Një 53-vjeçar është vënë në pranga pasi u kap duke transportuar 15 emigrantë të paligjshëm.
Policia thotë se 53 vjeçari nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar automjetin me të cilin po transportonte, kundrejt pagesës, 15 emigrantë që do të kalonin ilegalisht kufirin.
Njoftimi.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Midnight 16”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar automjetin me të cilin po transportonte, kundrejt pagesës, 15 emigrantë që do të kalonin ilegalisht kufirin, kapet dhe vihet në pranga 53-vjeçari.
Sekuestrohen automjeti, 2 celularë dhe një shumë parash.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Midnight 16”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi:
-P. G., 53 vjeç, banues në Pogradec.
Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas që do të transportonte kundrejt pagesës, shtetas të huaj, me qëllim që ata të kalonin ilegalisht kufirin, organizuan veprimet dhe në aksin rrugor “Qafë Plloçë-Pogradec”, bënë të mundur lokalizimin e automjetit të dyshuar. Shtetasi P. G., sapo ka konstatuar se ishte në ndjekje nga Policia, ka tentuar të largohet me shpejtësi me automjet, duke mos iu bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar, por menjëherë është kapur dhe neutralizuar. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Rexton”, u gjetën 15 emigrantë.
Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe provat e siguruara, rezultoi se 53-vjeçari do t’i transportonte emigrantët, kundrejt pagesës, me qëllim që të kalonin në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të BE-së.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, 2 celularë dhe një shumë parash.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.