Vendosni fjalën kyçe....

Kush është Javier Milei, personazhi i pazakontë  që fitoi primaret në zgjedhjet presidenciale të Argjentinës


Një ekonomist i çuditshëm që do Bitcoin, klonoi qenin e tij dhe dëshiron të shfuqizojë bankën qendrore, fitoi zgjedhjet e hapura presidenciale të Argjentinës të dielën, përpara dy blloqeve tradicionale të pushtetit. Javier Milei tani shihet si një kandidat kryesor në zgjedhjet e përgjithshme të tetorit.

“Sot ne hodhëm hapin e parë drejt rindërtimit të Argjentinës,” tha Milei në selinë e partisë së tij pasi dëgjoi rezultatet.

“Një Argjentinë ndryshe është e pamundur me të njëjtët njerëz si gjithmonë.” Ai gjithashtu u zotua t’i japë fund kastës politike të padobishme, parazitare, kriminale që po fundos vendin sipas tij.

Argjentina ka një primare të hapur e publike, e njohur si ‘primare në xhungël’ në SHBA. Ndërsa votat u numëruan të dielën në mbrëmje, Milei doli i pari me 30% të të gjitha votave të hedhura. Koalicioni peronist në pushtet ‘Bashkimi për Atdheun’ (UP) doli në vendin e tretë me 27% të votave, ndërsa blloku opozitar konservator ‘Së bashku për Ndryshim’ mori 28%.

Peronistët kanë qenë në pushtet për 16 nga 20 vitet e fundit, teksa Argjentina është përballur me inflacionin e lartë dhe një sërë problemesh ekonomike. Ish-presidentja dhe zëvendëspresidentja aktuale Cristina Fernandez de Kirchner, e parë si eminenca gri në bllok, u dënua për akuza korrupsioni dhjetorin e kaluar.

Milei, 52 vjeç, bëri fushatë për t’i dhënë fund ‘Kirchnerizmit’. Ai u quajt shpejt ‘ekstrem i djathtë’ nga mediat kryesore në gjuhën angleze si New York Times, AP dhe Reuters, për platformën e tij politike libertariane.

Ndër propozimet e tij politike janë mbyllja e bankës qendrore të Argjentinës dhe miratimi i dollarit amerikan si monedhë ligjore; uljen drastike të taksave dhe shpenzimeve publike, privatizimin ose mbylljen e të gjitha ndërmarrjeve shtetërore dhe shfuqizimin e ministrive të Shëndetësisë, Arsimit dhe Mjedisit.

Politikani liridashës ka qenë gjithashtu skeptik ndaj ndryshimeve klimatike, e konsideron edukimin seksual një komplot kundër familjes dhe dëshiron të legalizojë posedimin e armëve të zjarrit dhe shitjen e organeve njerëzore, sipas AP.

Një nga mbështetjet pas rezultatit të primareve erdhi nga ish-presidenti brazilian Jair Bolsonaro, i cili tha se ata kishin ‘shumë gjëra të përbashkëta’, duke përmendur mbështetjen e tyre për pronën private, fjalën e lirë, tregun e lirë dhe të drejtën për vetëmbrojtje.

Milei është mbështetës i kriptovalutave si Bitcoin dhe Ethereum gjithashtu. Në një intervistë televizive në janar, ai i quajti ato ‘reagim i natyrshëm kundër mashtruesve të Bankës Qendrore’ dhe një kthim në traditën e ‘bërjes së parave përsëri private’.

Ekscentricitetet e tij duket se e kanë bërë atë të dashur vetëm për elektoratin argjentinas. Në fjalimin e tij të fitores, Milei falënderoi motrën e tij për drejtimin e fushatës së tij dhe përmendi veçanërisht pesë qentë e tij. Katër nga mastiffët anglezë, të klonuar në SHBA, u emëruan sipas ekonomistëve të tij të preferuar libertarian: Murray (Rothbard), Milton (Friedman), Robert dhe Lucas.

Ndërsa ai është kandidati kryesor në zgjedhjet e përgjithshme, të planifikuara për 22 tetor, nuk ka gjasa që Milei të marrë 50% të votave të kërkuara dhe mund të kalojë në balotazhin e 19 nëntorit.

Rezultatet primare sugjerojnë se partia e tij, Liberty Advances, do merrte vetëm 8 vende në Senatin me 72 anëtarë dhe 35 në Dhomën me 257 vende, duke e lënë atë me pak mbështetje legjislative nëse fiton vërtet.

Qeveria e Argjentinës iu përgjigj rezultateve parësore duke zhvlerësuar peson me 20% të hënën në mëngjes. Vendi regjistroi inflacion vjetor prej 114% muajin e kaluar, pothuajse 40% e 46 milionë banorëve të tij jetojnë në varfëri dhe Buenos Aires po lufton për të shlyer borxhin e tij prej 44 miliardë dollarësh ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e RT

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani