Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina falenderon Danimarkën dhe Holandën për avionët luftarakë, Moska kërcënon me përshkallëzim të luftës


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka falënderuar ligjbërësit danezë për mbështetjen e tyre ndaj Kievit në luftën kundër pushtimit rus, ndërsa Moska tha se vendimi i Danimarkës dhe Holandës për të dërguar avionë luftarakë F-16 në Ukrainë do ta përshkallëzonte luftën.

Komentet e Zelenskyt në Kopenhagë të Danimarkës më 21 gusht erdhën një ditë pasi ai njoftoi se Danimarka e kishte miratuar dërgimin e 19 avionëve luftarakë të avancuar në Ukrainë.

Zelensky tha gjithashtu se edhe Holanda kishte rënë dakord të dërgonte 42 avionë të llojit F-16, megjithëse kryeministri holandez, Mark Rutte, tha se megjithëse vendi i tij i ka 42 avionë në dispozicion, ende nuk është vendosur nëse të gjithë do t’i dhurohen Ukrainës.

Ukraina ka kërkuar vazhdimisht avionë luftarakë F-16 nga partnerët e saj perëndimorë. Danimarka dhe Holanda janë të parat që iu përgjigjën thirrjes. Kievi thotë se i duhen avionët për ta forcuar flotën e dëmtuar të avionëve të epokës sovjetike, teksa vazhdon kundërofensivën.