Vendosni fjalën kyçe....

Sterilizimi, GJKKO kërkon pavlefshmërinë e koncesionit! I dërgon vendimin ILDKP-së, kërkon hetim pasuror për 8 zyrtarët e dyshuar


Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kërkon ndërperjen e koncesionit të sterilizimit para afatit, për shkak të problematikave dhe shkeljeve të evidentuara nga SPAK, për të cilat u arrestuan ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe pronari kryesor i kompanisë “Sani Service” Ilir Rrapaj, që fitoi tenderin 100 milionë eurosh.

Krahas caktimit të masave arrest me burg për ish-zv.ministrin dhe biznesmenin, dhe masave arrest shtëpie e detyrim paraqitje për ish-zyrtarët e ministrisë së Shëndetësisë dhe anëtarët e komisionit, në pikën 20 të vendimit të firmosur nga gjyqtari Erion Bani, në datën 26 qershor 2023, ora 11.30, përcaktohet se një kopje do ti dërgohet Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë.

Konkretisht, gjykata i kërkon ILDKP-së “marrjen e masave për ndjekjen e rrugës ligjore për konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës koncesionare datë 2 dhjetor 2015 të lidhur mes Ministrisë së Shëndëtësisë, përfaqësuar nga Ministri Z.Ilir Beqaj dhe shoqërisë “SaniService” sh.p.k. të përfaqësuar nga administrator Admir Daca. Ky i fundit, rezulton administrator i kompanisë fituese të koncesionit, e cila është një bashkim kompanish, konkretisht: “Investital LLC”, me pronar Ilir Rrapaj, zotëron 40 për qind të aksioneve, SERVIZI ITALIA S.P.A, 30%, Tecnosanimed 15% dhe U.JET 15%.

Sipas Shqiptarja.com, pas hetimeve të nisura në 1 janar 2020, SPAK pretendon se ka gjetur elementë të veprave penale “shpërdorim detyre” e “falsifikim dokumentesh” nga zyrtarët, ku përfshihen, ish-zv.ministri Klodian Rjepaj, Saimir Kadiu, drejtor ekonomik dhe Marsela Serjanaj drejtoreshë juridike në Ministrinë e Shëndetësisë.

Të njëjtat akuza janë ngritur nga SPAK për mjekun Arben Gjata, shef Kirurgjie dhe rektor i Universitetit të Mjekësisë, anëtarët e komisionit, Naile Ajazi, Genc Byrazeri e Petro Mersini, ish-drejtor i përgjithshëm i shërbimit spitalor në Ministrinë e Shëndetësisë.

Për të gjithë këta zyrtarë, gjykata shprehet në vendim se duhet të zhvillohet një hetim pasuror për të parë nëse kanë pasur përfitime nga veprat penale që kanë kryer.

Biznesmeni Ilir Rrapaj akuzohet nga SPAK për mashtrim pasi ka plotësuar formularin e konfliktit të interesit me të dhëna të rreme duke shënuar se nuk kishte njohje e miqësi me asnjë nga zyrtarët vendimarres në një kohë që rezulton shok fakulteti me zv.ministrin Klodian Rrjepaj çka përbënte shkak për përjashtimin e kompanisë së tij nga koncesioni.