Bazuar nga analizat e tregjeve ndërkombëtare të vitit 2021, një normë fitimi para taksave 10% konsiderohet shumë e mire nga analistët e investimeve. Më tej norma të mira të investimeve konsiderohen ato nga 5-10%, ndërsa në kompanitë që kanë kontratat me qeveritë për punë dhe shërbime ku të ardhurat zakonisht janë të sigurta, normat e fitimit janë më të ulëta.
Por këto parime mbi normat e fitimeve nuk janë të vlefshme për kompanitë që kanë kontrata me qeverinë shqiptare, ku fitimet janë disa herë më të larta se mesatarja tregut vendas. Kompania Intekar-ASL e kontraktuar nga qeveria shqiptare për të zhvilluar punimet në tunelin e Llogorasë në seksionin rrugor Orikum -Himarë realizoi vitin e kaluar fitime para taksave mbi 9 milionë euro një normë 18 % në një kohë që fitimi mesatar i bizneseve shqiptare në vitin 2021 ishtë 9.2% sipas të dhënave të të INSTAT.
Intekar -ASL fitoi një garë që qeveria shqiptare hapi për ndërtimin e tunelit të Llogorasë në gusht të vitit 2021 kundrejt një vlerë 17 miliardë lekësh ose rreth 165 milionë eurosh.
Sipas të dhënave nga bilanci të ardhurat e kompanisë arritën në 5,3 miliardë lekë në vitin 2022, teksa fitimi para taksave shënoi rreth 945 milionë lekë (9,4 milionë euro) ose 17.8%. Ky tunel u rendit në krye të listës së investimeve publike për nga shumat e mëdha të financimeve nga buxheti i shtetit.
Norma e fitimit sa dyfishi i mesatares së tregut erdhi në një kohë që kompanitë që kishin kontrata me qeverinë u ankuan për kostot e larta të lëndëve të para që u krijuan nga lufta pas luftës në Ukrainë. Shumë kompani pezulluan përkohësisht punimet, duke detyruar qeverinë të aplikonte një skemë kompensimi ndaj tyre. Strabag, gjiganti austriak i ndërtimit të infrastrukturave rrugore në vitin 2022 e kishte fitimin para taksave 7,4% duke e konsideruar këtë një rezultat shumë të mirë.
Tuneli i Llogorasë është një rrugë e kategorisë C2 që lidh Vlorën me Sarandën në një distancë të shkurtër. Tuneli është parashikuar me shpejtësi 50-80 km/orë me një karixhatë me dy sense lëvizje. Gjatësia e parashikuar e tunelit është rreth 5.7-6 km. Tuneli është i gjerë 12.8 m që përbëhet nga dy korsi me gjerësi 3,5 metër secila, dy trotuar me nga 85 cm se cili si dhe tunel emergjence.
Të dhënat nga bilancet tregojnë se në përgjithësi fitimet në sektorin privat kanë shënuar dobësi prej vështirësive që krijoi kriza e çmimeve nga lufta në Ukrainë dhe rritja e kostove të punës në tregun e brendshëm.
Nga ana tjetër kompanitë që kishin kontrata me qeverinë dhe sidomos koncesionet me Partneritet Publik-Privat kishin një normë fitimi që arrinte në disa raste 40%. Shumica e kompanive që kishin kontrata me qeverinë raportuan norma fitimi dyshifrore dy ose më shumë herë më të larta se mesatarja.
Fitimet jashtë logjikës së investimeve publike po na tregojnë se qeveria nuk është treguar e kujdesshme me studimet e fizibilitetit dhe kostimin e projekteve përderisa kontraktorët raportojnë norma fitimi 200-300 % më të larta se në sektorin privat.
Kompania që ishte kontraktuar për ndërtimin e inceneratorit e Tiranës Integrated Energy B.V. S.P.V.” e cila tashmë është nën sekuestro për aplikimin e një skemë të madhe mashtrimi me fondet publike raportoi një norma vjetore fitimi 30-35% gjatë 2020-2022. /B.Hoxha
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor