Gjenerali francez Jean-Louis Georgelin, drejtor i restaurimit të katedrales Notre Dame të dëmtuar nga zjarri në Paris, është gjetur i vdekur pranë një kalimi malor në Francën juglindore, konfirmoi të shtunën zyra e prokurorit publik Foix, duke theksuar se vdekja po trajtohej si aksident.
Trupi i 74-vjeçarit u zbulua nga xhandarë në malet Pirenej, pasi ai nuk u kthye nga një ecje të premten. Ai thuhet se ra në malin Valier, i vendosur pranë kalimit Faustin në Ariege në një lartësi prej 2,650 metrash.
Georgelin shërbeu si këshilltar personal ushtarak i ish-presidentit Zhak Shirak nga viti 2002 në 2006 dhe si shef i shtabit për ushtrinë franceze nga 2006 deri në 2010. Gjatë asaj kohe, ai drejtoi operacione të ndryshme në Afganistan, Liban, Bregun e Fildishtë dhe Ballkan.
Pas zjarrit shkatërrues të prillit 2019 që shkatërroi majën ikonë të Notre Dame, Georgelin u emërua për të mbikëqyrur rindërtimin e katedrales së shekullit të 12-të, duke marrë një qasje ushtarake ndaj projektit me titullin e tij të miratuar si shef i operacioneve të ‘taskforcës’ së rindërtimit.
Ndërsa disa mendonin se afati kohor pesëvjeçar i rindërtimit i vendosur nga presidenti Emmanuel Macron ishte shumë ambicioz, Georgelin, motoja e të cilit thuhet se ishte ‘të ecim përpara pa vonesë’, e mori seriozisht afatin, duke i thënë BBC-së në prill se ‘reputacioni ynë është në rrezik’.
Ai duket se e ka përballuar sfidën, pasi monumenti mesjetar ishte në plan për t’u rihapur për meshë në dhjetor 2024 që nga prilli. Afati i ngushtë thuhet se kishte për qëllim t’u jepte vizitorëve në Paris për Lojërat Olimpike 2024 mundësinë për të parë katedralen.
Macron shkroi në Twitter një homazh për gjeneralin me pesë yje të shtunën, duke deklaruar se Franca kishte humbur ‘një nga shërbëtorët e saj më të mëdhenj’ dhe ‘mbikëqyrësin e rilindjes së saj’.
Zëvendësdrejtori i Georgelin në grupin punues të Notre Dame, Philippe Jost, konfirmoi se vdekja e tij kishte qenë aksidentale, por nuk elaboroi, thjesht duke ridrejtuar vëmendjen te projekti.