Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti Begaj ’kalon në heshtje’ ligjin për studentët e mjekësisë dhe legalizimin e kanabisit mjekësor


Presidenti Bajram Begaj ka ‘kaluar në heshtje’ ligjin për legalizimin e kanabisit mjekësor dhe atë të punësimit të detyruar me 5 vite për studentët e mjekësisë, të cilat u miratuan në seancën e fundit maratonë në Kuvendin e Shqipërisë (21 korrik 2023).

Duke qenë se Begaj nuk ka nënshkruar dekretimin, sipas Kushtetutës ligjet futen automatikisht në fuqi, pasi kalon një afat kohor prej 20 ditësh.

Këto projektligje që kaluan në heshtje nga Begaj kanë qenë kryefjalë, të cilat janë kontestuar shumë edhe nga opozita, por edhe nga studentët të cilët kanë protestuar kundër ligjit për mbajtjen peng të diplomave.

Studentët  e mjekësisë protestuan më parë se ky ligj të votohej në parlament, por shpresonin se nuk do të dekretohej nga Presidenti e do ta kthente për rishqyrtim.

Kreu i shtetit pati zhvilluar edhe një takim me një përfaqësi të studentëve, të cilët i kërkuan mosdekretimin e ligjit për diplomat. Studentët e Mjekësisë kanë paralajmëruar bojkot të procesit mësimor nëse ligji miratohet në Kuvend, ata janë shprehur se do të vijojnë protestat deri në fund madje kanë parlajmëruar se ligjin do ta çojnë në Gjykatë Kushtetuese.