Vendosni fjalën kyçe....

Vrau 77 persona në korrik 2011, Breivik padit Norvegjinë: Më keni izoluar për 11 vite


Vrasësi masiv norvegjez Anders Behring Breivik ka paditur shtetin për shkeljen e të drejtave të tij njerëzore duke e mbajtur atë në izolim ‘ekstrem’, tha avokati i tij, Oeystein Storrvik, të premten për Reuters.

“Ai po padit shtetin sepse ka qenë në një izolim ekstrem për 11 vjet dhe nuk ka kontakte me njerëz të tjerë përveç rojeve të tij,” shpjegoi Storrvik.

Breivik po vuan dënimin më të gjatë të mundshëm sipas ligjit norvegjez, 21 vjet, për vrasjen e 77 personave në korrik 2011 në mizorinë më të keqe në kohë paqeje në historinë e vendit.

Gjyqtarët kanë mundësinë për të zgjatur dënimin e tij nëse ai konsiderohet të jetë ende një kërcënim pas kësaj periudhe.

Pas vuajtjes së nëntë viteve të para të dënimit në burgun Skien ku thuhet se ishte lodhur nga monotonia e rrethinës së tij, Breivik u transferua në burgun Ringerike vitin e kaluar, ku ai qëndron në kushte maksimale të sigurisë.

“Ne shpresonim se do kishte kushte më të mira dhe se ai mund të takonte njerëz të tjerë,” u ankua Storrvik.

Një gjykatë apeli në vitin 2017 rrëzoi vendimin e një gjykate më të ulët se kushtet e izolimit të Breivik në një qeli me tre dhoma shkelnin të drejtat e tij.

Në vitin 2016, një gjykatë në Oslo kishte gjetur ndarjen e tij nga të burgosurit e tjerë për shkak të kërcënimit të pretenduar, se përbënte ‘trajtim ose dënim çnjerëzor e poshtërues’.

Shteti pohoi në atë kohë se Breivik ‘ende dëshiron të frymëzojë të tjerët’ dhe kështu duhet të ruhet nga të burgosurit e tjerë dhe nga bota e jashtme.

Megjithatë, kushtet e tij të jetesës janë relativisht të rehatshme në krahasim me SHBA, ku qelitë e vetmisë janë më pak se një e katërta e madhësisë së suitës së tij me tre qeli.

Terroristit të dënuar i lejohet të luajë videolojëra, të përdorë kompjuterin (pa internet), të ushtrohet me pajisje në palestër dhe të lexojë libra dhe gazeta, si dhe të studiojë në shkencat politike.

Ai madje lejohet të dërgojë dhe të marrë letra, megjithëse shumë prej tyre përfundojnë të censuruara nëse stafi i burgut mendon se mund të nxisin krime të urrejtjes.

Breivik aplikoi për lirim me kusht vitin e kaluar, kërkesa e tij u hodh poshtë kur gjykata zbuloi se ai ende përbënte një kërcënim për shoqërinë.

Gjyqtari vendosi se atij i mungonte ndjeshmëria dhe dhembshuria për viktimat e tij dhe nuk kishte ndryshuar që nga kryerja e vrasjeve tronditëse pasi u përpoq të mbronte veprimet e tij duke vrarë me armë zjarri dhjetëra viktima kryesisht adoleshente në një kamp të të rinjve të Partisë Laburiste në ishullin Utoya.