Media italiane i ka kushtuar një vëmendje të shtuar vizitës private të kryeministres Meloni në Shqipëri, me ftesë të homologut shqiptar Edi Rama.
Në qendër të bisedës, sipas quatidiano, përveç çështjeve të zakonshme, kanë qenë edhe ato të energjisë, me gazsjellësin nënujor të Adriatikut dhe hipotezën e ndërtimit të një centrali bërthamor në territorin shqiptar.
Çështje të tjera të diskutuara privatisht mes të dyve, shkruan media italiane janë edhe emigracioni, lufta në Ukrainë, prania e madhe e investitorëve italianë dhe e ardhmja e Shqipërisë në BE.
Më poshtë shkrimi i Quotidiano
“Nisja me traget (e planifikuar). Pak familjarë (përfshirë vajzën Ginevra dhe partnerin Andrea). Nisja ‘surprizë’, duke i lënë të habitur të gjithë eksponentët e ndryshëm të oborrit Melonian, të cilët, shpirtra të gjorë, e kishin mallkuar veten – midis Booking dhe Tripadvisor – të gjenin një shtëpizë të vogël në luginën e Itrias për të qenë në gjendje të takonin Giorgia-n. Megjithatë, këtu Giorgia i bëri budallenj të gjithë dhe për t’u shkëputur, la resortin e gjetur në Pulia, në luginën e Itrias, nën hijen e ullinjve dhe u nis për një udhëtim të papritur në Shqipëri. Kështu Meloni ka bërë një nga truket e saj.
Duke ruajtur sekretin e rreptë, ajo u largua nga ferma Ceglie Messapica, ku kishte nisur pushimet të martën e kaluar dhe mëngjesin e djeshëm, pikërisht në kohën e festës së mesit të gushtit, fluturoi drejt Shqipërisë. ‘Fluturoj’, si të thuash. Në fakt, ajo shkoi atje me traget, kaloi Adriatikun, zbarkoi në Vlorë (aty, në vitin 1939, ushtarët italianë të Duçes zbarkuan për të aneksuar Shqipërinë) dhe u prit nga një kryeministër, i cili vetëm pak ditë më pare rrëfeu se e kishte shumë të përzemërt, duke e përshkruar veten sipas Foglio-s, një ‘vëlla i Italisë’.
Në vijim, përveç partnerit dhe djalit, motra e saj Arianna dhe bashkëshorti i saj, ministri i Bujqësisë, Francesco Lollobrigida, i cili gjithashtu kishte kundërshtuar ofensivën turistike shqiptare, duke vlerësuar cilësinë më të mirë të Pulias…Gjithçka nisi nga një fotomontazh botuar nga kryeministri Rama: “Në vitin 1991 shqiptarët ikën në Itali si refugjatë dhe tani italianët vijnë tek ne tufë, ku turizmi kushton shumë më pak”. Më pas u bë një vizitë private në shtëpinë e kryeministrit shqiptar Edi Rama, një vilë afër qytetit, me një vizitë të shkurtër në qytet dhe darkë. Të gjitha në një moment, duke qenë se kryeministrka ishte kthyer tashmë në Pulia mbrëmjen e djeshme. Kështu, mes një pjate tipike dhe një tjetre, dy kryeministrat patën mundësinë të flisnin për probleme më serioze.
Në fund të fundit, çështjet politike që prekin dy brigjet e Adriatikut, nga prania (masive, deri tani) e sipërmarrësve italianë te emigracioni, nga lufta në Ukrainë tek e ardhmja e Shqipërisë në BE (Shqipëria nuk është as anëtare e BE e as NATO). Në tryezën e një bisede joformale, janë edhe temat e nxehta të energjisë dhe marrëdhënieve mes BE-së dhe vendeve të zonës së Ballkanit, çështja e gazsjellësit nënujor të Adriatikut, hipoteza e ndërtimit të një centrali bërthamor në territorin shqiptar dhe vlerësimi i bumit turistik që ka sjellë qindra mijëra italianë në ish-bastionin komunist (të stilit maoist, për më tepër).
Pastaj, nëse Meloni ka pasur rastin të verifikojë vetë nëse plazhet shqiptare janë jo vetëm më të lira, por edhe më të bukura se tonat, kjo është tjetër çështje.”