Biznesi ka lulëzuar në konsulencën e emigracionit që kur BE-ja premtoi të godiste programet e shtetësisë për investim.
Në Greqi dhe Portugali, numri i vizave të dhëna muajt e fundit ka qenë në rritje dhe kërkesa në Itali dhe Spanjë ka arritur nivele rekord.
Të ashtuquajturat viza të arta u mundësojnë të huajve të pasur të marrin rezidencën në vendet e BE-së ku ata investojnë, duke i hapur potencialisht rrugën drejt shtetësisë, duke investuar në pasuri të paluajtshme ose në asete financiare vendase. Megjithëse këto programe kanë kërkesa specifike që duhen plotësuar, disa kërkojnë vetëm të shpenzosh jo më shumë se një javë në vit në vendin në fjalë.
Mbi 132,000 njerëz morën shtetësinë përmes këtyre programeve midis 2011 dhe 2019 dhe shqyrtimi politik është shtuar pasi ato janë shoqëruar me rritjen e çmimeve të pronave dhe rregulloret e dobëta.
Anëtarët e Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian kanë bërë thirrje që vendet e BE-së t’i mbyllin ato, dhe Irlanda dhe Britania e Madhe e kanë bërë tashmë këtë. Konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës i ka vënë nën vëzhgim vizat e arta, me eurodeputeten belge Saskia Bricmont duke i etiketuar ato si një mënyrë që ‘oligarkët, kriminelët dhe politikanët e korruptuar’ të ‘blejnë qëndrimin në Evropë dhe të pastrojnë paratë, imazhin dhe identitetin’.
Thirrjet për heqjen e vizave të arta po fitojnë vëmendje. Kryeministri i Portugalisë njoftoi përfundimin e programit në një konferencë për shtyp në shkurt, duke deklaruar se ‘asgjë nuk e justifikon këtë regjim të veçantë’.
Greqia dyfishoi pragun e investimeve nga 250,000 në 500,000 euro për pjesë të caktuara të vendit. Mali i Zi u zotua të përfundojë programin e tij dhe Spanja po shqyrton nëse do e rrisë investimin minimal nga 500,000 në 1 milion euro ose ta heqë atë krejtësisht.
Megjithatë, përkundër gjithë kësaj, ka pak prova se vizat e arta po bëhen më të vështira për t’u marrë.
“Ne nuk kemi vërejtur ndonjë ndryshim të rëndësishëm në vështirësinë e marrjes së një vize,” tha Patricia Casaburi, drejtore menaxhuese në konsulencën e emigracionit ‘Global Citizen Solutions’.
Dhe më shumë njerëz se kurrë po përpiqen të fitojnë hyrje në vendet e BE-së.
Të prezantuara pas krizës financiare të vitit 2008 për të tërhequr kapitalin e huaj, vizat e arta fituan edhe më shumë rëndësi gjatë pandemisë, teksa amerikanët që kërkonin një alternativë nxituan drejt Evropës.
Ndërsa politikanët në gjithë Evropën kanë folur për vendime të mëdha, legjislacioni që ata kanë miratuar për të kufizuar vizat e arta nuk ka qenë veçanërisht i rreptë.
Portugalia hoqi mundësinë e rezidencës për investime në pasuri të paluajtshme në korrik, por la të paprekur rrugën për shtetasit e huaj për të fituar rezidencën duke investuar të paktën 500,000 euro në kompani vendase ose fonde që nuk kanë lidhje me pronën.
Holanda ende pranon aplikime për viza të arta, pavarësisht se ka njoftuar planet për t’i dhënë fund programit të saj. Në të njëjtin pozicion është edhe Mali i Zi.
Qiproja ndryshoi kornizën e saj të vizave në maj – më parë, anëtarët e familjes së një investitori mund të merrnin gjithashtu viza të arta – por kryesisht e la programin të pandryshuar. Bullgaria zbatoi skemën e saj të artë të vizave këtë vit pasi e mbylli atë në 2021.
Malta ka kundërshtuar të reformojë programin e saj pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga Komisioni i BE-së për ta bërë këtë. Dhe rritja e pragjeve të investimeve, siç bëri Greqia kohët e fundit, nuk konsiderohet një pengesë e madhe.
“Për njerëzit me pasuri rreth 5 deri në 7 milionë dollarë amerikanë, një investim 500,000 dollarë amerikanë për të marrë rezidencën në BE është një marrëveshje e mirë,” tha Nuri Katz, themeluesi i konsulencës kanadeze të emigracionit ‘Apex Capital Partners’.
Ndër vendet që kanë hequr programet e tyre, janë të disponueshme mundësi të tjera. Edhe nuk ka diçka të barasvlershme me vizat e arta, alternativat si vizat e një nomadi dixhital, të krijuara për ata që punojnë në distancë që kërkojnë të jetojnë jashtë vendit po bëhen gjithnjë e më të njohura.
Sipërmarrësit e interesuar për të krijuar një biznes në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Irlandë ose Gjermani mund të aplikojnë gjithashtu për viza investitore speciale, duke siguruar qëndrim të përkohshëm dhe një rrugë për qëndrim të përhershëm.
Të dyja alternativat kanë kërkesa më të rrepta se vizat e arta: vizat nomade dixhitale kërkojnë që marrësit të kalojnë pjesën më të madhe të vitit në vendin pritës dhe vizat e investitorëve kërkojnë plane të qarta biznesi, raporte vjetore dhe një investim paraprak.
Pasiguria që rrethon të ardhmen e programeve të vizave të arta ka qenë një ndihmë për konsulentët e emigracionit. Firma me bazë në Londër ‘Get Golden Visa’ pa një rritje prej 127% në kërkesat për viza të arta portugeze dhe greke në gjysmën e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë në 2021.
‘Consultancy Henley Partners’ tha se interesi ishte në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, me kërkesat në rritje në 125% për programet në Itali. ‘Global Citizen Solutions’ vuri në dukje një rritje prej 20% të kërkesave për vizën e artë të Portugalisë në krahasim me vitin e kaluar.
Numri i vizave të arta të lëshuara në Portugali vetëm në maj arriti në 180, sipas statistikave të qeverisë. Në Greqi, ky numër arriti në 412, 87% më shumë se një vit më parë.
Spanja dha 2,462 viza të arta vitin e kaluar, 60% më shumë se në vitin 2021. Italia gjithashtu lëshoi 79 viza të arta vitin e kaluar, kryesisht për rusët, amerikanët dhe britanikët. Ky është pothuajse dyfishi i numrit nga një vit më parë dhe shifra më e lartë që nga fillimi i programit në 2018.
“Sa herë që qeveritë kërcënojnë të mbyllin këto programe, ka një rritje të njerëzve që përpiqen të bëhen pjesë e tyre përpara se të mbyllen,” tha Katz. “Është e shkëlqyeshme për biznesin.”
Mundësia për të dështuar
Arsyeja kryesore që konsulentët e emigracionit nuk shqetësohen për zhdukjen e këtyre programeve janë thjesht paratë në rrezik. Gjatë dekadës së fundit, vendet që japin viza në të gjithë Evropën kanë grumbulluar rreth 25 miliardë euro në totalin e investimeve të huaja direkte nëpërmjet këtyre programeve. Portugalia ka qenë një përfituese e madhe, duke sjellë 6.8 miliardë euro gjatë viteve.
“Ne ende i këshillojmë klientët tanë që të marrin viza të arta”, tha Peter Franke, një avokat emigracioni në Spanjë.
“Këto programe janë shumë të mëdha e kësisoj të vështira për të dështuar.”
Kjo dinamikë është veçanërisht e theksuar në ekonomitë e Evropës Jugore, të cilat priren të jenë më të varura nga kapitali i huaj. Vende të tilla kanë më pak gjasa të mbyllin plotësisht derën për vizat e arta, tha Will Harvey, një profesor në Universitetin e Bristolit, i cili studion emigrimin e kualifikuar.
Vendet e ngarkuara nga borxhi i lartë, rritja e ulët dhe që përpiqen të përmbushin objektivat ambicioze klimatike kanë më shumë gjasa të kenë nevojë për kapital të huaj, thonë ekonomistët. Kjo do të thotë se nëse programet e vizave të arta reformohen ose eliminohen, stimuj të tjerë tatimorë mund t’i zëvendësojnë ato.
Në Spanjë, një ligj i miratuar në janar i lejon jorezidentët – përfshirë ata me viza nomade dixhitale – të paguajnë një normë tatimore të sheshtë prej 24% mbi fitimet deri në 600,000 euro gjatë gjashtë viteve, krahasuar me një normë tatimore prej 47% për fituesit e të ardhurave më të larta.
Sidoqoftë, nëse kufizimet e reja i largojnë njerëzit nga kërkimi i qëndrimit brenda BE-së, Casaburi i ‘Global Citizen Solutions’ tha se Amerika Latine dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat ofrojnë gjithashtu viza tërheqëse, janë mundësi të mira.
Dhe për ata që kërkojnë të zhvendosen menjëherë, vizat nomade dixhitale janë të disponueshme në Spanjë, Greqi, Portugali dhe Itali.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg
Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani