Vendosni fjalën kyçe....

Plagosja e policit në Pilur, Balla: Pres që prokuroria e Vlorës të bëjë hetim të plotë, ndëshkim të ashpër për autorin


Ministri i Brendshëm Balla i ka bërë thirrje prokurorisë së Vlorës që të bëjë hetim të plotë e të pavarur e të japë ndëshkim të ashpër për autorin e plagosjes së efektivit të policisë Redin Çaushaj, i cili u qëllua me thikë mbrëmjen e djeshme në fshatin Pilur të Himarës.

Në një shënim në Facebook ai shkruan se efektivi është përpjekur të bëjë detyrën edhe pse jashtë orarit të shërbimit ndërsa ndodhet në gjendje të rëndë në reanimacionin e spitalit të Vlorës.

“Prej mbrëmë, pak para mesnate, një nga djemtë e rinj dhe të përkushtuar të Policisë së Komisariatit Himarë, Redin Çaushaj, po lufton për jetën në Reanimacionin e Spitalit Vlorë. Mjekët dhe infermieret e këtij spitali kanë bërë më të mirën dhe gjendja shëndetësore e Redianit, edhe pse vazhdon e rëndë, po shfaq përmirësime dhe është stabël për momentin.

Redin Caushaj mban detyrën e inspektorit në Policinë e Shtetit dhe dje edhe pse jashtë orarit të shërbimit është përpjekur të bëjë detyrën duke ndërhyrë për shuarjen e një konflikti mes dy shtetasve, siç jam informuar menjëherë mbrëmë nga Drejtori i Përgjithshëm.

Në këtë përpjekje të punonjësit të policisë, njëri nga shtetasit e ka goditur me armë të ftohtë duke e plagosur rëndë. Autori i këtij krimi është arrestuar sot në të gdhirë nga forcat tona të Policisë së Shtetit dhe pres nga Prokuroria Vlorë të bëjë një hetim të plotë, të pavarur dhe një ndëshkim të ashpër për fajtorin.

Kushdo që guxon të ngrejë dorë kundër një punonjësi policie duhet ta dijë mirë se po kryen një krim të rëndë kundër shtetit. Do të flas në një moment të dytë sot për këtë çështje.

Redini do të vazhdojë të qëndrojë në Reanimacionin e Spitalit Vlorë, pas konsultimit që patëm me mjekët dhe drejtuesit e Spitalit.”