Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania ‘tërhiqet’ nga premtimi i NATO-s për shpenzime ushtarake – Reuters


Gjermania ka hequr dorë në heshtje nga plani për t’i bërë objektivat e shpenzimeve ushtarake të NATO-s ligjërisht të detyrueshme, tha një burim qeveritar për Reuters të mërkurën.

Ligjit për financimin e buxhetit të miratuar nga kabineti i kancelarit Olaf Scholz të mërkurën i mungonte një dispozitë që do e bënte objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes të bllokut prej 2% të PBB-së një kërkesë ligjore, sipas burimit.

Scholz kishte premtuar një ‘Zeitenwende’ (pikë kthimi) në mbrojtjen e Gjermanisë shkurtin e kaluar në ditët pas nisjes së sulmit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, duke premtuar se ‘do investonte më shumë se 2% të PBB-së në mbrojtjen tonë vit pas viti’.

Ministrja e atëhershme e Mbrojtjes, Christine Lambrecht dyfishoi premtimin e kancelares në shtator, duke deklaruar se Gjermania duhet të përmbushë objektivat e NATO-s, edhe pasi fondi i posaçëm prej 100 miliardë eurosh (101 miliardë dollarë) që mundëson nivelin e tanishëm të shpenzimeve ushtarake të jetë shpenzuar.

Gjermania është zotuar të përmbushë objektivin prej 2% si një mesatare për një periudhë pesëvjeçare. Një zëdhënës nuk iu përgjigj kërkesës së Reuters për koment në lidhje me buxhetin.

Javën e kaluar, Gjermania zbuloi se planifikon të dyfishojë fondet e saj për Nismën e Ndërtimit të Kapaciteteve të Sigurisë së NATO-s në krahasim me vitin 2022, duke caktuar 5.4 miliardë euro për projektin krahasuar me 2 miliardë euro vitin e kaluar.

Fondet përdoren ‘kryesisht për ndihmën ushtarake për Ukrainën’, sipas deklaratës së qeverisë, si dhe për rimbushjen e rezervave ushtarake të Berlinit pas dërgesave në Ukrainë.