Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania e Spanja në garë për kontratën 4.8 miliardë dollarëshe për nëndetëset indiane


Dy gjigantë të prodhimit të armëve në Evropë po kërkojnë të fitojnë një porosi prej 400 miliardë rupish (4.8 miliardë dollarë) për të ndërtuar nëndetëse në Indi, ndërsa kombi i Azisë Jugore kërkon të forcojë marinën e tij për t’u përballur me praninë detare në zgjerim të Kinës në rajonin Indo-Paqësor, shkruan Bloomberg.

Zyrtarët indianë aktualisht po vlerësojnë ofertat konkurruese për të ndërtuar gjashtë prej nëndetëseve në vend, thanë zyrtarë të lartë indianë të vetëdijshëm për zhvillimet, duke kërkuar të mos përmendet emri sepse diskutimet janë private.

Njëra ofertë është nga ‘Thyssenkrupp AG’ e Gjermanisë së bashku me ‘Mazagon Dock Shipbuilders Limited’ me bazë në Mumbai, ndërsa tjetra u dorëzua nga ‘Navantia’ e Spanjës në partneritet me kantierin privat ‘Larsen & Toubro’, thanë njerëzit.

Ministria e Mbrojtjes e Indisë, Larsen & Toubro dhe MDL nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. ‘Thyssenkrupp’ konfirmoi ofertën dhe iu referua një deklarate të 7 qershorit, ndërsa ‘Navantia’ nuk iu përgjigj një kërkese me email për koment.

Ndërsa Pekini ka rritur kapacitetin e tij detar vitet e fundit, flota e vjetër e nëndetëseve të Indisë nuk shihet më si e mjaftueshme për të shkurajuar praninë e Kinës në Oqeanin Indian.

Marina e Indisë ka nevojë për një minimum prej 24 nëndetësesh konvencionale, ka thënë qeveria në Nju Delhi, por aktualisht ka vetëm 16. Nga këto, shumica janë më shumë se 30 vjeç dhe ka të ngjarë të çmontohen në vitet e ardhshme.