Rusia do e trajtojë çdo sulm ndaj Bjellorusisë si një akt agresioni kundër saj e do përdorur të gjitha aftësitë e saj ushtarake për të reaguar, ka paralajmëruar i dërguari i Moskës në Minsk.
Duke folur për median bjelloruse STV, Boris Gryzlov, i cili më pare ka qenë ministër i Brendshëm rus, paralajmëroi çdo palë të tretë që të mos çojë nëpër mend një sulm ndaj Rusisë.
“Presidenti rus Vladimir Putin tha qartë se në rast të një sulmi ndaj Bjellorusisë, ne do e trajtojmë këtë si një sulm ndaj Rusisë. Doktrina ushtarake e Federatës Ruse kërkon, në një rast të tillë, një përgjigje me të gjitha armatimet tona,” tha Gryzlov.
Rusia dhe Bjellorusia kanë rritur bashkëpunimin e tyre ushtarak që nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës.
Në fillim të këtij viti, Rusia njoftoi vendosjen e armëve të saj bërthamore në Bjellorusi, pas kërkesave të përsëritura nga Minsku për ta bërë këtë.
Vitet e fundit, Bjellorusia ka pasur tensione me fqinjin e saj më të madh të BE-së, Poloninë.
Të dy kombet kanë parë që lidhjet e tyre të përkeqësohen gradualisht që nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në Bjellorusi, të cilat nxitën protesta masive në vend.