Policia ka dhënë hollësi lidhur me vdekjen e një qytetari në Vlorë orët e para të mëngjesit.
63-vjeçari Nadir Gjata, pronar i një agjencie biletash, u gjet i vdekur brenda makinës së tij, ndërsa familjarët hodhën dyshime se ishte vrarë e grabitur pasi i mungonte çanta dhe se kishte pasur goditje në kokë.
Sipas policisë, dyshohet se 63v-jeçari ka humbur kontrollin e mjetit për shkaqe shëndetësore e më pas është përplasur me një makinë taksi duke humbur jetën.
Sipas njoftimit, pas kryerjes paraprake ngë eksperti mjeko-ligjor nuk janë gjetur shenja dhune.
Njoftimi
“Më datë 21.08.2023, rreth orës 04:00, në lagjen “28 Nëntori”, Vlorë, në afërsi të vendit të quajtur “Kapelja”, shtetasi Nadir Gjata, 63 vjeç, banues në Vlorë, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit tip “Ford Fiesta”, për pasojë automjeti i tij ka përplasur një automjet të parkuar (taksi), i cili gjatë zhvendosjes ka përplasur 2 automjete të tjera të parkuara.
Paraprakisht, dyshohet se 63-vjeçari ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, për shkaqe shëndetësore, më pas automjeti i tij është përplasur me automjetin taksi dhe për pasojë ky shtetas ka humbur jetën.
Trupi i pajetë u transportua në morg, për kryerjen e ekspertizës mjekoligjore, për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës. Nga këqyrja paraprake e trupit, eksperti mjekoligjor nuk ka konstatuar shenja dhune.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe po bashkëpunohet me Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së 63-vjeçarit.