Dhjetëra qytetarë po zhvillojnë një protestë në mbështetje të ish-luftërarit të UÇK-së Dritan Goxhaj para Ministrisë së Drejtësisë.
Ata kërkojnë lirimin e tij pasi gjykata e Apelit e la në burg, Goxhaj u arrestua pak ditë më parë me kërkesë të Gjykatës Speciale të Kosovës me qendër në Hagë.
Goxhaj kishte denoncuar dëshmitarët në gjyqin në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në një intervistë në Euronews.al më 3 prill 2023, Goxhaj deklaronte se një nga dëshmitarët në gjyq ishte gazetari i BIRN Altin Raxhimi, i cili është edhe bashkëautor i shkrimit për ‘Shtëpinë e verdhë’ që u përdor më pas nga Karla del Ponte dhe Dick Marty për ngritjen e akuzave ndaj UÇK-në për trafik organesh.
“Gjithçka nisi në bazë të një letre të bërë nga gazetarët e Birn, në atë kohë Birn nuk kishte për Shqipërinë, por paguhej direkt nga Beogradi dhe shkrimin e bënte një amerikan dhe një shqiptar. Shqiptari është Altin Raxhimi i cili ka shkruar këtë letër ku thotë se janë arrestuar dhe mbajtur nga UÇK-ja në Kukës në këtë fabrikë me 19 shqiptarë dhe për këtë shkrim që ky zotëri ka përfituar azil politik sot në Kanada dhe është gjithashtu i fshehur dhe dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë Speciale kundër gjykimit që do të fillojë sot kundër të akuzuarve. Ky artikull është pranuar në prokurorinë e UMNIK-ut dhe në bazë të këtij neni ka filluar një proces gjyqësor në vitin 2009.” – deklaronte Goxhaj.
Më 8 gusht 2023, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Ruse Maria Zakharova, akuzoi Ukrainën për trafik organesh të viktimave të luftës.
Në një editorial të publikuar në ‘Rossiiskaya Gazeta’ , Zakharova, shkruante se ‘Ukraina ka qenë e njohur si lider botëror në trafikun e organeve’ prej shumë kohësh, duke nisur që nga vitit 1990 e duke u rritur shumë pas asaj që ajo e quan ‘operacioni ushtarak special rus’ në shkurt 2022, sulmin e ushtrisë ruse ndaj territorit ukrainas.
Në një pjesë të editorialit të saj Zakharova e lidhte trafikun e organeve nga Ukraina me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Sipas saj persona të përfshirë në UÇK mund të kenë lidhje apo po merren me tregti organesh ndërkohë që përmend gjykimin në Gjykatën Speciale të Hashim Thaçit e ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
“Ka informacione se personat e përfshirë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës mund të kenë një dyqan organesh ose së paku të merren me këtë tregti. Një nga udhëheqësit e saj tani është në gjyq për trafikim të organeve të ushtarëve të vdekur serbë, civilëve dhe disidentëve të tjerë gjatë luftës në Jugosllavi. Ushtria është ende duke funksionuar, por me një emër tjetër dhe ushtarët e saj mund të luftojnë si mercenarë në Ukrainë.” – shkruante Zakharova.
Çështja e trafikut të organeve nga UÇK-ja duke përdorur baza në Shqipëri, mes të cilave më e njohura ka qenë Shtëpia e Verdhë në Mat, u përdor nga Carla del Ponte e Dick Marty për të ngritur akuza ndaj UÇK-së.
Rreth një muaj më parë, më 26 korrik, BIRN publikoi një tjetër shkrim me titull ‘Në gjurmët e një vendimi të pakapshëm për trafikimin e organeve në Kosovë’.
Shkrimi nuk ka asnjë fakt apo të dhënë e shërben thjesht për të mbajtur gjallë tezën e trafikut të organeve. Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, i ka quajtur akuzat e Zakharova-s të njëjtat me ato të Serbisë ndaj UÇK-së.
Me 8 gusht ai shkruante në Twitter se shkrimi i Maria Zakharova-s është i njëjtë me pretendimet serbe daj UÇK-së për trafik organesh.
Ai thekson se për më shumë se 10 vjet, Rusia ka bërë një fushatë në Këshillin e Evropës për të ‘hulumtuar’ raportin e Dick Marty-t e akuzat e tij ndaj UÇK-së për trafik organesh duke përdorur NATO-n.