Vendosni fjalën kyçe....

Zhupa denoncon Pezën: Po e kthen RTSH-në në telvizion privat, shkarkon gazetarët e stafin e i zëvendëson me njerëzit e tij


Partia Demokratike ka denoncuar drejtorin e RTSH-së Alfred Peza për shkelje të ligjit në shkarkimin e gazetarëve e stafit pa arsye.

Në një deklaratë për mediat, deputetja Ina Zhupa tha se Peza po e kthen RTSH-në kazermë ku të gjithë duhet t’i binden urdhrit.

“Që nga zgjedhja e paligjshme në krye të RTSH, në emër të Partisë Demokratike, kam denoncuar të gjitha shkeljet ligjore për caktimin me porosi të Alfred Pezës si drejtor i RTSH-së. Qendrimin e tij si drejtor i paligjshëm, po e shoqëron edhe me vendime të paligjshme për shkarkimin e gazetarëve dhe stafit pa asnjë arsye, vetëm e vetëm për ta kthyer atë në një kazermë që i bindet urdhrave absurde të tij. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë vendime të tilla ekstreme i konsideron arbitrare dhe që përbëjnë një klimë tensioni, presioni dhe ndëshkimesh ndaj gazetarëve, aq më tepër në kushtet kur në këtë institucion nuk ekzistojnë përfaqësime sindikale dhe struktura dialoguese mes administratorëve dhe entiteteve profesionale apo punonjësve që largohen. Ricardo Gutierrez, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, EFJ, shkruajti ne Twitter se keto shkarkime ishin “të alarmuar” për shkarkimet “arbitrare” Shqetësimi që ka ngritur BIRN, Safe Journalist, shoqatat e gazetarëve, vetë gazetarët e prekur kanë gjithë mbështetjen tonë.” – tha Zhupa.

Më tej deputetja demokrate tha se Peza e ka mbushur RTSH-në me ish-vartës të tij në Alpeneës e Ora, njerëz me lidhje familjare e shoqërore me të duke e kthyer në një institucion privat për qokat e tij.

Zhupa tha se Peza po vendos kamera përgjimi e numëron gotat e ujit nuk është modeli i drejtorit profesionist.

Ajo i bëri thirrje Këshillit Drejtues të rikthejë ligjshmërinë brenda RTSH-së e të ndalë shkarkimet e padrejta e të hapë garën për drejtor të RTSH-së.

“Klima e krijuar në RTSH me pushimet masive, punësimin e njerëzve që kanë punuar si vartës të Pezes në Alpenews apo në Ora, njerëz me lidhje familjare dhe shoqërore me të, e bëjnë edhe dramatike situatën. Një televizion që mbahet me taksat e shqiptarëve, po kthehet në një televizion privat për qokat e Pezës, duke cënuar gazetarinë edhe profesionalizmin. Drejtori që merret nga karriget, te skaleta e lajmeve, te festivali dhe te koshat e plehrave, që vendos kamera përgjimi dhe numëron gotat e ujit, nuk është modeli i drejtorit profesonist që i përgjigjet nevojave për ta kthyer RTSH-në në një televizion të shikueshëm. Në emër të Partisë Demokratike dhe opozitës i bëj thirrje Keshillit Drejtues, si organ qëmonitorohet nga Kuvendi, të rikthejë ligjshmërinë brenda RTSH, të ndalë shkarkimet e padrejta dhe të hapë garën për drejtor të RTSH-së. Gjithashtu, i bashkohemi thirrjes së Unionit të Gazetareve që OSBE të monitorojë situatën. Shqipëria po vjen me rënie sa i perket indeksit të lirisë së medias dhe këto ngjarje vetëm e përkeqesojnë situatën dhe tregojnë qartë vullnetin politik për të shkaterruar median dhe për të kontrolluar çdo gjë politikisht.” – mbylli deklaratën Zhupa.