Vendosni fjalën kyçe....

Arrestimi i Rrjepajt, ish-zyrtarit të LSI-së, Meta: Prej kohësh nuk ishte aktiv


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha sot në një intervistë për News 24 se kryeministri Rama ishte ai që u mburr me koncesionin e sterilizimit, ndonëse u hodh poshtë një investim i bërë që në vitin 2011.

I pyetur për faktin që ish zv.ministri i Shëndetësisë i arrestuar sot, Klodian Rrjepaj ka qenë një funksionar i LSI-së, Meta tha e prej shumë kohësh ai nuk ishte aktiv në këtë forcë politike.

 

SPAK arrestoi sot disa persona për koncesionin e sterlizimit. Rrjepaj ka qenë i LSI apo jo?

Meta: Dihet kush është mburrur me koncesionin e sterlizimit, është kryeministri aktual. Bashkë me ministrin e Shëndetësisë së asaj kohe bënë atë që një investim i shkëlqyer i fjalës së fundit, të shkencës dhe teknologjisë, që ishte inauguruar që në 2011, nuk e konsideruan fare dhe paraqitën një situatë problematike që të realizonin këtë koncesion. Ishte i panevojshëm dhe spekulativ. Të gjithë personat e tjerë që kanë një problem në këtë hetim, marrin përgjegjësitë e tyre. Ka shumë kohë që nuk e mbaj mend këtë person si një njeri aktiv të LSI-së.

Ka qenë i larguar nga ju?

Meta: Nuk e di fare. Problemi është që nuk duhet të vazhdojmë me drejtësi me regji. Edhe nga kaq hetim sa ka dalë, nuk kemi asnjë ngjashmëri me skemën e inceneratorëve. Këto kanë qenë skema të përgatitura më parë, para se Rilindja të vinte në pushtet, me biznesmenë të përzgjedhur për të zhvatur paranë publike. është rritur me 80 herë kostoja e sterilizimit, në kundërshtim me atë që ka thënë ministri i Financave në atë kohë. Impianti i sterilizimit i marrë me kredi i është falur personit që e ka marrë me koncesion dhe prapë gjërat nuk kanë funksionuar.