Nënkryetari i Partisë së Lirisë Endrit Braimllari tha sot se kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është përgjegjësi kryesor në atë që ai e quajti megaafera e iinceneratorit të Tiranës.
Në një deklaratë për mediat ai tha se heshtja e Veliajt flet qartë për përfshirjen e tij te inceneratori në fjalë.
Braimllari shtoi se firma e tij në kundërshtim me ligjin e bën atë përgjegjës të drejtpërdrejtë për aferën korruptive duke theksuar se Veliaj e stafi i tij i ngushtë janë tërësisht të lidhur me koncesionin 30-vjeçar të inceneratorit të Tiranës që prej ditës së parë të projektit mafioz.
“Erion Veliaj është përgjegjësi kryesor për mega aferën korruptive të inceneratorit të Tiranës. Heshtja e Erion Velisë tregon qartë përfshirjen e tij drejtëpërdrejtë tek inceneratori i Tiranës. Firma e tij në kundërshtim me ligjin duke marrë kompetencat e këshillit bashkiak, duke dhënë miratimin për studimin e fizibilitetit e bën atë përgjegjësin e drejtëpërdrejtë të kësaj afere korruptive. Erion Veliaj në bashkëpunim me drejtorët e tij është i përfshirë drejtëpërdrejtë në procedurën për dhënien me koncesion të inceneratorit të Tiranës, i cili vazhdon të vjedhë cdo ditë qytetarët e Tiranës. Erion Veliaj dhe stafi i tij i ngushtë janë tërësisht të lidhur me koncesionin 30-vjeçar të inceneratorit të Tiranës. Nga dita e parë që ky projekt mafioz filloi të zbatohej.” – tha Braimllari.
Ai i bëri thirrje SPAK-ut që të ndalë sa më parë pagesat e bashkisë Tiranë për inceneratorin e Tiranës dhe të marrë të pandehur kryebashkiakun e Tiranës Veliaj.
“Erion Veliaj është përgjegjës për çdo pagesë që ka kryer Bashkia e Tiranës sepse ka qenë në dijeni të plotë që shërbimi që ofrohej nga inceneratori i Tiranës nuk ishte shërbimi që ishte parashikuar në kontratë. Por, Erion Veliaj vazhdon të paguajë 29 euro për ton. SPAK duhet të ndalë sa më parë pagesat e Bashkisë së Tiranës dhe të gjithë bashkive të qarkut për një shërbim që nuk merret. Cddo ditë që kalon rëndon mbi xhepat e qytetarëve të Tiranës. SPAK duhet të marrë sa më parë të pandehur kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Pasi çdo ditë që kalon këto veprime kriminale të kryera drejtëpërdrejt nga Erion Veliaj vazhdojnë të dëmtojnë çdo ditë qytetarët e Tiranës. Inkurajojmë SPAK-un që të shkojë sa më shpejt të Erion Veliaj që së bashku me Edi Ramën kanë ideuar skemën korruptive të inceneratorit.” – mbylli deklaratën Braimllari.