Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta në konferencën për mediat ka folur sot edhe për çështjen Beleri.
Meta tha se Fredi Beleri është i burgosur politik me direktivë të Edi Ramës, duke e quajtur si rast tipik të drejtësisë me regji dhe i funksionimit të shtetit si një juntë.
Meta vijon se të gjithë e dinë se dëshmitarët kanë qenë të fabrikuar nga policia dhe bashkëpunimi polici-prokurori.
“Nuk kam asnjë koment për protestën sepse protestat në një vend demokratik duhet të jenë të përditshme. Por kam një qëndrim shumë të qartë për rastin Beleri, i cili është i burgosur politik i kryeministrit aktual. Provat nuk kanë munguar. Rasti Beleri është rasti i shembjes së shtetit të së drejtës në vendin tonë. Qëllimi i arrestimit ka qenë një, bllokimi i tij fizik me qëllim humbjen e bashkisë së Himarës dhe së dyti dhe qëndrimi që u mbajt ndaj tij është demonstrim i mosekzistencës së shtetit ligjor. Kjo bëhet në mënyrë që atij t’i pamundësohet betimi pas fitores që ai realizoi edhe si i ndaluar nga policia”, tha Meta.
Sipas tij, qëllimi kryesor ka qenë i qartë, që të vazhdojë tjetërsimi i pronave i banorëve të bashkisë së Himarës që kishte qenë premtim i z. Beleri.
“Por çështja e pronave është në të gjithë Shqipërinë, por në rastin konkret dukej qartë se Beleri do të ishte një pengesë ndaj këtyre operacioneve të paligjshme. Me këtë veprim kryeministri aktual jo vetëm ka treguar në mënyrën më arrogante se ka kapur shtetit, ka treguar se është armik i zgjedhjeve të lira dhe shtetit të së drejtës dhe iu ka bërë një shërbim nacionalistëve ekstremistëve grekë, për t’i dhënë ngjyra skandalit në fjalë. Të gjithë e dinë që dëshmitarët kanë qenë të fabrikuar nga policia dhe bashkëpunimi polici-prokurori ka sjellë këtë situatë paradoksale.
E drejtë do ishte që të gjithë shqiptarët të protestojnë për këto probleme që kanë ndodhur në të gjithë Shqipërinë, nga Shkodra, në Sarandë e Ksamil. Shqipëria është një vend europian dhe nëse nuk do ishte e lejuar, do ishin marrë masa”, tha Meta sa i përket pranisë së zyrtarëve grekë në protestë, mes tyre dhe kryebashkiaku i Athinës Kostas Bakoyannis.
“Asnjëherë nuk kam qenë partizan i ndërhyrjeve në zgjedhjet e të tjerëve, qoftë në Greqi, Itali, Amerikë e kudo tjetër nga politikanë shqiptarë. Natyrisht që nuk më pëlqen kur politikanë të huaj ndërhyjnë në zgjedhje në vendin tonë. Nuk mund të përdorim dy standarde, kur para zgjedhjeve kryetari i bashkisë së Athinës i uron kryetarit të bashkisë së Tiranës fitore dhe kur në këtë rast po bëka një veprimtari armiqësore. Fredi Beleri është i burgosur politik, e kam thënë që ditën e parë. Është bërë gjithçka me direktivë të Edi Ramës. Është rast tipik i drejtësisë me regji dhe i funksionimit të shtetit si një juntë. Prokurori e gjykata që noterizojnë veprimet e paligjshme të prokurorisë dhe policisë. Kishte një qëllim, që ai të mos fitonte dhe tani të mos bëjë betimin si kryetar i bashkisë së Himarës”, deklaroi Meta.