Uraganëve u vendosin zakonisht emra grash. Fatmirësisht Shqipëria nuk është rrezikuar kurrë prej tyre mirëpo le ta marrim pak hua simbolikisht këtë fenomen për të përshkruar se çfarë po ndodh politikisht në vendin tonë.
Teksa “dinozaurët” luftojnë dhemb për dhemb për kullën “Mali i Tiranës” ose në rastin më të keq bëjnë sikur me teza “mos hidhni baltë mbi ne” apo “shhhhht…vëmendjen te inceneratorët ju lutemi”, në Shqipëri po ndodhin ca zhvillime.
Këto nuk përfshijnë vetëm forcimin në reagim të Lulzim Bashës kundër ideatorëe dhe zbatuesve të kullës, as mobilizimin në terren të atyre që e mbështesin dhe që i gjen në serinë e fotove të reja ku spikat jeshilja zelinskiane por konfigurimin e plotë të një force të re politike që do të drejtohet nga Adriatik Lapaj.
Kush është Adriatik Lapaj
Lapaj është tipologjia e aktivistit që vjen nga terreni, pa nevojë për t’u shitur si i tillë por i mbështetur nga Ambasada Amerikane dhe shpesh i akuzuar si nga Fondacioni Soros në disa nivele: publikisht dhe me forma të drejtpërdrejta nga SHBA-të, siç ka qenë programi i ambasadës në SHBA ku ka qenë pjesë apo promovimit nga ish-ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim.
Po ashtu edhe nëpërmjet një mbështetje të heshtur politike të Fondacionit Soros, një formë e heshtur e një “political endorsement”-i.
Nuk dihet ende nëse Lapaj ka qenë që prej fillimit produkt i Sorosit apo është marrë rrugës në patronazh për shkak edhe të rekordeve të tij personale si mbledhja e gomave në shtratin e Jonit, kundërvenia ndaj çmimeve të rritura të qeverisë apo përballja me kryeministrin e vendit në TV Klan.
Fakt është që në Shqipëri tingëllon e çuditshme se si një ditë të bukur një personazhi të vetëm i vihet në dispozicion kaq shumë hapësirë publike, ndërsa partitë kryesore shtrydhin çdo kandidat me mbështjetje publike nëse nuk është nën urdhrat e tyre, mjafton të kujtojmë rastin e Ilir Alimehmetit apo listat e hapura kundër të cilave luftonte demokrati Basha ose vënien në rresht të socialistëve nga Rama dhe pseudohapjen e partisë këtë vitin e fundit nga Berisha.
Kauzat publike të aktivistit Lapaj
Tani që po kristalizohet nisma e Lapajt, me marrjen edhe të zyrave dhe pritjen e regjistrimit në gjykatë, ndërsa një prej rivalëve të tij dhe kritikëve më konsistent të Fondacionit Soros në Shqipëri Altin Goxhaj ka denoncuar publikisht pengesat që po i nxjerrin për të regjistruar lëvizjen e tij politike “ShpresOn”, mund të mbledhësh fare lehtë disa nga momentet dominante të mbështetjes publike të një prej forcave më dominuese të ndikimit në politikën shqiptare, Fondacionit Soros, medieve, madje dhe përfaqësuesve të SHBA-ve në Tiranë.
Nuk dihet se si u përzgjodh që do të qe Lapaj, në mos një personazh totalisht i ambalazhuar për të qenë i tillë, që do të mbushte raportimet mediatike si aktivisti që po shpëtonte detin shqiptar nga gomat, ndërsa paralelisht një sërë aktivistësh të tjerë po shkëlqenin në aktivitetin e tyre në terren por pa marrë këtë vëmendje mediatike, mjafton të përmendim Zirkon Dishën ose në të njëjtin sinor, atë të pastrimit, Mentor Kikinë.
Kishte diçka më shumë se dashamirësia që tregon media për personazhe karizmatikë si Lapaj, e treguar edhe nga kjo bisedë me superlativa për të.
Në morinë e aktivistëve që kundërshtonin Ramën për çmimet, disa syresh spikatnin jo vetëm në terren por edhe me argumente të kopsitura rrjeteve sociale, të mbetura oazet e vetme të lirisë së mendimit në kohën kur televizionet kryesore ishin futur në qerthullën e censurës së llogaritur, papritur Lapajt i drejtohen prozhektorët.
E ndërsa prozhektorët mbaheshin të ndriçuar më shumë se kurrë në raportimet mediatike në terren kur Lapaj ngrinte zërin me temperamentin karakteristik të një sarandioti me grintë, shumë mendje të ndritura që e duan Shqipërinë me frymë opozitare u ligështuan kur e panë atë të përballej me Ramën te Çani, kryeministrin që shumë aktivistë e kanë cilësuar si keqqeverisës këto vite.
Nuk është fort e qartë nëse Rama me këtë rast ka vrarë me një gur 2 zogj: neutralizimin e një figure që kishte shumë mbështetje popullore në momentet e përballjes te “Zonë e Lirë” por ndërkohë edhe legjitimimin e tij si një nga kundërshtarët e tij të fortë.
Nuk ka dyshim që efekti te audienca qe i madh për këtë të dytën për sa kohë promoja e emisionit përmbante përballjen dhe debatin mbi çmimet por edhe nëntekstin se ishte Lapaj që e kishte ngritur me një këmbë nga zyra e tij kryeministrin, i cili do duhej të përgjigjej përballë tij. Shtuar kësaj edhe sensin e nënçmimit që Rama ndjen për sfiduesit, situata bëhet mëse e lexuar; sjellja ndaj gazetares Ambrozia Meta të SyriTV apo gazetarit Klevin Muka të A2CNN.
Zyrat e reja të reklamuara vetë nga Lapaj në rrjetet sociale me citimin “Me 200 vështirësi, por pa detyrime aty ku nuk duhet”
Një “uragan” apo “disa uragane”?
Ndërsa është riorientuar pakënaqësia e elektoratit te Arlind Qori, surpriza e zgjedhjeve vendore me mbi 13 mijë vota dhe Shqipëria aktualisht është pa një opozitë efikase si rrezik për Ramën, është krijuar saktësisht momenti i duhur që të prodhohet një e tillë. O e injektuar, o natyrale.
Mozaiku përmban Arlind Qorin, sfilitjet e Altin Goxhajt me lëvizjen e tij që po kanalizon energjitë te dekonspirimi sipas tij i Adriatik Lapajt si “Lul Basha i ri” dhe vetë lëvizjen e Adriatik Lapajt. Lapaj e mohon se po bën lëvizje politike kur pyetet nga Gogo.al duke thënë se “…nuk jam duke bërë parti, por jemi duke ndërtuar një lëvizje qytetare e bashkim intelektualësh për të imponuar një tjetër standard debati publik.”
Nuk dihet se çfarë po ndodh me Endri Shabanin e “Nisma Thurje”, ndërsa “Vetëvendosje” s’arriti dot të depërtonte në Shqipëri dhe sheshimi i marrëdhënies së Ilir Metës me Juri Kimin nuk e ravijëzoi dot si opozita e re.
E kaluara ka treguar se në Shqipëri janë prodhuar me efikasitet forca politike provizore për të thithur elektoratin e pakënaqur ndaj qeverisjes së Ramës që po kalon dekadën, siç mund të përmendim rastin e Gjergji Bojaxhiut apo Ben Blushit.
Injektimi i opozitës së re
Me emigrimin masiv të qindramijëra shqiptarëve jashtë vendit, forcës më vitale për të kundërshtuar qeverisjen, me denoncimet serioze për shitblerje votash, me vrasjen politike që amerikanët i bënë Berishës dhe me misionin e këtij të fundit për ta shkatërruar në gjenezë partinë që ravijëzonte opozitën e pritshme për shqiptarët në vend se ta rigjallëronte në luftë gjer në dhembë me Fondacionin Soros, kushtet janë pjekur për të injektuar një opozitë të re.
Kush e ka tagrin e injektimit të kësaj opozite kur vetë forcat politike nuk kanë patur mençurinë të reformohen, për të lënë hapësirë apo për të hapur krahun?
A është Lapaj uragani real i vjeshtës së pseudodemokracisë shqiptare që ka mbi 30 vjet që nuk po merr veten?
A është Lapaj prodhim i grintës së rrudhur të shqiptarëve kurajozë që kërkojnë një qeverisje më të mirë?
A do ta mbajë dot Lapaj nivelin e lartë të kritikës ndaj tij, shprehur edhe në këtë shkrim, shtuar edhe nivelin e lartë të zhgënjimit me turli personazhesh që kanë bërë puritanin në arenën politike si sfidonjësit e Ramës?
A do të mundet dot Lapaj të tejkalojë Ramën, Veliajn e të jetë kandidati i ardhëm për kryeministër?
Me vepra, me debate…pa viktimizime se po baltoset.
*****
Intervista me Adriatik Lapajn
Nga komunikimet tuaja në rrjetet sociale duket që keni ndërmarrë një iniciativë për krijimin e një lëvizje politike. Çfarë është kjo lëvizje, si po organizoheni, kush po përfshihet në të?
Në fakt kam njoftuar krijimin e një lëvizje qytetare. Një bashkim intelektualesh në qendër dhe qytetarëve për të imponuar një standard tjetër të debatit publik. Një rrugëtim njerëzish që në thelb të tyre kanë parimet dhe kauzën që lidhet me:
1.Miratimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor duke hapur garën përmes heqjes së rajonalizmit dhe listave të mbyllura. Listat duhen hapur që qytetarët të mund të zgjedhin.
2.Miratimin e ligjit për referendumet me qëllim që qytetarët të kenë kontroll mbi vendimet e politikës në nivel kombëtar dhe lokal.
3.Votën e emigrantëve si një mundësi reale për demokratizimin e vendit.
4.Depolitizimin e administratës zgjedhore duke e kaluar administrimin e zgjedhjeve nga partitë politike te profesionet e lira. Kapja e manipulimeve të shoqërohet me humbjen e licensës prej tyre.
Cilët faktorë të biznesit, elitave etj. po ju mbështesin në këto momente?
Profesorë, mjekë, juristë, ekonomistë nga shumë sektorë. Me biznesin nuk kam hyrë në asnjë raport sepse besoj që duhet të jenë të qeta në aktivitetin e tyre.
Kohë më parë keni publikuar detaje nga mbështetja që amerikanët ju kanë dhënë në një program. A po ju mbështesin amerikanët në këtë lëvizje?
Nuk kam paraqitur asnjë të dhënë që synon të japë përshtypjen se ata po drejtojnë këtë proces. U jam përgjigjur pyetjeve të kolegëve tuaj gazetarë për rrugëtimin tim në programin IVLP, i cili është program lidershipi i Departamentit të Shtetit. Asgjë me shumë.
A po ju mbështet Fondacioni Soros në lëvizjen tuaj? Si do u përgjigjeni zërave që po ju akuzojnë se po.
Asnjë lidhje nuk ka fondacioni në fjalë me rrugën time. Ata që më së shumti hedhin balte janë njerëz që kanë marrë projekte ndër vite në shuma të medha nga ai fondacion.
Nëse janë bërë pishman të shkojnë e të kthejnë lekët. Unë e kuptoj që zullumi i 32 viteve korrupsion e hajdutëri ka mjaftueshëm para për të financuar fushata balte dhe manipulimi publik, por e kanë të kotë.
Si me Adriatikun si pa Adriatikun kësaj pune i ka ardhur ora. Hallin s’e kanë me mua, e kanë me zullumet e veta. E kanë me drejtësinë. Unë të gjithë angazhimin tim e kam për të ardhmen. Për idetë dhe për të qenë model tjetër.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Gogo.al