Vendosni fjalën kyçe....

Samiti në Athinë/ Berisha: Refuzimi i Begajt i pamenduar, Mitsotakis nuk e ftoi me të drejtë Ramën


Refuzimi i ftesës për Samitin e Athinës është bojkot, vetëpërjashtim nga një nismë europiane’, kështu e ka cilësuar ish kryemnistri Berisha, ftesën e refuzuar të presidentit Bajram Begaj ndaj samitit në Athinë të organizuar nga kryeministri grek Mitsotakis.

Për ish-kryeministrin Sali Berisha, reagimi i Presidentit të Republikës Bajram Begaj për mos marrë pjesë është i pamenduar dhe nuk përfaqëson mendimin dhe interesat europiane të qytetarëve dhe forcave politike të vendit as dhe detyrimet për një fqinjësi të mirë, por strikt mendimin e Edi Ramës dhe interesat mafioze të këtij të fundit

Ai thotë më tej se kryeministri i Greqisë nuk ftoi me të drejtë Edi Ramën për shkak të shkeljes nga ai i të drejtave kushtetuese në rastin Beleri në veçanti dhe se ftesën për Shqipërinë ia ka dërguar në përputhje edhe me protokollin europian të këtyre samiteve, Presidentit të Republikës.

 

 

POSTIMI I PLOTË I BERISHËS

Refuzimi i ftesës për Samitin e Athinës është bojkot, vetëpërjashtim nga një nismë europiane

Të dashur miq, Greqia është vendi i deklaratës të Samitit të Selanikut, dokumentit ligjor themelor të zotimit zyrtar të Bashkimit Europian për ofrimin dhe sigurinë e perspektivës europiane, vendeve të rajonit tonë nga BE. Në këtë kuadër kryeministri i Greqisë, Qirjako Micotaqis (Kyriakos Mitsotakis), organizon takim të nivelit më të lartë me liderët e vendeve të rajonit në të cilin marrin pjesë presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Europian Charles Michel dhe personalitet e tjera kryesore të BE.

Kryeministri i Greqisë nuk ftoi me të drejtë Edi Ramën për shkak të shkeljes nga ai i të drejtave kushtetuese, të drejtave që garanton Konventa Europiane të Drejtave të Njeriut dhe Kodi Zgjedhor, e ligje të tjera të vendit të qytetarëve shqiptar në farsën elektorale më 14 maj në tërësi dhe rastin Beleri në veçanti. Por ai ftesën për Shqipërinë ia ka dërguar në përputhje edhe me protokollin europian të këtyre samiteve, Presidentit të Republikës. Mirëpo në një akt të pamenduar në vlerësimin tim, Presidenti i Republikës de facto ka refuzuar ftesën duke menduar se me refuzimin e tij do t’i imponojë kryeministrit Mitsotakis të ftojë Edi Ramën.

Me këtë akt z.Begaj midis interesave europiane të shqiptarëve dhe interesave mafioze personale antieuropiane të Edi Ramës, zgjodhi Edi Ramën. Ai mori përsipër të bojkotojë samitin dhe refuzoi ftesën.

Reagimi i presidentit është i pamenduar dhe nuk përfaqëson mendimin dhe interesat europiane të qytetarëve dhe forcave politike të vendit as dhe detyrimet për një fqinjësi të mirë, por strikt mendimin e Edi Ramës dhe interesat mafioze të këtij të fundit.

Presidenti i Republikës në vend të ndërhyrjes për zgjidhjen e problemit Beleri, të stisur nga Edi Rama nga alfa tek omega dhe në shkelje të ligjeve të vendit, zbaton urdhrat e Ramës.