Kreu i PD-së Basha i ka bërë thirrje SPAK-ut që t’i shkojë deri në fund hetimit të koncesionit të sterilizimit dhe të gjitha koncesioneve e tenderave të qeverisë.
Në një shënim në Facebook, kryedemokrati shton se koncesionet në shëndetësi janë vepra korruptive të qeverisë Rama që janë denoncuar e kallëzuar penalisht nga PD-ja për vite me radhë.
Ai theksoi se paratë e shqiptarëve janë përdorur jo në shërbim të tyre por në shërbim të politikanëve të korruptuar e klientëve të tyre.
“Koncesionet në shëndetësi janë vepra korruptive të qeverisë Rama, të cilat janë denoncuar publikisht dhe janë kallëzuar penalisht në SPAK nga Partia Demokratike. Për vite me radhë paratë e shqiptarëve nuk janë vendosur në shërbim të pacientëve, por të politikanëve të korruptuar dhe klientëve të tyre. Kjo lojë e paskrupullt me shëndetin e njerëzve, është dëshmi e makutërisë primitive të kësaj qeverie, e cila duhet hetuar në thellësi, duke shkuar deri tek burimi i kësaj filozofie korruptive dhe rrënuese për interesin publik, e cila nuk u ndal as gjatë kohës së vështirë të pandemisë. Përshëndes veprimet hetimore të SPAK dhe e inkurajoj t’i shkojnë deri në fund zinxhirit të përgjegjësive që kanë shkaktuar dëme të parikuperueshme për qytetarët shqiptarë, të cilët presin dhe meritojnë drejtësi!” – shkruan Basha.