Vendosni fjalën kyçe....

Dy vende evropianë do i dërgojnë avionët F-16 Ukrainës sapo të përfundojë stërvitja e pilotëve


Danimarka e Holanda mund t’i dërgojnë Ukrainës avionë luftarakë F-16 sapo të përfundojë stërvitja e pilotëve, tha Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken në një letër të parë nga Reuters të enjten.

“Po shkruaj për të shprehur mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për transferimin e avionëve luftarakë F-16 në Ukrainë dhe për stërvitjen e pilotëve ukrainas nga instruktorë të kualifikuar F-16”, tha Blinken në një letër drejtuar homologëve të tij në Hagë e Kopenhagen.

Sipas agjencisë, Blinken u zotua se SHBA do miratojë të gjitha kërkesat e nevojshme të palëve të treta për dorëzimin e avionëve të prodhuar në SHBA, në mënyrë që Ukraina të mund të ‘përfitojë plotësisht nga aftësitë e saj të reja sapo grupi i parë i pilotëve të përfundojë stërvitjen’.

Letra vjen vetëm një ditë pasi zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Yury Ignat, u tha gazetarëve se Kievi kishte ‘shpresa të mëdha’ për marrjen e avionëve këtë vit, por ‘për fat të keq, tashmë është e qartë se ne nuk do jemi në gjendje ta mbrojmë Ukrainën me F-16 gjatë gjithë vjeshtës dhe këtë dimër’.

Danimarka e Holanda kryesojnë grupin që do stërvisë pilotët ukrainas për avionët luftarakë të prodhuar në SHBA, grupi që gjithashtu përbëhet nga Belgjika, Kanadaja, Luksemburgu, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, Britania e Suedia.