazhimit nga lidershipi amerikan: “Ky ngurrim kishte krijuar një perceptim në Pakistan se ne po injoroheshim apo edhe po merreshim si të mirëqenë. Kishte gjithashtu një ndjenjë se ndërsa SHBA-ja priste mbështetjen e Pakistanit për të gjitha çështjet që ishin të rëndësishme për SHBA-në, ajo nuk iu përgjigj.”
Diskutimi përfundoi, sipas dokumentit, me ambasadorin pakistanez duke shprehur shpresën e tij se çështja e luftës Rusi-Ukrainë nuk do ‘ndikojë në lidhjet tona dypalëshe’.
Lu i tha atij se dëmi ishte i vërtetë, por jo fatal, dhe me largimin e Khan, marrëdhënia mund të kthehej në normalitet.
“Unë do argumentoja se tashmë ka një dëmtim në marrëdhëniet nga këndvështrimi ynë,” tha Lu, duke ngritur përsëri ‘gjendjen politike’ në Pakistan.
“Le të presim disa ditë për të parë nëse gjendja politike do ndryshojë, gjë që do të thoshte se nuk do kishim një mosmarrëveshje të madhe për këtë çështje dhe gropa do mbyllej shumë shpejt. Përndryshe, ne do duhet të përballemi me këtë çështje dhe të vendosim se si ta menaxhojmë atë.”
Një ditë pas takimit, më 8 mars, kundërshtarët e Khan në Parlament shkuan përpara me një hap kyç procedural drejt votimit të mosbesimit.
“Fati i Khan nuk ishte i vulosur në kohën kur u zhvillua ky takim, por pozita e tij ishte ie dobët”, tha Arif Rafiq, një studiues jorezident në Institutin e Lindjes së Mesme dhe specialist për Pakistanin.
“Ajo që ju keni këtu është që administrata Biden t’u dërgojë një mesazh njerëzve që ata i shihnin si sundimtarët e vërtetë të Pakistanit, duke u sinjalizuar atyre se gjërat do të përmirësohen nëse ai largohet nga pushteti.”
Intercept ka bërë përpjekje të gjera për të vërtetuar dokumentin. Duke pasur parasysh klimën e sigurisë në Pakistan, konfirmimi i pavarur nga burime në qeverinë pakistaneze nuk ishte i mundur. Ambasada e Pakistanit në Uashington, DC, nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Miller, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, tha: “Ne kishim shprehur shqetësimin për vizitën e kryeministrit të atëhershëm Khan në Moskë në ditën e pushtimit rus të Ukrainës dhe e kemi komunikuar këtë kundërshtim publikisht dhe privatisht.”
Ai shtoi se ‘pretendimet se Shtetet e Bashkuara kanë ndërhyrë në vendimet e brendshme për udhëheqjen e Pakistanit janë të rreme. Ato kanë qenë gjithmonë false dhe vazhdojnë të jenë’.
Mohimi amerikan
Departamenti i Shtetit ka mohuar më parë dhe në raste të përsëritura se Lu i ka kërkuar qeverisë pakistaneze të largojë kryeministrin. Më 8 prill 2022, pasi Khan pretendoi se kishte një kabllogram që vërtetonte pretendimin e tij për ndërhyrjen e SHBA-së, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jalina Porter u pyet për vërtetësinë e tij.
“Më lejoni të them troç se nuk ka absolutisht asnjë të vërtetë në këto akuza,” tha Porter.
Në fillim të qershorit 2023, Khan u ul për një intervistë me The Intercept dhe përsëriti pretendimin. Departamenti i Shtetit në atë kohë iu referua mohimeve të mëparshme në përgjigje të një kërkese për koment.
Khan nuk u tërhoq dhe Departamenti i Shtetit e mohoi përsëri akuzën gjatë muajit qershor dhe korrik, të paktën tre herë në konferenca për shtyp dhe përsëri në një fjalim nga një zëvendës ndihmës-Sekretar i Shtetit për Pakistanin, i cili iu referua pretendimeve si ‘propagandë, dezinformata dhe mashtrim’.
Në rastin e fundit, Miller, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, e përqeshi pyetjen.
“Ndjehem sikur më duhet të sjell vetëm një shenjë që mund të rezistoj në përgjigje të kësaj pyetjeje dhe të them se ai pretendim nuk është i vërtetë,” tha Miller, duke qeshur dhe duke tërhequr shaka nga shtypi.
“Nuk e di sa herë mund ta them. Shtetet e Bashkuara nuk kanë një qëndrim për një kandidat apo parti politike kundrejt një tjetri në Pakistan apo ndonjë vend tjetër.”
Ndërsa drama mbi kabllogramin u shfaq në publik dhe në shtyp, ushtria pakistaneze nisi një sulm ndaj shoqërisë civile pakistaneze për të heshtur çdo mospajtim dhe shprehje të lirë që kishte ekzistuar më parë në vend.
Në muajt e fundit, qeveria e udhëhequr nga ushtria goditi jo vetëm disidentët, por edhe ata të dyshuar brenda institucioneve të saj, duke miratuar një ligj javën e kaluar që autorizon kërkime pa urdhër dhe dënime të gjata me burg për sinjalizuesit. E tronditur nga shfaqja publike e mbështetjes për Khan – e shprehur në një seri protestash dhe trazirash masive këtë maj – ushtria ka forcuar gjithashtu fuqi autoritare për veten e saj që pakësojnë në mënyrë drastike liritë civile, kriminalizojnë kritikat ndaj ushtrisë, zgjerojnë rolin tashmë të zgjeruar të institucionit në ekonominë e vendit dhe t’u japë udhëheqësve ushtarakë një veto të përhershme mbi çështjet politike dhe civile.
Këto sulme gjithëpërfshirëse ndaj demokracisë kaluan kryesisht pa u vërejtur nga zyrtarët amerikanë. Në fund të korrikut, kreu i Komandës Qendrore të SHBA, gjenerali Michael Kurilla, vizitoi Pakistanin, më pas lëshoi një deklaratë duke thënë se vizita e tij ishte përqendruar në ‘forcimin e marrëdhënieve ushtarake’, duke mos përmendur gjendjen politike në vend. Këtë verë, Kongresmeni demokrat Greg Casar, u përpoq të shtonte një masë në Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare që udhëzon Departamentin e Shtetit të shqyrtojë rikthimin e demokracisë në Pakistan, por atij iu mohua një votim në Kongres.
Në një konferencë për shtyp të hënën, në përgjigje të një pyetjeje nëse Khan kishte një gjykim të drejtë, Miller, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, tha: “Ne besojmë se kjo është një çështje e brendshme për Pakistanin.”
Kaosi politik
Largimi i Khan nga pushteti pas përplasjes me ushtrinë pakistaneze, i njëjti institucion që besohet se mundësoi ngritjen e tij politike, e ka futur kombin prej 230 milionë banorësh në trazira politike dhe ekonomike. Protestat kundër shkarkimit të Khan dhe shtypjes së partisë së tij kanë përfshirë vendin dhe kanë paralizuar institucionet e tij, ndërsa liderët e Pakistanit luftojnë për t’u përballur me një krizë ekonomike të shkaktuar pjesërisht nga ndikimi i pushtimit rus të Ukrainës në çmimet globale të energjisë. Kaosi aktual ka çuar në norma marramendëse të inflacionit dhe largimit të kapitalit nga vendi.
Përveç përkeqësimit të gjendjes për qytetarët e zakonshëm, një regjim censurimi ekstrem është vendosur gjithashtu në drejtimin e ushtrisë pakistaneze, me mediat e ndaluara në mënyrë efektive që të përmendin edhe emrin e Khan, siç raportoi më parë The Intercept. Mijëra anëtarë të shoqërisë civile, kryesisht mbështetës të Khan, janë arrestuar nga ushtria, një goditje që u intensifikua pasi Khan u arrestua në fillim të këtij viti dhe u mbajt në paraburgim për katër ditë, duke shkaktuar protesta mbarëkombëtare. Kanë dalë raporte të besueshme për torturat nga forcat e sigurisë, me raportime për disa vdekje në paraburgim.
Goditja ndaj shtypit dikur të shfrenuar të Pakistanit ka marrë një kthesë veçanërisht të errët. Arshad Sharif, një gazetar i shquar pakistanez i cili u largua nga vendi, u qëllua për vdekje në Nairobi tetorin e kaluar në rrethana që mbeten të diskutueshme. Një gazetar tjetër i njohur, Imran Riaz Khan, u arrestua nga forcat e sigurisë në një aeroport këtë maj dhe që atëherë nuk është parë më. Të dy kishin raportuar për kabllogramin sekret, i cili ka marrë status thuajse mitik në Pakistan, dhe kishin qenë në mesin e një grushti gazetarësh të informuar mbi përmbajtjen e tij përpara rrëzimit të Khan. Këto sulme ndaj shtypit kanë krijuar një klimë frike që e ka bërë të pamundur raportimin mbi dokumentin nga gazetarët dhe institucionet brenda Pakistanit.
Nëntorin e kaluar, vetë Khan iu nënshtrua një atentati kur u qëllua në një tubim politik, në një sulm që e plagosi dhe vrau një nga mbështetësit e tij. Burgimi i tij është parë gjerësisht brenda Pakistanit, duke përfshirë edhe shumë kritikë të qeverisë së tij, si një përpjekje e ushtrisë për të ndaluar partinë e tij të kontestojë zgjedhjet e ardhshme. Sondazhet tregojnë se po të lejohej të merrte pjesë në votim, Khan ka të ngjarë të fitonte.
“Khan u dënua për akuza të dobëta pas një gjyqi ku mbrojtja e tij nuk u lejua as të nxirrte dëshmitarë. Ai i kishte mbijetuar më parë një atentati, kishte vrarë një gazetar të lidhur me të dhe kishte parë mijëra mbështetës të tij të burgosur. Ndërsa administrata Biden ka thënë se të drejtat e njeriut do të jenë në ballë të politikës së tyre të jashtme, ata tani po shikojnë larg ndërsa Pakistani po shkon drejt bërjes së një diktature ushtarake të plotë”, tha Rafiq, studiues i Institutit të Lindjes së Mesme.
“Kjo ka të bëjë përfundimisht me përdorimin e forcave të jashtme nga ushtria pakistaneze si një mjet për të ruajtur hegjemoninë e tyre mbi vendin. Sa herë që ka një rivalitet të madh gjeopolitik, qoftë Lufta e Ftohtë, apo lufta kundër terrorit, ata dinë të manipulojnë SHBA-në në favor të tyre.”
Referencat e përsëritura të Khan për vetë kabllogramin kanë kontribuar në problemet e tij ligjore, me prokurorët që kanë nisur një hetim të veçantë nëse ai ka shkelur ligjet e sekreteve shtetërore duke e diskutuar atë.
Demokracia dhe Ushtria
Për vite të tëra, marrëdhënia e patronazhit të qeverisë së SHBA me ushtrinë pakistaneze, e cila ka vepruar prej kohësh si ndërmjetësi i vërtetë i pushtetit në politikën e vendit, është parë nga shumë pakistanezë si një pengesë e padepërtueshme për aftësinë e vendit për të rritur ekonominë e tij, për të luftuar korrupsionin endemik dhe të ndjekë një politikë të jashtme konstruktive. Ndjenja se Pakistanit i ka munguar pavarësia kuptimplote për shkak të kësaj marrëdhënieje – e cila, megjithë kurthet e demokracisë, e ka bërë ushtrinë një forcë të paprekshme në politikën e brendshme – e bën akuzën për përfshirjen e SHBA-së në largimin e një kryeministri popullor edhe më nxitës.
Burimi i Intercept, i cili kishte qasje në dokument si pjesëtar i ushtrisë, foli për zhgënjimin e tyre në rritje me udhëheqjen ushtarake të vendit, ndikimin në moralin e ushtrisë pas përfshirjes së saj në luftën politike kundër Khan, shfrytëzimin e kujtesës së pjesëtarë të vdekur të shërbimit për qëllime politike në propagandën e fundit ushtarake dhe zhgënjimin e gjerë publik me forcat e armatosura në mes të goditjes. Ata besojnë se ushtria po e shtyn Pakistanin drejt një krize të ngjashme me atë të vitit 1971 që çoi në shkëputjen e Bangladeshit.
Burimi shtoi se ata shpresonin se dokumenti i zbuluar më në fund do të konfirmonte atë që njerëzit e zakonshëm, si dhe grada e forcave të armatosura, kishin dyshuar prej kohësh për ushtrinë pakistaneze.
Këtë qershor, mes goditjes nga ushtria ndaj partisë politike të Khan, ish-burokrati kryesor i Khan, sekretari Azam Khan, u arrestua dhe u ndalua për një muaj. Ndërsa ishte në paraburgim, Azam Khan thuhet se lëshoi një deklaratë të regjistruar para një anëtari të gjyqësorit duke thënë se kabllogrami ishte i vërtetë, por se ish-kryeministri e kishte ekzagjeruar përmbajtjen e tij për përfitime politike.
Një muaj pas takimit të përshkruar në kabllogram, dhe vetëm disa ditë para se Khan të hiqej nga detyra, shefi i atëhershëm i ushtrisë pakistaneze Qamar Bajëa theu publikisht asnjanësinë e Khan dhe mbajti një fjalim duke e quajtur pushtimin rus një “tragjedi të madhe” dhe duke kritikuar Rusinë. Vërejtjet e përputhën pamjen publike me vëzhgimin privat të Lu, të regjistruar në kabllogram, se asnjanësia ei Pakistanit ishte politika e Khanit, por jo e ushtrisë.
Politika e jashtme e Pakistanit ka ndryshuar ndjeshëm që nga largimi i Khan, me Pakistanin që anon më qartë drejt palës amerikane dhe evropiane në konfliktin e Ukrainës. Duke braktisur qëndrimin e tij të asnjanësisë, Pakistani tani është shfaqur si furnizues i armëve për ushtrinë ukrainase; Imazhet e predhave dhe municioneve të prodhuara nga Pakistani shfaqen rregullisht në pamjet e fushëbetejës. Në një intervistë në fillim të këtij viti, një zyrtar i Bashkimit Evropian konfirmoi mbështetjen ushtarake pakistaneze për Ukrainën. Ndërkohë, ministri i jashtëm i Ukrainës udhëtoi në Pakistan këtë korrik në një vizitë që supozohet gjerësisht se ka të bëjë me bashkëpunimin ushtarak, por e përshkruar publikisht si përqendruar në tregti, arsim dhe çështje mjedisore.
Ky riorganizim drejt SHBA-së duket se i ofron dividentë ushtrisë pakistaneze. Më 3 gusht, një gazetë pakistaneze raportoi se Parlamenti kishte miratuar nënshkrimin e një pakti të mbrojtjes me SHBA-në që mbulonte “stërvitje të përbashkëta, operacione, baza dhe pajisje”. Marrëveshja kishte për qëllim të zëvendësonte një marrëveshje të mëparshme 15-vjeçare midis dy vendeve që skadon në vitin 2020.
“Vlerësimi” pakistanez
Komentet e prera të Lu mbi politikën e brendshme të brendshme të Pakistanit ngritën alarmin në anën pakistaneze. Në një seksion të shkurtër “vlerësimi” në fund të raportit, dokumenti thotë: “Doni nuk mund të kishte përcjellë një demarsh kaq të fortë pa miratimin e shprehur të Shtëpisë së Bardhë, të cilës ai iu referua vazhdimisht. Është e qartë se Don foli jashtë radhës për procesin e brendshëm politik të Pakistanit. Kablloja përfundon me një rekomandim “për të reflektuar seriozisht për këtë dhe për të konsideruar bërjen e një demarshi të duhur ndaj Cd’A a.i të SHBA në Islamabad” – një referencë për të ngarkuarin me punë të përkohshme, efektivisht ushtruesin e detyrës së kreut të një misioni diplomatik kur ai drejtuesi i akredituar mungon. Një protestë diplomatike u lëshua më vonë nga qeveria e Khan.
Më 27 mars 2022, në të njëjtin muaj me takimin e Lu, Khan foli publikisht për kabllon, duke tundur një kopje të palosur të tij në ajër në një tubim. Ai gjithashtu raportohet se informoi një takim të sigurisë kombëtare me krerët e agjencive të ndryshme të sigurisë të Pakistanit për përmbajtjen e tij.
Nuk është e qartë se çfarë ndodhi në komunikimet Pakistan-SHBA gjatë javëve që pasuan takimin u raportuan në kabllogram. Megjithatë, në muajin vijues, erërat politike ishin zhvendosur. Më 10 prill, Khan u rrëzua në një votë mosbesimi.
Kryeministri i ri, Shehbaz Sharif, konfirmoi përfundimisht ekzistencën e kabllogramit dhe pranoi se disa nga mesazhet e përcjella nga Lu ishin të papërshtatshme. Ai ka thënë se Pakistani ishte ankuar zyrtarisht, por paralajmëroi se kabllogrami nuk konfirmonte pretendimet më të gjera të Khan.
Khan ka sugjeruar vazhdimisht në publik se kabllogrami top-sekret tregonte se SHBA-ja kishte drejtuar largimin e tij nga pushteti, por më pas rishikoi vlerësimin e tij ndërsa i kërkoi SHBA-së të dënonte abuzimet e të drejtave të njeriut kundër mbështetësve të tij. Shtetet e Bashkuara, tha ai për The Intercept në një intervistë në qershor, mund të kenë kërkuar rrëzimin e tij, por e bënë këtë vetëm sepse u manipulua nga ushtria.
Zbulimi i trupit të plotë të kabllogrami, më shumë se një vit pasi Khan u rrëzua dhe pas arrestimit të tij, më në fund do të lejojë që pretendimet e palëve të vlerësohen. Në ekuilibër, teksti i shiferit sugjeron fuqimisht se SHBA-të nxitën largimin e Khan. Sipas kabllogramit, ndërsa Lu nuk urdhëroi drejtpërdrejt largimin e Khan nga detyra, ai tha se Pakistani do të vuante pasoja të rënda, duke përfshirë izolimin ndërkombëtar, nëse Khan do qëndronte si kryeministër, duke lënë të kuptohet në të njëjtën kohë për shpërblime për largimin e tij. Vërejtjet duket se janë marrë si një sinjal që ushtria pakistaneze të veprojë.
Përveç problemeve të tij të tjera ligjore, vetë Khan ka vazhduar të jetë në shënjestër për trajtimin e kabllogramit sekret nga qeveria e re. Në fund të muajit të kaluar, Ministri i Brendshëm Rana Sanaullah tha se Khan do ndiqej penalisht sipas Aktit të Sekreteve Zyrtare në lidhje me kabllogramin.
“Khan ka kurdisur një komplot kundër interesave të shtetit dhe kundër tij do nisej një çështje në emër të shtetit për shkeljen e Aktit të Sekreteve Zyrtare duke ekspozuar një komunikim të fshehtë nga një mision diplomatik,” tha Sanaullah.
Khan tani i është bashkuar një liste të gjatë politikanësh pakistanezë të cilët nuk arritën të përfundonin mandatin e tyre në detyrë pasi u përplasën me ushtrinë. Siç citohet në kabllogram, Khan po fajësohej personalisht nga SHBA, sipas Lu, për politikën e mosangazhimit të Pakistanit gjatë konfliktit në Ukrainë. Vota e mosbesimit dhe implikimet e saj për të ardhmen e lidhjeve SHBA-Pakistane u shfaqën gjatë gjithë bisedës.
“Sinqerisht,” citohet të ketë thënë Lu në dokument, duke iu referuar perspektivës së Khan të qëndrojë në detyrë, “Unë mendoj se izolimi i Kryeministrit do të bëhet shumë i fortë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara.”
7 mars 2022 Shiferi diplomatik pakistanez (transkriptimi)
Intercept po publikon trupin e kabllogramit më poshtë, duke korrigjuar gabime të vogla shkrimi në tekst, sepse detaje të tilla mund të përdoren për të shënuar dokumente dhe për të gjurmuar shpërndarjen e tyre. Intercept ka hequr shenjat e klasifikimit dhe elementet numerike që mund të përdoren për qëllime gjurmimi. Etiketuar “Sekret”, kabllogrami përfshin një rrëfim të takimit midis zyrtarëve të Departamentit të Shtetit, duke përfshirë Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Byronë e Çështjeve të Azisë Jugore dhe Qendrore Donald Lu dhe Asad Majeed Khan, i cili në atë kohë ishte ambasadori i Pakistanit në SHBA.
Sot pata një takim dreke me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Azinë Jugore dhe Qendrore, Donald Lu. Ai shoqërohej nga Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Les Viguerie. Me mua u bashkuan VKM, DA dhe këshilltari Qasim.
Në fillim, Don iu referua qëndrimit të Pakistanit për krizën e Ukrainës dhe tha se “njerëzit këtu dhe në Evropë janë mjaft të shqetësuar se pse Pakistani po merr një pozicion kaq agresiv asnjanës (për Ukrainën), nëse një pozicion i tillë është edhe i mundur. Nuk na duket një qëndrim kaq asnjanës.”
Ai ndau se në diskutimet e tij me KKS-në, “duket mjaft qartë se kjo është politika e Kryeministrit”. Ai vazhdoi se ishte i mendimit se kjo ishte “e lidhur me dramat aktuale politike në Islamabad për të cilat ai (Kryeministri) ka nevojë dhe po përpiqet të tregojë një fytyrë publike”.
Unë u përgjigja se ky nuk ishte një lexim i saktë i situatës pasi qëndrimi i Pakistanit për Ukrainën ishte rezultat i konsultimeve intensive ndërinstitucionale. Pakistani nuk kishte përdorur kurrë diplomacinë në sferën publike. Vërejtjet e kryeministrit gjatë një mitingu politik ishin në reagim ndaj letrës publike të ambasadorëve evropianë në Islamabad, e cila ishte kundër etiketës dhe protokollit diplomatik. Çdo lider politik, qoftë në Pakistan apo në SHBA, do të detyrohej të jepte një përgjigje publike në një situatë të tillë.
E pyeta Donin nëse arsyeja e një reagimi të fortë të SHBA-së ishte abstenimi i Pakistanit në votimin në OKB. Ai u përgjigj kategorikisht negativisht dhe tha se kjo ishte për shkak të vizitës së kryeministrit në Moskë. Ai tha se “Unë mendoj se nëse votimi i mosbesimit ndaj kryeministrit do të ketë sukses, të gjitha do të falen në Uashington sepse vizita në Rusi po shihet si një vendim i kryeministrit. Përndryshe, mendoj se do të jetë e vështirë të ecim përpara.”
Ai ndaloi dhe më pas tha: “Nuk mund të them se si do të shihet kjo nga Evropa, por dyshoj se reagimi i tyre do të jetë i ngjashëm”.
Më pas ai tha se “sinqerisht mendoj se izolimi i kryeministrit do të bëhet shumë i fortë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara”. Don komentoi më tej se dukej se vizita e kryeministrit në Moskë ishte planifikuar gjatë Lojërave Olimpike të Pekinit dhe ka pasur një përpjekje të kryeministrit për të takuar Putinin që nuk ka pasur sukses dhe më pas lindi ideja se ai do shkonte në Moskë.
I thashë Donit se ky ishte një perceptim krejtësisht i keqinformuar dhe i gabuar. Vizita në Moskë ishte duke u zhvilluar prej të paktën disa vitesh dhe ishte rezultat i një procesi institucional konsultativ. Theksova se kur kryeministri po fluturonte për në Moskë, pushtimi rus i Ukrainës nuk kishte filluar dhe kishte ende shpresë për një zgjidhje paqësore. Theksova gjithashtu se liderët e vendeve evropiane po udhëtonin në Moskë në të njëjtën kohë. Don ndërhyri se “ato vizita ishin posaçërisht për të kërkuar zgjidhjen e bllokimit të Ukrainës, ndërsa vizita e Kryeministrit ishte për arsye ekonomike dypalëshe”.
I tërhoqa vëmendjen për faktin se kryeministri ishte qartazi i penduar për situatën gjatë qëndrimit në Moskë dhe kishte shpresuar që diplomacia të funksiononte. Vizita e Kryeministrit, theksova, ishte thjesht në kontekstin dypalësh dhe nuk duhet parë as si një miratim apo miratim i veprimit të Rusisë kundër Ukrainës. Thashë se qëndrimi ynë diktohet nga dëshira jonë për të mbajtur të hapura kanalet e komunikimit me të gjitha palët. Deklaratat tona të mëvonshme në OKB dhe nga Zëdhënësi ynë e shprehën qartë këtë, duke riafirmuar angazhimin tonë ndaj parimit të Kartës së OKB-së, mospërdorimit ose kërcënimit të përdorimit të forcës, sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve dhe zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve.
I thashë gjithashtu Donit se Pakistani ishte i shqetësuar se si do të ndodhte kriza e Ukrainës në kontekstin e Afganistanit. Ne kishim paguar një çmim shumë të lartë për shkak të ndikimit afatgjatë të këtij konflikti. Prioriteti ynë ishte të kishim paqe dhe stabilitet në Afganistan, për të cilin ishte imperativ bashkëpunimi dhe koordinimi me të gjitha fuqitë e mëdha, përfshirë Rusinë. Edhe nga ky këndvështrim, mbajtja e hapur e kanaleve të komunikimit ishte thelbësore.
Ky faktor po diktonte gjithashtu qëndrimin tonë për krizën në Ukrainë. Në referencën time për takimin e ardhshëm të Trojkës së Zgjeruar në Pekin, Don u përgjigj se kishte ende diskutime të vazhdueshme në Uashington nëse SHBA duhet të marrë pjesë në takimin e Trojkës së Zgjeruar ose në takimin e ardhshëm të Antalias për Afganistanin me përfaqësues rusë të pranishëm, pasi SHBA fokusohet për të diskutuar vetëm Ukrainën me Rusinë. Unë iu përgjigja se kjo ishte pikërisht ajo që kishim frikë. Ne nuk donim që kriza e Ukrainës të largonte fokusin nga Afganistani. Don nuk komentoi.
I thashë Donit se, ashtu si ai, edhe unë do ta përcillja këndvështrimin tonë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Thashë se gjatë vitit të kaluar, ne kishim ndier vazhdimisht ngurrim nga ana e udhëheqjes së SHBA-së për t’u angazhuar me udhëheqjen tonë. Ky ngurrim kishte krijuar një perceptim në Pakistan se ne po injoroheshim dhe madje po merreshim si të mirëqenë. Kishte gjithashtu një ndjenjë se ndërsa SHBA-ja priste mbështetjen e Pakistanit për të gjitha çështjet që ishin të rëndësishme për SHBA-në, ajo nuk iu përgjigj dhe ne nuk shohim shumë mbështetje të SHBA-së për çështjet shqetësuese për Pakistanin, veçanërisht për Kashmirin. Thashë se ishte jashtëzakonisht e rëndësishme që të kishte kanale komunikimi funksionale në nivelin më të lartë për të hequr një perceptim të tillë.
Unë thashë gjithashtu se ne ishim të befasuar që nëse pozicioni ynë për krizën në Ukrainë ishte kaq i rëndësishëm për SHBA-në, pse SHBA-të nuk ishin angazhuar me ne në nivelin më të lartë të lidershipit përpara vizitës në Moskë dhe madje edhe kur OKB ishte planifikuar të votonte. (Departamenti i Shtetit e kishte ngritur atë në nivel VKM.) Pakistani vlerësonte angazhimin e vazhdueshëm të nivelit të lartë dhe për këtë arsye Ministri i Jashtëm kërkoi të fliste me Sekretarin Blinken për të shpjeguar personalisht pozicionin dhe perspektivën e Pakistanit për krizën në Ukrainë. Thirrja nuk është realizuar ende. Don u përgjigj se mendimi në Uashington ishte se duke pasur parasysh trazirat aktuale politike në Pakistan, kjo nuk ishte koha e duhur për një angazhim të tillë dhe mund të priste derisa situata politike në Pakistan të qetësohej.
Përsërita qëndrimin tonë se vendet nuk duhet të detyrohen të zgjedhin anë në një situatë komplekse si kriza e Ukrainës dhe theksova nevojën për të patur komunikime aktive dypalëshe në nivelin e lidershipit politik. Don u përgjigj se “ju e keni përcjellë qëndrimin tuaj në mënyrë të qartë dhe unë do ta kthej atë në udhëheqjen time”.
I thashë gjithashtu Donit se kishim parë mbrojtjen e tij të pozicionit indian për krizën e Ukrainës gjatë seancës dëgjimore të Nënkomitetit të Senatit të mbajtur së fundmi mbi marrëdhëniet SHBA-Indi. Dukej se SHBA-të po aplikonin kritere të ndryshme për Indinë dhe Pakistanin. Don u përgjigj se ndjenjat e forta të ligjvënësve amerikanë për abstenimet e Indisë në KS të OKB-së dhe OKB-së u shfaqën qartë gjatë seancës.
Thashë se nga seanca dëgjimore, u duk se SHBA-të prisnin më shumë nga India sesa Pakistani, megjithatë dukej se ishin më të shqetësuara për pozicionin e Pakistanit. Don ishte evaziv dhe u përgjigj se Uashingtoni e shikonte marrëdhënien SHBA-Indi shumë përmes lenteve të asaj që po ndodhte në Kinë. Ai shtoi se ndërsa India kishte një marrëdhënie të ngushtë me Moskën, “Unë mendoj se ne në fakt do të shohim një ndryshim në politikën e Indisë pasi të gjithë studentët indianë të largohen nga Ukraina”.
Shpreha shpresën që çështja e vizitës së Kryeministrit Khan në Rusi të mos ndikojë në marrëdhëniet tona dypalëshe. Don u përgjigj se “Unë do të argumentoja se tashmë kjo ka krijuar një goditje në marrëdhënie nga këndvështrimi ynë. Le të presim disa ditë për të parë nëse situata politike do të ndryshojë, gjë që do të thoshte se nuk do të kishim një mosmarrëveshje të madhe për këtë çështje dhe gropa do mbyllej shumë shpejt. Përndryshe, ne do duhet të përballemi me këtë çështje dhe të vendosim se si ta menaxhojmë atë.”
Ne diskutuam gjithashtu për Afganistanin dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me marrëdhëniet dypalëshe. Një komunikim i veçantë vijon në atë pjesë të bisedës sonë.
Vlerësimi
Don nuk mund të kishte përcjellë një demarsh kaq të fortë pa miratimin e shprehur të Shtëpisë së Bardhë, të cilës ai iu referua vazhdimisht. Në mënyrë të qartë, Don foli jashtë radhës për procesin e brendshëm politik të Pakistanit. Ne duhet të reflektojmë seriozisht për këtë dhe të konsiderojmë të bëjmë një demarsh të duhur në Cd’A a.i të SHBA-së në Islamabad.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e The Intercept
Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani