Rezervat e gazit natyror në Bashkimin Evropian janë mbushur deri në 90% të kapacitetit të tyre shumë përpara datës së synuar të 1 nëntorit, njoftoi të premten Komisioni Evropian.
Nivelet e depozitimit të gazit kanë arritur në 1,024 TWh, ose 90.12% të kapacitetit të magazinimit, ekuivalente me pak më shumë se 93 miliardë metra kub gaz natyror, thuhet në një deklaratë të komisionit, sipas DW.
“Tregu energjetik i BE-së është në një pozicion shumë më të qëndrueshëm se sa ishte këtë herë vitin e kaluar,” tha Komisioneri Evropian i Energjisë Kadri Simson, duke kujtuar verën e vitit 2022 kur pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia çoi në rritje çmimet e energjisë.
Ajo shtoi se BE është “mirëpërgatitur për dimër“, por investimet në energjinë e rinovueshme dhe efikasitetin e energjisë mund të forcojnë më tej pozicionin e BE.
Komisioni vlerëson se me 90% të depozitave të plota, BE do të ketë mjaft gaz për të mbuluar një të tretën e nevojave të saj dimërore. Megjithatë, nivelet ndryshonin në varësi të vendit të BE-së. Spanja ka 99% të kapacitetit të saj të mbushur, ndërsa Franca ka 83% dhe Letonia 77%. Në Gjermani, është rreth 92.